U dënua nga SPAK, Kryebashkiaku i Mallakastrës kryen dënimin tek Muzeu Historik i Fierit

Kryebashkiaku në detyrë i Mallakastrës Qerim Ismailaj ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion kërkoi një vit burg për fshehje të dënimit në formularin e dekriminalizimit rezulton se ndëshkimin “e vuajti shumë rëndë” duke punuar në Muze. Nuk dihet nëse dënimi u realizua në Muze apo në lokalin e katit të parë ngjitur muzeut ku qahen hallet e shumta të historianëve. Dashur pa dashur Ismailaj hyri jo thjesht në muze, por në histori. Saga e dënimit të tij me disa muaj që më pas u konvertuan në punë detyruese në komunitet duket se u krye në Muzeun Historik të qytetit të Fierit. Lajmi u mësua nga ëebLajm, i cili tha se Ismailaj ka kryer këtë punë pranë muzeut, në shlyerje të dënimit dhënë nga gjykata e posaçme, dënim të cilin ai nuk e ka ankimuar, por e ka pranuar. Pas përfundimit të kryerjes së 40 orëve punë detyruese në interes të komunitetit, i pari i qytetit të Mallakastrës i ka dërguar SPAK-ut vërtetimin në të cilin theksohet se ai ka punuar pranë Muzeut Historik në Fier. Por çfarë pune në të mirë të komunitetit mund të ketë bërë në Muzeun e Fierit kryebashkiaku i Mallakastrës? Muzeu i Fierit, vendi ku pretendohet se ai kreu dëimin ka në organikë profesione paksa specifike të tipit ciceron, historian, roje, bileta-shitës dhe drejtues. Ende mbetet e paqartë puna që ka bërë si dënim Ismailaj në Muzeun e Fierit. Dënimi kaq “i rëndë” për kreun e Mallakastrës për këtë punë prej 40 orësh, për Ismailaj është kryer pa pagesë, por pa dyshim “një plus” në karrierë. Kjo eksperiencë e re për kryebashkiakun i bie që t’i shtohet CV-së së tij dhe padyshim që do të jap mundësira më shumë që përtej detyrës si Kryetar Bashkie i Mallakastrës si funksionar i lartë politik e publik tani ka eksperiencë edhe në Muze. Më herët, Spak i cili kërkoi 1 vit burg, pranoi vendimin e gjykatës me 6 muaj për Ismailaj. Por dënimi me kusht këto 6 muaj burg i konvertoi në 40 orë punë në shërbim të komunitetit. Për efekt të ligjit të dekriminalizimit Ismailaj është kryebashkiaku i katërt që përballet me këtë ligj dhe i pari që hetohet, gjykohet, dënohet dhe është ende në detyrë.

Sigal