Ëndrra për kryetar mbetet në sirtar për Bashën, gjykata lë pezull “vulën” pezullohet “Kuvendi Kombëtar” i 2 shtatorit

39

Gjykata ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo Statut i ndryshuar.

Sigal

Gjykata e Tiranës vendosi të hënën pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga kryetari i grupit parlmentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Gjyqtari Niko Rapi, ka konstatuar se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo Statut i ndryshuar. Në këtë mënyrë Statuti i dalë në 2 Shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe Kryetar i Grupit Parlamentar nuk është njohur nga gjykata. Përfaqësuesit e Partisë Demokracisë së Berishës dhe asaj të Bashës kanë reaguar për mediat pasi Gjykata e Tiranës vendosi të hënën pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi. Çlirim Gjata deklaroi se ajo pjesë që e konsideronte veten Parti Demokratike, tashmë ka rënë. “Kërkuesi kërkon pezullimin, atë që kërkon edhe kundërshtari. Erdhën te ne, aty ku po vinë të gjithë.” Ndërkohë, nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Lulzim Bashës, Indrit Sefa deklaroi se vendimi i sotëm nuk sjell asnjë lloj problematike në organizmin e brendshëm të Partisë Demokratike. “Ne do të vijojmë të funksionojmë në bazë të statutit të 2 shtatorit”, deklaroi ai për mediat. Kurse, përfaqësuesi i ankimimit të bërë nga Gazment Bardhi, Marash Logu, deklaroi pas përfundimit të seancës se, përmes këtij vendimi, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë të mbyllur mundësinë që Basha, të bëhej kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ai tha para gazetarëve se “ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike, kundër vullnetit të demokratëve, do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës”. Tashmë do të pritet gjyqi për kërkesën e 7 deputetëve të Partisë Demokratike, që kërkojnë të hiqet emri i Lulzim Bashës nga regjistri i partive pasi ka dhënë dorëheqjen.