Tenderi 400 mijë USD/ SPAK nis hetimet ndaj kreut të FSHZH, Dritan Agolli për abuzim me fondet publike dhe korrupsion

 

Disa ditë më parë “Telegraf”  ka qenë ndër të parat media që ka denoncuar publikisht skandalin në lidhje me një tender me vlerë 400 mijë dollarë  e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pas kësaj SPAK ka vënë nën hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Ky reflektim i menjëhershëm i SPAK është një ogur, që  tregon se askush nuk mund të shpëtojë darës së drejtësisë , për ato që abuzojnë me fondet e publike dhe përfshihen në afera korrupsioni dhe shpërdorojnë detyrën.

NOA

Mësohet se, ky favor është bërë pasi palët njiheshin, duke qenë se Rrotani punonte me djalin e kreut të FSHZH, Flladi Agolli në restorantin e tij. Tashmë Dritan Agolli po hetohet nga organi më i lartë i akuzës SPAK, për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Kujtojmë se, më 27 janar të 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i lakmuar për tendera të shumtë, paga të larta e klientelizëm, shpalli fituese të tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menynë e ”100 Fshatrave”, pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale, kompaninë “Mascarpone”, bashkë me personin fizik Endrit Maci. Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese. Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.

Ndërkohë administratori dhe aksioneri kryesor i kompanisë fituese ‘Mascarpone’ rezulton kuzhinieri i njohur Alfio Rrotani, me 55 % të aksioneve, ndërsa bashkëpronarët e tjerë janë Senad Perfati, Blenardo Rrushi dhe Eljona Sulovari.