Urdhri/ Brenda 31 Dhjetorit 2016, të nxirren nga skema 40% e invalidëve perfitues, se nuk ka para

402
Sigal

Përparim HALILI

 

Buxheti i shtetit, i shkundur deri në atë gjendje kritike sa nuk ka fuqi të
përballojë dot as pagesat e shtresave sociale të paafta për të punuar, ka
krijuar një skandal të turpshëm që diskrediton “Rilindjen”. Është një skenar
asocial, i cili ka nisur zbatimin konkret në muajin qershor 2016  në të gjithë vendin, duke lënë pa kafshatën e
bukës lëmoshë, pa kujdestari, pa ilaçe, pa ngrohje, pa ndriçim dhe pa udhëtim
mijëra individë, që kanë përfituar me të drejtë statusin “Invalid”. E kemi fjalën
për personat që trajtohen me “KEMP”, për shkak të paaftësisë së plotë ose  të pjesshme fizike e mendore, të lindur apo të
shkaktuar gjatë punës dhe jetës. Sipas një informacioni të ardhur në redaksinë
e gazetës “Telegraf”, dalë nga burime brenda komisioneve mjeko-ligjore që
trajtojnë invalidët me pensione financiare, denoncohet skandali i bllokimit të
raporteve mjekësore të invaliditetit për shumë persona të paaftë për punë. Për
rrjedhojë, ka nisur e po vazhdon heqje “me shumicë” dhe me shpejtësi e pagesave
të invaliditetit që jep shteti për këto kategori sociale. Po kështu, duke iu
hequr KEMP-in invalidëve, u hiqen edhe kujdestarët, pasi dalin nga skema e
pagesës për shërbimin e tyre. Çfarë po ndodh? Komisionet e përcaktimit të
invaliditetit në rajone (prefektura), po pakësojnë numrin e personave që
trajtohen me KEMP. Këto komisione rajonale, kanë nisur të ulin numrin e personave
që trajtohen me pagesa invaliditeti. Institucionet shtetërore që japin statusin
“invalid” në 12 qarqet e vendit, kanë marrë “planin” e numrit të invalidëve që
do të heqin nga listat, duke i përcaktuar vetë komisionet zonale se cilët do të
hiqen, gjë e cila ka krijuar një mundësi të re korrupsioni. këto komisione
rajonale e bashkë me to edhe komisioni epror i KEMP, po zbatojnë një urdhër
gojor të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, për të pakësuar numrin e atyre që
paguhen me pension invalidi. Ky skenar po zbatohet qysh prej muajit qershor dhe
do faza e parë do të mbyllet në fund të muajit dhjetor 2016. Në fazën e parë është
planifikuar që numri i atyre që trajtohen me KEMP, të ulet me 40%, pra të
mbeten në lista vetëm 60%! Ky “spastrim” listash, po bëhet për shkak se qeveria
nuk ka fuqi të paguaj pensionet e tyre e të kujdestarëve të tyre, paçka se këto
pensione e pagesa kujdestarie janë aq të ulëta sa nuk mund të përballohen as
shpenzimet energji, ujë e bukë thatë! Si veprohet për të realizuar këtë
skandal? Komisionet rajonale hartojnë listat me ata që do të “seleksionohen”,
duke ua hequr statusin “Invalid”, ose duke i përcjell gjoja “për kompetencë”
tek KEMP epror në Tiranë, ku sipas ligjit duhet të paraqiten dy herë në vit
edhe kur janë pa këmbë e pa duar ose pa sy! KEMP-epror në Tiranë, në zbatim të
urdhrit “seleksionues”, nxjerr nga skema e pagesës aq persona sa i është
caktuar “plani” nga ministria “Beqja”! Sipas urdhrit, viti 2016, duhet të
mbyllet me 40% pagesa invaliditeti më pak. Ky “objektiv” po realizohet me suksese,
për të nisur fazën e dytë pas qershorit 2017 (pas zgjedhjeve), me objektivin fazës
së dytë për të ulur me 30% numrin e pjesës së mbetur nga “spastrimi” i këtij
viti! Ky spastrim listash nuk bëhet për shkak të rehabilitimit të invalidëve,
mbasi ai që është pa sy, nuk i kthehet më shikim, ai që është pa këmëbë e pa
duar, nuk mund t’i “mbijnë” përsëri këmbët, ai që është me shtyllë kurrizore të
thyer, nuk mund të ngrihet më në këmbë, femrat që kanë dalë të gjymtuara nga
operacionet e Onkologjikut, nuk mund të rigjenerohen më fizikisht etj. Mirëpo
edhe invaldië me këto mangësi e paaftësi po hiqen nga lista, madje një
invalideje të gjendjes ekstreme në Berat me emrin Meto Çela e dalë vetëm kufomë
nga Onkologjiku, KEM rajonal i tha: Do dalësh nga lista e pagesës, mbasi ti
sipas parashikimit që ka vendosur KML, duhet të jetoje vetëm 4 vite, ti tani je
futur në vitin e pestë dhe nuk të japim më pagesë, mbasi kaq është planifikuar
për ty! (Deklarimin e invalides M. Çela) do ta publikojmë në numrat e ardhshëm…