Tetë anëtarët e Kushtetueses marrin në dorë opinionin e Venecias për ligjin e Vettingut

374
Sigal

Tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ditën e sotme kanë marrë në dorë opinionin e Venecias për ligjin e vettingut. Gjatë mbledhjes së sotme është vendosur që ditën e enjte tetë anëtarët do të diskutojnë opinionin e Venecias dhe do të vendosin për Vettingun.

Pas marrjes së vendimit, Gjykata do të bëjë edhe shpalljen, për të mësuar më pas sesi do të vijohet me ligjin e Vettingut.

Opinioni i Venecias është protokolluar dhe është përkthyer në rrugë zyrtare, ndërkohë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, janë njohur edhe më herët me qëndrimin e ‘Venecias’ në një version paraprak të përkthyer.

Përgjigjja e ‘Venecias’ u dërgua në rrugë elektronike menjëherë sapo kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja pohoi se materiali ishte kërkuar zyrtarisht dhe se pas disa komunikimeve ishte marrë një përgjigje se kishte një problem teknik.

Aktualisht, ligji i vettingut është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese derisa të ketë një vendim përfundimtar, ndërkohë që në opinionin e Komisionit të Venecias, dispozitat e këtij ligji nuk shfaqin probleme dhe nuk bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Komisioni i Venecias konfirmoi zyrtarisht qëndrimin e tij në favor të ligjit të vettingut për sa u përket pyetjeve që Gjykata Kushtetuese i adresoi më 30 nëntor.