PS fiton zgjedhjet e vetme, suprizat e listës së deputetve

1141
PS fiton zgjedhjet, do të qeverisë e vetme me 73 mandate
Socialistët garantojnë shumicën në Kuvendin e ardhshëm. Humbet rëndë PD-ja, ndërsa LSI-ja shton votën popullore
Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, duke patur mundësinë të qeverisë edhe e vetme në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Me 73 mandate, socialistët do të zënë vend në Kuvendin e ardhshëm, që do të nisë punë në fillim të shtatorit. Rezultati i zgjedhjeve ka qenë dërrmues për demokratët e Lulzim Bashës, të cilët do të kënaqen me vetëm 43 deputetë. Sidoqoftë shifrat finale mbetet ende të konfirmohen, pasi janë numëruar rreth 90 % e kutive të votimit. Në rritje ka rezultuar në konsultimin zgjedhor të së dielës Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka shtuar ndjeshëm votën popullore, por për shkak të garimit pa koalicion është ndalur në 19 mandate. Gjithashtu, në Kuvendin e ardhshëm do të përfaqësohet edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me 4 deputetë. Nuk do të mungojë në sallën e Parlamentit as Tom Doshi, i cili nën siglën e socialdemokratëve, të drejtuar nga Skënder Gjinushi, ka marrë votat për të siguruar mandatin e deputetit.

Nga 12 qarqe të vendit, socialistët fituan shumicën në 10 qarqe. Demokratët mbizotërojnë vetëm në Kukës e Shkodër, dy zona të veriut dhe me një numër jo të lartë deputetësh. Për më tepër gara në Shkodër ka qenë e vështirë për Partinë Demokratike, e cila siguroi mandatin e pestë me një diferencë fare të vogël votash ndaj socialistëve që fituan 4 deputetë. Partia e Edi Ramës ka regjistruar një fitore të thellë në Tiranë, duke marrë gjysmat e 34 mandateve të disponueshëm. Rezultate shumë pozitive për socialistët kanë dhënë edhe Fieri, Vlora, Korça, Elbasani e Durrësi, ku diferenca me rivalët ishte mjaft e ndjeshme. Ndërkohë barazim mes PS-së e PD-së është regjistruar në Lezhë e Dibër, ndërsa demokratët janë kaluar nga LSI-ja në qarkun e Beratit. Një rezultat i papritur është regjistruar në Elbasan, ku Partia për Drejtësi, Integrim e Unitet ka arritur të marrë dy mandate, duke dalë forcë e tretë politike. Gjithashtu, partia e Shpëtim Idrizit ka fituar mandate edhe në Tiranë e Dibër, duke arritur të dërgojë 4 deputetë në Kuvendin e ri. Në sallën e Kuvendit do të jetë sërish Tom Doshi, i zgjedhur më parë nën siglën e Partisë Socialiste. Prej shtatorit, Doshi do të përfaqësojë PSD-në, pasi mori në qarkun e Shkodrës rreth 10 mijë vota, duke garantuar edhe i vetëm fitoren. 

Jashtë Kuvendit do të mbeten Ben Blushi dhe Gjergj Bojaxhi. LIBRA e Blushit ka arritur të mbledhë në të gjithë vendin mbi 16 mijë vota, por nuk ka arritur të fitojë në Tiranë një mandat, pasi rreth 7 mijë votat rezultuan të pamjaftueshme. Gjithashtu, Sfida e Gjergj Bojaxhiut nuk do të përfaqësohet në Parlament, ndërsa rezultati i tyre ishte minimal, me rreth 2500 vota në të 12 qarqet. 

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi do të nisë punë më 9 shtator, ditë kur mbaron edhe mandati i Kuvendit aktual. Megjithatë Kuvendit aktual do t’i duhet të mblidhet edhe një herë, pasi më 24 korrik, Ilir Meta do të bëjë betimin si President i Republikës. Më pas në shtator, Edi Rama do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, të cilën socialistët mund ta udhëheqin të vetëm, pa patur nevojë për ndihmën e të tjerëve. Zgjedhjet e 25 qershorit u dalluan për pjesëmarrjen e ulët në votime. Vetëm 46 % e 3,4 milionë zgjedhësve iu drejtuan kutive të votimit, duke regjistruar shkallën më të lartë të mospjesëmarrje në zgjedhje. 
Surpriza Blushi, merr 16 mijë vota
Ben Blushi dhe partia e tij LIBRA kanë marrë rreth 16 mijë vota në zgjedhjet e së dielës, por pa mundur të përfaqësohen në Kuvend. Në qarkun e Tiranës, ku edhe pretendimet e Blushit ishin më të mëdha, LIBRA siguroi rreth 7 mijë vota, që ishin larg kufirit për të fituar një mandat deputeti. Në këtë mënyrë, ish-deputeti socialist do t’i mungojë Kuvendit të ardhshëm me fjalimet dhe replikat e tij me kryeministrin Edi Rama.
 
Vota e pavlefshme thyen rekordin
Rreth 27 mijë vota të pavlefshme janë regjistruar në zgjedhjet e 25 qershorit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke thyer rekordin e zgjedhjeve të vitit 2013. Katër vjet më parë ishin rreth 24 mijë fletë votimi të pavlefshme, ndërsa këtë vit ka patur një shtim të tyre, ndonëse fleta e votimit kishte më pak subjekte zgjedhore dhe mënyra e votimit ishte më e thjeshtë. Për të votuar kundër, pra për t’i vendosur një kryq fletës së votimit, u bë thirrje nga Aleanca Popullore, një ish-parti aleate me socialistët në zgjedhje e shkuara. Sipas Aleancës Popullore, 25 qershori nuk mund të jetë momenti i ndërtimit të një Kuvendi që duan shqiptarët, por pika e ngjizjes së një pazari politik, që duhet refuzuar, për sa kohë buron nga korrupsioni, varfëria, droga e krimi.
Berati
Rezultoi një qark i dominuar nga socialistët, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim është renditur në vendin e dytë. PS ka marrë 4 mandate, ndërsa LSI 2 mandate. Me vetëm një deputet nga qarku i Beratit do të përfaqësohet Partia Demokratike. Do të jetë vetëm udhëheqësi i listës Eduard Halimi, i cili do të udhëtojë drejt Tiranës me mandat. 

Durrësi
Socialistët e dominuan edhe qarkun e Durrësit, duke arritur të sigurojnë 8 mandate deputetësh. Demokratët u ndalën në 4 mandate të fituara, duke mos i krijuar mundësinë as Agron Dukës t’i ndjekë drejt Kuvendit. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte fituese e 2 mandateve. Për herë të parë nga qarku i Durrësit u zgjodhën 14 deputetë për në Kuvend. 

Dibra
Dibra ishte qarku i barazimit mes socialistëve dhe demokratëve, duke marrë secila parti nga 2 mandate, ndërsa krijoi barazi edhe mes LSI-së dhe PDIU-së me nga 1 mandat. Në numër votash, socialistët janë shpallur fitues edhe në Dibër, por diferenca me demokratët ka qenë e pamjaftueshme për të prodhuar një mandat shtesë dhe për të prishur baralancën. 

Elbasani
Partia Socialiste ka qenë fituese dhe dominuese e zgjedhjeve në këtë qark, duke siguruar gjysmën e mandateve të disponueshëm. Me 7 deputetë, PS është mjaft e shkëputur me PD-në, e cila mori vetëm 3 mandate. Ndërkohë rivaliteti mes LSI-së dhe PDIU-së ka “prodhuar” nga 2 deputetë për secilën parti, ndonëse partia e Idrizit ka fituar më shumë vota popullore. 
Sigal