Torta e taksave/ Qeveria arkëton miliona dhe favorizon oligarkët, por shpërndan thërrime te qytetarët, jap 673 lekë në ditë

143

Shumica dërrmuese e qytetarëve gdhihen çdo ditë e më të varfër, më të grabitur e të nëpërkëmbur. Por investitorët strategjikë dhe emrat që përfitojnë tortën e tenderëve përkëdhelen me mbushje të xhepave me taksat dhe pasuritë e qytetarëve. Vetëm tre oligarkë marrin nga qeveria 245 kontrata shtetërore.

Sigal

Retorika e gjithë qeverisë prej fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit, kur nisi lufta në Ukrainë është përqendruar te fajësimi i kësaj lufte për krizën e çmimeve. Ndërkohë Qeveria mbush arkën me 480 milionë euro më shumë për 9 mujorin nga rritja e çmimeve dhe taksat. Nëse do kemi parasysh investitorët strategjikë dhe emrat që përfitojnë tortën e tenderëve që kryhen çdo ditë duket se oligarkët po përkëdhelen me mbushje të xhepave me taksat dhe pasuritë e qytetarëve. Shumica dërrmuese e qytetarëve gdhihen çdo ditë e më të varfër, më të grabitur e të nëpërkëmbur. Qeveria po dëshmon dita-ditës jo vetëm kapjen nga oligarkët, por edhe inkompetencë kriminale në administrimin e krizës. Oligarkët përfitojnë miliona euro subvencione, kurse më të varfërit marrin thërrime. Sipas një studimi të AIS Albania, tre oligarkë të mëdhenj kanë përfituar 373 milionë euro nga paratë publike në pesë vitet e fundit deri në 2020, ose 245 kontrata shtetërore.

Qeveria do na japë 673 lekë në ditë

Buxheti për vitin e ardhshëm parashikon rreth 687 miliardë lekë shpenzime, ku pjesën dërrmuese e zënë shpenzimet korrente, dhe më pak se 20% ato kapitale, pra investimet. “Scan Intel” ka bërë një analizë ndryshe të këtyre shpenzimeve, për të kuptuar se sa para do të kanalizohen për frymë, dhe në ç`mënyrë. Shifrat sinjalizojnë se këto 687 miliardë lekë shpenzime për vitin e ardhshëm, përkthehen në rreth 246 mijë lekë për frymë në vit, ose 2094 euro, që është e barabartë me 174 euro në muaj, 673 lekë në ditë për frymë, ose 5.73 euro.

Pra, kaq është shuma që qeveria shqiptare parashikon të shpenzojë për secilin ndër ne gjatë vitit të ardhshëm. Por, si ndahet ky 673 lekë për frymë në ditë që qeveria do të shpenzojë për në vitin e ardhshëm? 554 lekë janë shpenzime korrente, pra paga, pensione, mbarëvajtja e administratës, interesat e borxhit, etj, dhe vetëm 119 lekë, ose 1 euro në ditë shpenzime kapitale, ose investime.

Po sa i përket sektorëve? Nga përpunimi dhe analiza e shifrave rezulton se pjesën më të madhe e zë mbrojtja sociale, me 195 lekë, ose 1.66 euro shpenzime për frymë në ditë, dhe që përfshin në pjesën dërrmuese pensionet e pleqërisë, ato të pjesshme, invaliditetin, asistencën. Ndjekin “shpenzimet e tjera”, me 159 lekë, ose 1.35 euro në ditë, ku klasifikohen shërbimet e borxhit, fondi i rindërtimit, fondi rezervë, politikat e pagave dhe pensioneve, si dhe shpenzimet për pushtetin vendor. Shëndetësia është në vend të tretë, me qeverinë që do të na “japë” 64 lekë, ose 0.55 euro në ditë gjatë vitit të ardhshëm. Më pas vijnë çështjet ekonomike, me 53 lekë në ditë, arsimi me 50 lekë, shërbimet e përgjithshme publike me 47 lekë në ditë, rendi dhe siguria, si dhe strehimi me 0.35 lekë secila, mbrojtja me 25 lekë në ditë, argëtimi me 5 lekë dhe mbrojtja e mjedisit me vetëm 1 lek në ditë.