Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj debatit të ditëve të fundit të zhvilluar në Greqi dhe Shqipëri mbi tesktet shkollore. Në një deklaratë nga PDIU, i bëhet thirrje qeverisë shqiptare që të mos marrë në konsideratë pretendimet e palës greke.
“Nuk ka asnjë komision që mund të ndryshojë historinë mijëravjeçare të kombit tonë, pjesë e pandashme e së cilës është Çamëria, Kosova e çdo trevë tjetër kombëtare.
Nëse të dyja palët do të ngrenë komision të përbashkë, PDIU dhe Shoqata “Çamëria” do të ushtrojë trysninë e nevojshme që debati të përqendrohet në nevojën e shkrimit të historisë së Çamërisë edhe në tekstet shkollore greke, si një e vërtetë dhe realitet i pamohueshëm historic”, theksohet në deklaratën e PDIU.
Sipas partisë çame deklaratat e deputetëve grek, bëhen për të larguar vëmendjen nga situate politike në vend. PDIU thekson se Filati, Paramithia, Gumenica, Margëlliçi, Parga, Preveza dhe akoma edhe Janina, edhe pse sot janë pjesë e shtetit grek, përbëjnë një pasuri historike, kulturore dhe aktuale të shqiptarëve në rajon.
“Heqja e këtyre emërtimeve, apo akoma më shumë i emërtimit Çamëri, nga pasaportat, apo aq më keq dokumente shtetërore, tekste historike është e papranueshme dhe do të gjejë përballë kundërshtinë e çdo shqiptari, që ndjen në dejet e tij përkatësinë në kombin tonë të përbashkët”, theksohet në deklaratën e PDIU