Petraq BARJAMI
Miraka: Jemi të shokuar. PD: Kryeministri të shkarkojë kryebashkiakun e Tepelenës
75 vjet më parë, Ushtria Partizane e udhëhequr nga PKSH dhe Komandanti i saj Enver Hoxha çliruan qytetin e Tepelenës nga fashistët dhe nazistët. Ishte LANÇ që e renditi Shqipërinë në anëtare të Bllokut të Aleatëve Fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore. Banorët e Tepelenës festuan me krenari 75 vjetorin e çlirimit të qytetit. Bashkia e Tepelenës ka shtruar një darkë festive, ku morën pjesë qytetarë të Tepelenës, veteranë, grupi i famshëm i këngës labe të Bënçës, por edhe kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi.
Tërmet Peçi këngë për Enver Hoxhën, përshëndet me grusht
Në atë mbrëmje, në një video shfaqet kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi duke kënduar këngë për Enver Hoxhën. Në pamjet në fjalë shihet se si Peçi shoqëron me zë Golikun e famshëm të Bënçës, ku në këngë i thuren lavde Enver Hoxhës, si Komandanti i Ushtrisë Partizane, që udhëhoqi LANÇ-in. Në pamjet në fjalë shihet se si Tërmet Peçi shoqëron me zë Golikun e famshëm të Bënçës, teksa këndojnë këngë për Hoxhën. Gjithçka duket se ka ndodhur mbrëmë në darkën zyrtare të shtruar nga Bashkia e Tepelenës me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të qytetit. “Komandanti legjendar, Enver Hoxha” është refreni që përsëritet në këngë, ndërsa Peçi jo vetëm këndon, por përshëndet edhe me grusht, simbol ky i komunistëve. Teksti i këngës:“Enver Hoxha kapedan, bëre Shqipërinë vigan/ Djem e vajza si luanë/ Enver Hoxha kapedan. Komandanti legjendar/ Enver Hoxha kapedan/ Bëre një Shqipëri vigan/ Enver Hoxha kapedan” .
Simon Miraka, ish-i përndjekuri: Është fyerje për ish-të përndjekurit
Simon Miraka, ish-i përndjekur. “Të them të drejtën jam shokuar, sepse nuk pritet që mbas 28 vitesh demokraci t’i këndohet diktatorit, kur dihet se çfarë ka bërë ai. Është një fyerje, jo vetëm për ish-të përndjekurit, por për të gjithë. Ti këndosh diktatorit tregon se ne nuk kemi ndërgjegje. Ne kemi sadisfakison kur shohim një palë që vuan. Por përderisa nuk kemi një ligj që të ndalojë simbolet e komunizmit ligjërisht nuk ke si e dënon. Ndërgjegjja nuk ekziston dhe nuk mund t’i thuash gjë atij që këndon këngët e Enverit. Shkarkimi bëhet kur shkelet ligji. Nëse ka një ligj që ndalon simbolet komuniste, atëherë ai shkarkohet me ligj. Mesa di unë një ligj të tillë nuk ka- tha Simon Miraka.
Tritan Shehu, si student në krah të Enver Hoxhës, sot deputet e quan “diktator”
Deputeti i Qarkut të Gjirokastrës Tritan Shehu, dikur, kur ishte student, ka dalë fotografi në krah të Enver Hoxhës, ndërsa sot si deputet i kërkon kryeministrit Rama të shkarkojë kryebashkiakun e Tepelenës, sepse i ka kënduar këngë Enver Hoxhës në ceremoninë festive të 75-vjetorit të çlirimit të Tepelenës. Enver Hoxha udhëhoqi LANÇ-in, e cila çliroi 75 vjet më parë Tepelenën nga nazistët, ndërsa paralelizmi i deputetit Shehu midis Enver Hoxhës dhe Hitlerit, mbase nuk qëndron, sepse Hitleri shkaktoi Luftën e Dytë Botërore, ndërsa Enver Hoxha me LANÇ e renditi Shqipërinë si anëtare krahas Aleatëve Fitimtarë të Luftës kundër Fashizmit dhe Nazizmit.
Deputeti Shehu: Ftesa më erdhi me vonesë
Deputeti i PD-së Tritan Shehu pohon se ftesa për të marrë pjesë në festimet e 75-vjetorit të çlirimit të Tepelenës “ …ftesën e mora në më pak se 24 orë nga festimi, në një kohë që unë kisha parashikuar që do të shoqëroja zotin Basha në Maqedoni. Ishte një festë e dërguar thjesht sa për të larë gojën dhe aspak në përputhje me etikën që kryetari i bashkisë duhet të njoftojë me kohë deputetin. I uroj popullit të Tepelenës Ditën e çlirimit!
Tritan Shehu: Kryeministri të shkarkojë menjëherë Tërmet Peçin
Deputeti Tritan Shehu “I kërkoj Kryeministrit, si deputeti Qarkut, të shkarkojë menjëherë Kryetarin e Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi. Gjithashtu Prokuroria duhet të veprojë ndaj tij për shkelje të ligjit. I bëj thirrje opinionit publik, mediave, shoqatave të ish-të përndjekurve politikë të reagojnë me forcë ndaj këtij skandali e turpi të vërtetë! Tërmeti i “bëmave të mëdha”, në darkën zyrtare të shtruar nga Bashkia e Tepelenës me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të saj, i turr lavde e këndon për diktatorin Hoxha, gjë që më tej e publikon. Një sfidë e vërtetë kjo ndaj ligjit, demokracisë, një ofendim ky për proceset tona demokratike, një arrogancë e pa kufi ndaj ish të persekutuarëve, ndaj gjithë këtij populli, që e pagoi shumë shtrenjtë atë diktaturë të egër. Një përbaltje kjo edhe e të gjithë atyre, që ranë apo luftuan fashizmin e nazizmin, për një Shqipëri të lirë, demokratike, të begatë, pavarësisht nga mënyra se si ata e perceptonin këtë në vitet e asaj lufte epokale. Ishte ai diktator e ajo diktaturë, që tradhtoi e shkeli edhe mbi gjakun e sakrificat e tyre, qoftë edhe të popullit atdhetar e liridashës të Tepelenës, që njohu gjatë saj veçse vuajtjet, persekutimet, varfërinë. Çdo të ndodhte në Gjermani, apo Itali, sikur një Kryetar Bashkie t’i thurte lavde në një ceremoni zyrtare Hitlerit, apo Musolinit!? A mund të më përgjigjeni për këtë ju Z. Kryeministër?”, – shkruan Tritan Shehu.
Tërmet Peçi reagon ndaj PD-së: Kënga ishte për 75-vjetorin e çlirimit të Tepelenës
Kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi ka reaguar ndaj kërkesës së PD-së, që kërkon shkarkimin e tij. “Gjithçka ishte në kuadër të festimeve. Nuk kishte asgjë tjetër. Sa për reagimin e deputetit të PD-së, për këtë qark, Tritan Shehut, do e pyes, pse nuk erdhi dje në aktivitet, po merret me këto histori? Po le të më heqin, ça të them unë. S’do merrem me këto histori”, tha kryebashkiaku Peçi.