Reforma zgjedhore/ Kryemadhi: Kemi të njëjtat qëndrime si kreu i PD, Basha

90

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me reformën zgjedhore.

Me  një mesazh të saj, Kryemadhi thotë se ‘LSI nuk ka asnjë qëndrim të ndryshëm nga qëndrimi që ka bërë të njohur në emër të Opozitës së Bashkuar kryetari i PD-së zoti Lulzim Basha’.

Mesazhi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:

Përmbushja e të gjitha detyrimeve ndaj reformës zgjedhore ka qenë dhe mbetet prioriteti im si Kryetare e LSI-së, ndaj do të vazhdoj të bëj të gjithë presionin e nevojshëm, që ajo të realizohet me konsensus dhe sa më parë, si kusht i rëndësishëm për të rikthyer legjitimitetin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë.

Shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar dhe përdorimi i dhunës policore mbi artistët, mbi gazetarët, mbi veprimtarët e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e opozitës, është provokimi i radhës së Edi Ramës ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, i cili edhe në sallën e Kuvendit vazhdoi me të njëjtën gjuhë fyese dhe provokative, për të na detyruar të largohemi nga tryeza e reformës zgjedhore.

Por pavarësisht dhunës policore, pavarësisht gjuhës fyese, provokuese dhe urrejtjes së Edi Ramës, e ritheksoj edhe një herë se ne jemi të vendosur të realizojmë reformën zgjedhore dhe largimin përfundimtar të tij nga pushteti, si kusht për rikthimin e demokracisë në vend.