“Tërmet” në Kosovë, shkarkohen krerët e sigurisë

668
Pas deportimit në Turqi të mbështetësve të Gylenit, largohen ministri i Brendshëm dhe shefi i shërbimit sekret
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi dje ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, pas arrestimit dhe deportimit dy ditë më parë të gjashtë shtetasve turq, që kërkoheshin nga Ankaraja për lidhje me klerikun Fetullah Gylen. Kryeministri Haradinaj tha se nuk ishte i informuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit dhe për këtë arsye “liron nga detyra të dy zyrtarët”. Në vendimet e shkarkimit shkruhet se “operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e Kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij!” Autoritetet në Kosovë arrestuan pesë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor “Gylistan”, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Rexhep Taip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, si dhe një mjek turk në Kosovë. Ata u deportuan menjëherë në Turqi në një operacion të përbashkët të shërbimeve të zbulimit të të dyja vendeve. Ministria e Punëve të Brendshme ë Kosovë tha se u kishte revokuar lejet e qëndrimit shtetasve turq, “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”. Tërë operacioni u përcoll me paqartësi dhe informacione të pakta, ndërsa krerët e shtetit thanë se nuk kishin pasur dijeni.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fetullah Gylenit, klerikut që akuzohet se qëndronte pas grushtit të shtetit të korrikut të vitit të kaluar. Kleriku Gylen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETO drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin Perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi. Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gylenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke. Vëzhguesit thonë se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ka shtrirje në mjedisit posaçërisht të banuara me myslimanë, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina. Një shqetësim të tillë vazhdimisht e kanë shprehur edhe ekspertë ndërkombëtarë të cilët thonë se Turqia përmes investimeve po provon që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë.
Erdogan: Do t’i ndjekim kudo përkrahësit e Gylenit
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, tha dje se vendi i tij do të vazhdojë ndjekjen e mbështetësve të Fetullah Gylenit, duke konfirmuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova. “Së fundmi, agjencia jonë kombëtare e zbulimit, solli gjashtë përfaqësues të lartë të FETO-s nga Ballkani në bashkëpunim me agjencinë e zbulimit të Kosovës, dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu, kudo që të jenë”, tha ai gjatë një tubimi në Ankara.
Sigal