TV gjerman: Mafia e kanabisit, e lidhur me politikën

596
Një dokumentar nga televizioni gjerman ARD, tregon bashkëpunimin mes botës së krimit në Shqipëri dhe qeveritarëve
Në një nga programet e TV prestigjioz gjerman, ARD, është transmetuar në datën 18 shkurt në orën 23.15, filmi dokumentar i përgatitur nga Karl Hoffmann dhe Philipp Grüll me titull “Kundër mafies së marijuanës”, ku bëhet fjalë për kultivimin e kanabisit në Shqipëri dhe lidhjet e kësaj dukurie me politikën. Në Shqipëri, njerëzit në shumë zona janë të varfër, standardi i jetesës është jashtëzakonisht i ulët, sepse gjithçka mungon. Në pak vite ka pasur një polarizim të tejskajshëm të shoqërisë prej nga, një numër i vogël individësh jetojnë në luks të jashtëzakonshëm. Ky luks është financuar nga një industri e paligjshme miliarda dollarëshe. Fuqia e mafias së kanabisit është e pafundme. Gjatë kohëve të fundit janë kryer disa aksione për shkatërrimin e bimëve të kanabisit. Këto veprime janë kryer pak përpara vendimit të BE-së për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Bosët e drogës padyshim nuk janë kapur, por vetëm disa fermerë, familjet e të cilëve jetonin me kultivimin e kanabisit, kanë përfunduar në burg. Kultivimi i kanabisit ka vazhduar pa ndërprerje gjatë 2015 e 2016. Në 2017, qeveria shqiptare shpalli një plan veprimi nën presionin e BE. Shqipërisë në këtë rast iu vendos një kusht: Vetëm nëse bosët e drogës do të luftohen në mënyrë efektive mund të hapen negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Por kjo duket një punë e vështirë. Vetëm në muajt e parë të 2017, rreth 20 ton marijuanë janë konfiskuar në zonën pranë Barit, një nga pikat më të afërta mes Shqipërisë e Italisë. Po aq sa ishin kapur në vitin 2016 në rajonin e Pulias. Por kjo ishte më shumë meritë e një njësie prej 200 rojesh bregdetare italiane, të mirë armatosur, të cilët vepronin kundër anijeve kontrabandiste me anije të shpejta. Para disa muajve policia shqiptare filloi survejimin por me pajisje shumë të vjetra e të dobëta. Pas rizgjedhjes në 2017 Rama ka deklaruar se do t’i japë fund kultivimit të kanabisit në vend. E gjitha duket si një ofensivë e madhe, por shumica e qytetarëve nuk besojnë në seriozitetin e qeverisë. Sepse ata që ishin ishin realisht kundër mafias së drogës u përplasën me drejtuesit e policisë dhe në fund iu desh të largoheshin nga Shqipëria – si hetuesi shqiptar i drogës Dritan Zagani, i cili bënte një betejë të ashpër kundër kanabisit. Tani ai jeton në Zvicër, në azil. Kjo të çon në përfundimin se oficerë të lartë të policisë janë të përfshirë në trafikun e drogës. Plani më i fundit i veprimit të qeverisë duket se ka pasur sukseset e para. Fotot e fundit të ajrit tregojnë një hapësirë me më pak rrënjë të kanabisit. Por kjo ulje e sasisë së kultivuar të kanabisit vjen për shkak të stoqeve të mëdha të kanabisit që zotëron mafia e drogës. Nga ana tjetër policia vazhdon të arrestojë veçanërisht fermerët e vegjël – e cila është hallka më e dobët në zinxhirin e kultivimit dhe trafikut të drogës. Paratë e mëdha bëhen nga bosët e drogës dhe deri tani asnjëri prej tyre nuk është kapur. Filmi mbyllet me përfundimin: Kanabisi dhe Shqipëria – kjo është historia e fermerëve të varfër, mafias dhe korrupsionit. Por mbi të gjitha, duhet pohuar se kanabisi është i lidhur me politikën.


Sigal