Urimet e politikanëve në Ditën e Verës

659
Presidenti Ilir Meta: Uroj optimizëm, shpresë e gëzim në familjet tuaja!
Një urim vjen edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili uron optimizëm, shpresë e gëzim për çdo familje. “Të dashur miq, Gëzuar Ditën e Verës! Uroj që ngjyrat dhe tingujt e mrekullueshëm pranverorë të përtërijnë optimizmin, shpresën dhe gëzimin në familjet dhe zemrën e secilit prej jush!”
Kryeministri Rama: Mirëmëngjesi nga Elbasani
Kreu i qeverisë, Edi Rama, në urimin e mëngjesit postoi dhe një foto nga Elbasani, ku dhe është mbledhur qeveria së fundmi, për të uruar Ditën e Verës. “Mirëmëngjesi dhe me këtë pamje diellore nga Elbasani, ju uroj GËZUAR DITËN E VERËS!”, shkruan ai.
Basha nga Elbasani: Si lulet e pranverës, uroj të çelin shpresat e çdo shqiptari!
Kryetari i PD-së Lulzim Basha e festoi Ditën e Verës në Elbasan duke ndarë me mijëra qytetarë gëzimin dhe shpresën që frymëzon stina e re. “Më lejoni që nga Elbasani, kryeqyteti i Ditës së Verës t’ju uroj gjithë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Verës! Ashtu siç çelin lulet në pranverë, ashtu çeltë shpresa dhe optimizmi në zemrën e çdo shqiptari! – u shpreh Basha. Kryetari i opozitës, bashkë me deputetët demokratë të Qarkut të Elbasanit, respektoi traditën e vizitës në Panairin e qytetit, duke përgëzuar artizanët dhe tregtarët për prodhimet e tyre. Ajo që tërhoqi vëmendjen e kreut të Partisë Demokratike ishte biznesi artizanal i krijuar nga bashkimi i disa grave shtëpiake, përparimi për mbledhjen dhe përpunimin e mjaltit, si dhe fabrika e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë. Lulzim Basha beson se këto biznese duhet të kenë mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti për zhvillimin e tyre të mëtejshëm. “Të tre këta sektorë meritojnë ulje, pse jo heqje të taksave në disa raste, si dhe duhen mbështetur me subvencione për të krijuar atmosferë sa më pozitive për prodhimin, punësimin dhe për mirëqenien e shqiptarëve”- tha Kryetari i PD. I shoqëruar nga bashkëshortja Aurela, Kryetari Basha bëri shëtitjen tradicionale në bulevardin e Elbasanit, duke shkëmbyer me shumë qytetarë urimet për Ditën e Verës.
Sali Berisha: Gëzuar Ditën e Verës!
Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një urim të thjeshtë në rrjetin social Facebook ku shkruan “Gëzuar Ditën e Verës, sb!”. Bashkangjitur postimit ka publikuar dhe një foto të tij me bashkëshorten Lirie Berisha, ku në sfond duket një pikturë me një lule.
Sigal