Topalli në Kuvend: Nuk jam opozitë konstruktive, të përmbysim regjimin e kalbësirave

438
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli duke folur për situatën e krijuar në vend, problematikën sociale e ekonomike, sigurinë dhe rendin ka deklaruar se nuk mund të jetë opozitare konstruktive dhe konformiste përballë siç u shpreh ajo “kalbësirës së sistemit”.
Topalli bëri një panoramë të gjendjes në vend, duke deklaruar se qytetarët shqiptarë janë të depresuar, për shkak të papunësisë, mbylljes së bizneseve dhe mungesës së investimeve.
“Çdo javë rregullisht vidhen minimalisht 2 ose 3 banka, çdo ditë vriten 2-3 apo 4 persona. Çdo natë grabiten biznese dhe shtëpi. Sepse janë të depresuar, sepse papunësia është e frikshme, sepse bizneset mbyllen sepse s’ka investime. 300 mijë vende pune do ti nënshtrohen kontratat së harresës. Pse 68% e të rinjve duan të lënë vendin? Ata nuk flirtojnë me dramën, prandaj duan të ikin. Korrupsioni mbetet pengesa kryesore e përparimit në këtë rajon, shkruajnë gazetat gjermane. Tendencat e qeverive autoritare janë forcuar kudo në rajon, përfshi Shqipërinë. Drejtësia është kërcënuar, mediat gjithmonë e më shumë janë nën kontroll. Kancelarja do të bëjë diçka kundër tendencës së qeverisjes auto-totalitariste. Një popull që zgjedh politikanë të korruptuar, nuk është viktimë por bashkëpunëtor, shkruante Sartri. Por kur ai nuk zgjedh por shet? Unë përgjigjen nuk e di”, tha Topalli.
Ajo theksoi se nuk do të rri të presë dhe nuk do të jetë konformiste duke bërë opozitë konstruktive, por bëri thirrje për “përmbysje të regjimit të kalbësirave”.
“Unë nuk kam ndërmend të rri edhe të pres. Nuk e kuptoj si mund të jesh dakord dhe të përshtatesh me atë që të vret çdo mundësi. Të kesh dyfytyrë nuk është triumf. Nuk jam pajtuar me ata që nuk heqin dorë nga fortesa e konformizmit. Nuk rri të bëj opozitë konstruktive. Nuk jam opozitare konstruktive kur shoh këtë kalbësirë sistemi. Di edhe rrugën që gjërat duhet të marrin. Nuk jam revolucionare, por luftarake po. E di që ka vetëm një rrugë, përmbysje të regjimit të kalbësirave”, tha ajo.
Deputetja e PD-së e krahasoi situatën sot me 91-shin, duke u shprehur se nuk quhet liri, liria për të zgjedhur mes dëshpërimit dhe vuajtjes dhe i bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen për të përmbysur qeverisjen.
“Në disa aspekte më duket si në 91-shin. Në disa plane të tjera më duket se ka një shartim me mafie. Koha nuk ndalet, por orën e kalbësirës mund ta ndalim. Nuk quhet liri, liria për të zgjedhur midis dëshpërimit dhe vuajtjes. Dikush mund ti pëlqejë që shqiptarët ti shohë si lepuj, ti fusë në një kafaz dhe pastaj të shohin reagimet e tyre. Shqiptarët janë luanë. Ka ardhur koha që ata të ngrihen si luanë për të përmbysur sistemin e kalbur të korrupsionit”, deklaroi Topalli.
Sigal