Të gjitha problematikat në Raport Progresin e KE-së burojnë për shkak të Edi Ramës

481
Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në televizionin “Faxnews”]
Znj. Kryemadhi a e konsideroni një lajm të mirë çeljen e negociatave me Shqipërinë?
E para dua t’ju korrigjoj. Nuk janë çelur negociatat. Është dhënë një rekomandim për herë të dytë nga Komisioni Evropian drejt vendeve anëtare për të hapur negociatat, gjë që është e domosdoshme për Shqipërinë. Janë dhënë në nëntor të 2016-s, dhe tashmë rekomandohet përsëri me një material prej 37 faqesh. Sigurisht që ky është një lajm shumë i mirë për ne, edhe pse është gjysma e punës. Por ajo çka ne mendojmë që është shumë e rëndësishme, kjo nuk duhet të krijojë asnjë lloj vetëkënaqësie, por duhet të na japë një lloj përgjegjësie për të filluar, për të reflektuar dhe për të zbatuar detyrimet që janë në këtë raport. 

A mendoni se ky raport paraqet realisht atë se çfarë ndodh në Shqipëri? 
Ajo çka dua të them është, që ky raport duhet lexuar me shumë vëmendje nga qeveria sesa nga opozita, sepse raporti i paraqitur sot nuk ka lidhje, nuk ka asnjë vështirësi për opozitën. Të gjitha detyrat që janë lënë janë për qeverinë, e cila duhet t’i realizojë ajo me përpikërinë më të madhe.

Znj. Kryemadhi, i përgjigjeni pozitivisht ftesës së Kryeministrit për të punuar në kuadër kuqezi?
Reforma në administratën publike ne jemi koshient se si 30% e administratës publike është shkarkuar pa asnjë motivacion. Sistemi i drejtësisë ka një nivel uljeje të përgatitjes. Arritje nuk mund të quhet, dorëheqja e gjyqtarëve dhe e prokurorëve. Lufta kundër korrupsionit ka një nivel të ulët përgatitjeje. Nuk ka asnjë ndëshkim të ‘peshqve të mëdhenj’ dhe korrupsioni është pjesë e shumë sektorëve dhe vazhdon të mbetet problemi më serioz. Dhe këtu nuk flitet për koncesionet. Pra, është lënë pjesa e koncesioneve që është edhe më problematike. Raporti thotë që lufta kundër krimit të organizuar ka një nivel të ulët përgatitjeje. Vendi ka nevojë për rezultate operacionale dhe për të kryer konfiskimin e aseteve të grupeve kriminale si dhe pastrimin e parave. Shumë pak progres është shënuar në kapjen e kokave të krimit apo në shpërbërjen e grupeve kriminale. Mekanizmi i mbrojtës së të drejtave të njeriut duhet të forcohet. Mungesa e lirisë së fjalës mbetet një problem. Ajo që ne diskutojmë ka të bëjë me blerjen e mediave. Transparenca e reklamave është një problem serioz. Ende pritet progres për të drejtën e pronës, duke adoptuar ligjet apo që të vihen në funksion të koordinimit të punës së institucioneve. Mekanizmat institucionale për mbrojtjen e fëmijëve dhe balancat gjinore janë tepër të dobëta. Por ajo çfarë dua të them, është që i pari që duhet të marrë pjesë në ekipin për anëtarësimin e Shqipërisë duhet të jetë Edi Rama. Ai duhet të veshë bluzën kuqezi, sepse të gjithë shqiptarët e kanë veshur fanellën kombëtare dhe i vetmi njeri që nuk e ka veshur këtë fanellë është Edi Rama. Po t’i përmbledhim të gjitha kushtet e BE ne mund t’i fusim në një faj që mund ta quajmë Edi Rama. Sepse Shqipërinë me kanabis nuk e ka mbjellë as opozita dhe as LSI, koncesionet nuk i ka bërë as LSI dhe as opozita. LSI ia ka dhënë votat dhe për 7 që kishin të bënin qoftë për ligjin e prokurorit etj. Edhe kur ka qenë dëshira për të dhënë një konsensus për të ndryshuar disa vendime, apo disa amendamente në ligjet kushtetues, apo dhe në Kushtetutë, për të zhbllokuar ngërçin që ka sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë, apo dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, PS pra mazhoranca ka qenë refraktare ndaj këtyre propozimeve për të gjetur një lloj kompromisi. 

Znj. Kryemadhi Çfarë do bëni ju si opozitë në aspektin politik, që vendimi të merret në qershor nga Këshilli dhe nga vendet anëtare?
Në fakt, grupet skeptike do të shuheshin në momentin që do të ikte Edi Rama si Kryeministër. Sepse të gjitha problematikat që janë ngritur në raport janë problematika që burojnë për shkak të Edi Ramës. Sigurisht që dhe ne, qoftë dhe kur kemi qenë pjesë e qeverisjes me PS, apo PD edhe ne kemi kusuret tona. Por janë shumë të vogla me ato çka listohen në progres-raport. Megjithatë unë nuk dua të shoh në këtë drejtim. Ne si LSI nuk kemi reshtur së kërkuari hapjen e negociatave, për të lobuar. Sepse hapja e negociatave është një shans dhe një mundësi për shqiptarët. 

A do të hiqni dorë nga protestat? 
Nuk po flas më tutje për destabilitetin që ka përfshirë, jo vetëm Evropën, por edhe më tutje, prandaj ajo që mendoj unë se është e rëndësishme tani, është që personi që duhet të reflektojë menjëherë që pas fjalëve të zonjës Mogherini, është vetë Edi Rama. Kërkesat dhe llogaritë janë ndaj tij, jo ndaj opozitës. 
A besoni realisht se në qershor Shqipërisë do t’i jepet përfundimisht drita jeshile për çeljen e negociatave nga 28 vendet anëtare? 
Sipas meje, është një betejë e vështirë. Unë besoj dhe do t’i lutem zotit që në qershor të hapen negociatat. E di që është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë. 
Sigal