Tirana mirëpriti Samitin e liderëve të procesit të Brdo-Brijunit

470
Sigal

Integrimi i plotë i vendeve të Bashkimit Perëndimor në BE është faktor për stabilitetin e përgjithshëm evropian. Orë pas ore me rrjedhën e ngjarjeve dhe qëndrimet e dyzuara. Deklarata e përbashkët: Jemi të frikësuar për vakumin që krijon BE në Ballkan

Tirana mirëpriti Takimin e Udhëheqësve shtetërorë të Procesit të Brdo-Brijunit, me përkujdesin e Presidentit të Shqipërisë

Integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është faktor për stabilitetin e përgjithshëm evropian

Në Tiranë përfundoi me suksese Samiti për Procesin e Brdo – Brijunit. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ftuan në në Samitin e Tiranës tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komshiç, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanoviç, si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini. Presidenti Meta tha pas takimit se diskutuan për krijimin e një hapësire tërheqëse për investime në rajon. Pjesëmarrësit vlerësuan marrëveshjen e Prespës si dhe theksuan zbatimin e gjithë marrëveshjeve të arritura nga palët, ndërsa u angazhuan për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Presidenti polak Andrzej Duda tha se diskutimet u përqendruan për qëndrueshmërinë në këtë pjesë të Evropës, e cila po përpiqet të anëtarësohet në BE. Sipas tij, stabiliteti do të sjellë zhdukjen e problemeve. Presidentja kroate Kitaroviç tha se kjo pjesë e Evropës duhet të tërheqë vëmendjen e BE-së. “Jam e shqetësuar me një progres të paarritur. Nuk mund të largohen problemet me një buton. Negociatat do të nisin me Maqedoninë dhe me Shqipërinë. Ne do të vazhdojmë të argumentojmë hapat që ato duhet të bëjnë në këtë rrugë” – tha zonja Kitaroviç. “Pas zgjedhjeve evropiane procesi zgjerimit nuk do të jetë më në krye të agjendës së punëve të Komisionit Evropian. – Presidenti slloven, Pahor, – Varet nga ne t’i marrim këto çështje të hapura dhe t’i bëjmë tërheqëse për BE. Pas zgjedhjes së Komisionit të ri është koha për Brukselit të shikojë procesin e zgjerimit ndaj Ballkanit në një mënyrë të re.

Presidenti Ilir Meta: Shqipëria faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon

Evropa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, që fillimisht krijojnë një solidaritet de facto”. Ky ishte prologu i deklaratës së Shumanit, që frymëzoi bashkëpunimin e mirëfilltë dhe krejtësisht të ri politik, për të pamundësuar një luftë tjetër në Evropë. Na duhet të pranojmë faktin se Bashkimi i sotëm Evropian është rritur, është zgjeruar, thelluar dhe forcuar me guxim, vendosmëri dhe palodhur. Në këtë kontekst, dua të theksoj dy mesazhe kyçe: Së pari, Vendet tona kanë ende shumë për të mësuar nga themeluesit dhe filozofia e këtij projekti historik, mbi çfarë mund të konsiderohen ide pioniere, nxitëse të një epoke të re të bashkëjetesës në rajonin tonë. Së dyti, padurimi i vendeve tona për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është tregues i qartë se ngrehina politike, ekonomike dhe shoqërore evropiane mbetet po aq strategjike për ne, sa ç’ka qenë edhe më parë. Në këtë kuadër, shpresoj që vendi im dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të çelin sa më parë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave pa vonesa të mëtejshme. Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur evropiane dhe euroatlantike. Në këtë drejtim, pesha dhe rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është e jashtëzakonshme, dhe si e tillë meriton të çmohet si një arritje e madhe. Procesi i Berlinit, që synon ndërlidhjen dhe pajtimin rajonal do të vazhdojë, dhe gjatë këtij viti do të organizohet në Poloni. E vlerësoj tej mase faktin që Samiti i Poznanit do t’i japë vëmendjen e merituar çështjeve të arsimit dhe rinisë, duke synuar mënjanimin e pengesave frustruese rajonale. Është po aq domethënës fakti që Gjermania dhe Franca, themeluese të Bashkimit Evropian, i kushtuan vëmendje të veçantë rajonit tonë në mes të fushatës politike për zgjedhjet evropiane. Urojmë që Samiti i Parisit t’i japë një dinamikë të re e konstruktive këtij procesi.. Ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit. Si çështje të fundit, dua të nënvizoj se si vende në proces anëtarësimi në Bashkimin Evropian, jemi zotuar për të respektuar parimet dhe vlerat e demokracisë liberale. U nënvizua angazhimi i përbashkët për të forcuar më tej dialogun dhe procesin e pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani nga palët. Të gjithë u angazhuam që të bashkëpunojmë më mirë e më ngushtë për të ruajtur dhe garantuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.

Presidenti Meta: Kosova dhe Serbia të përqendrohen për një marrëveshje të zbatueshme ligjërisht e detyrueshme

Unë do të nënvizoja rëndësinë që ne i kushtojmë të gjithë riangazhimit të Serbisë dhe Kosovës për të rinisur dhe për të vazhduar dialogun. Ne i kemi inkurajuar dhe i inkurajojmë të dy palët që me lehtësimin e Komisionit Evropian, të përqendrohen për të arritur një marrëveshje të zbatueshme ligjërisht e detyrueshme sa më parë te jetë e mundur. Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit.

Deklarata e përbashkët e Samitit në Tiranë: Të zgjidhen çështjet e hapura mes fqinjëve në Ballkan

Në përfundim të Samitit të Brdo-Brijunit i cili zhvilloi dje punimet në Tiranë, liderët pjesëmarrës kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës i bën thirrje Bashkimit Evropian të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike.

Deklarata

Kemi njohur dhe pranuar se përparimi i shënuar deri më tani, ka kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të paqes, sigurisë, stabilitetit, si dhe në rritjen e bashkëpunimit rajonal. Ne e mirëpritëm Marrëveshjen e fundit të Prespës dhe arritëm në përfundimin se një shembull i tillë i hap rrugën forcimit të lidhjeve evropiane dhe euroatlantike me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pranuam se ky moment pozitiv ka ngjallur optimizëm të ri sinergjik në rajon, duke mbajtur parasysh perspektivat e tij evropiane dhe euroatlantike, si objektiva kyçe strategjike. Do të përpiqemi në mënyrë aktive që të vazhdojmë dialogun dhe rritjen e besimit brenda rajonit që ne përfaqësojmë. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian të konsiderojë zgjerimin e tij në Ballkanin Perëndimor si një çështje me rëndësi gjeopolitike, duke pasur parasysh se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin evropian të vlerave është një faktor i rëndësishëm edhe për vetë stabilitetin e përgjithshëm evropian. Kjo nuk përjashton detyrimin e vendeve kandidate për të zbatuar standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj vendeve që kërkojnë anëtarësim të plotë në të. Ne besojmë se është reciprokisht e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, që standardet të respektohen dhe procesi i negociatave të bëhet më fleksibël si dhe më i shpejtë. Ne ritheksuam se shkëmbimi i ndërlidhjes brenda Ballkanit Perëndimor, si dhe midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me instrumente në rritje në transport, energji dhe në infrastrukturën digjitale, paraqet një interes strategjik për të gjithë si dhe një parakusht për rritjen ekonomike, konkurrencën dhe integrimin e plotë ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian gjithashtu. Ramë dakord mbi nevojën për të forcuar edhe më tej proceset e dialogut dhe pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin si dhe aderimin në të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, si dhe duke mbajtur parasysh ruajtjen e paqes, sigurisë dhe begatisë së brezave të tanishëm e të ardhshëm. Ne biem dakord që Sllovenia do të jetë mikpritësja e ardhshme e Takimit të Jashtëzakonshëm të Udhëheqësve të Procesit Brdo-Brijuni, në fund të këtij viti.

 

Presidentja e Kroacisë: Jemi të frikësuar për vakumin që po krijon BE-ja në Ballkan

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç tha se vendi i saj mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kolinda Grabar-Kitaroviç u shpreh e shqetësuar për vakumin që vetë BE-ja po krijon në Ballkan. Kolinda Grabar-Kitaroviç: Kroacia do të mbështesë hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dëshirojmë të shikojmë edhe Bosnjë Hercegovinën të bëhet sa më shpejt që të bëhet një vend kandidat. Dëshirojmë sa më shpejt liberalizimin e vizave për Kosovën. Ne jemi dhe mbështesim një proces të mbështetur mbi meritën dhe çdo vend duhet të ndjekë hapat e tyre të duhura në rrugën për anëtarësim në BE. Unë jam e frikësuar se situata që kemi tani, veçanërisht lidhur me përqendrimin e diskutimeve brenda vetë BE. Ne jemi duke krijuar një vakum të rrezikshëm për Evropën Juglindore.

 

Kryetari i PD-së Basha: Mogherini vjen në Tiranë për qokë, shqiptarët nuk i hanë gënjeshtrat

Kryetari i PD-së Basha sulmoi Federica Mogherinin për elozhet që bëri nga Tirana për reformat e qeverisë, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në krizë të thellë politike dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në qershor, kur kancelaria Merkel e bëri të qartë në Samitin e Berlinit, se nuk ka negociata para shtatorit. Basha: Edi Rama është pengesa kryesore për integrimin. Miqtë që vijnë për qokat e tjera para se t’u mbarojë mandati s’e ndihmojnë dot. Prej 6 vitesh na mbyllet dera e Evropës. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen, pak rëndësi ka në çfarë gjuhe e thotë gënjeshtrën. Shqiptarët janë të zgjuar, nuk i pranojnë, as nuk i hanë gënjeshtrat. Ka 6 vite që na mbyllet dera e Evropës dhe ne e dimë të gjithë se pse. Sepse në vend që ta luftojë krimin, qeveria lidhet me krimin dhe oligarkët që të kapë ekonominë.

 

Haradinaj flet pa doreza: Projekti Mogherini është rrezik për Kosovën. Ja njeriu i Putinit në Ballkan

Samiti i Berlinit është një ngjarje shumë e dobishme për Kosovën, e suksesshme sepse dialogu i është marrë zonjës Mogherini, tek e cila ka pasë rrezik Kosovës me i ardhë ndonjë propozim-marrëveshje e keqe. përfshirë edhe ndarje të vendit, tash është në përgjegjësi të Merkelit dhe Makronit. Dialogu është heqë prej adresës që ka mund me e befasu Kosovën me një marrëveshje të keqe. Kushdo që ka besuar se duke e ndarë Kosovën, arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi, e ka pas e ai projekt është përmbyllë. Marrja e dialogut prej Mogherinit te Merkeli që ka qëndrim të qartë kundër korrigjimit të kufijve, mund të jemi më të qetë. Duhet të jemi vigjilentë, sepse kuzhinat vazhdojnë me gatu, por duhet të jemi të qetë. Ndërkohë për pjesëmarrjen e Millorad Dodikut në Samitin e Brdo-Brijonit në Tiranë, Haradinaj thotë se ai nuk është kurrfarë figure që përfaqëson ndonjë vlerë, pos agjent i Putinit në Ballkan. ‘Dodik nuk është një figurë që përfaqëson vlera, as të bashkëjetesës. Ai është aleat i Putinit, dhe një prej figurave më të këqija. Ai është agjent i Putinit. Nuk dua të komentoj. Por Kosova e sheh atë si njeri të Putinit”, ka përfunduar kryeministri Ramush Haradinaj.