Dosja e Xhaçkës/ Harrohet në syrtarë mbi 1 viti. Nikolla sorollat heqjen e mandatit të Otës që firmosi për resortet e burrit në Dhërmi

18
Sigal

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla refuzoi të martën përmes një letre kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve për të vendosur mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.Bardhi kërkoi të hënën mbledhjen e Konferencës për të vendosur futjen për votim në seancën më të afërt të mocionit të opozitës për interpretimin e mandatit të deputetes socialiste dhe dërgimin e tij në Gjykatë Kushtetuese.

Në përgjigjen e saj, Nikolla pretendon se kjo çështje nuk është kompetencë e Konferencës së Kryetarëve, por e organeve të tjera të Kuvendit, përkatësisht e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

“Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes,” thuhet në letrën e Nikollës.

Kjo përgjigje duket se është vetëm një nga mekanizmat e shumtë që mazhoranca ka përdorur prej më shumë se një viti për të zvarritur pa afat zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili detyron Kuvendin të dërgojë në këtë gjykatë për interpretim mandatin e Xhaçkës, sipas kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës.

Mandati i Xhaçkës u kthye në objekt diskutimi pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi përfitoi statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një hotel në Dhërmi ndërsa një vendim qeverie i dha atij të drejtën që të përdorte brigjet e detit përballë hotelit.

Opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe në janar 2023, kjo gjykatë rrëzoi si antikushtetues një vendim të Kuvendit për të mos e dërguar çështjen Xhaçka në Kushtetuese – por zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej më shumë se një viti. Procedura parlamentare për zbatimin e këtij vendimi ka ngecur prej muajsh në zyrën e Nikollës, por ajo e ka justifikuar mosveprimin e saj me arsye të ndryshme, që nga axhenda e ngjeshur deri tek mungesa e normalitetit në Kuvend.

Ligjërisht, Këshilli i Mandateve kryesohet nga Kryetari i Kuvendit dhe shqyrton rastet e pazgjedhshmërisë, sipas nenit 69 të Kushtetutës, si dhe bën verifikimin e mandatit të deputetit.