Taulant Dedja: Kryemëkatari Fatos Nano e solli Ramën jo se i duhej një rebel, por se mori urdhër nga Athina

1953
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Populli dhe shteti duhen shpëtuar përfundimisht nga e keqja dhe sot e keqja më e madhe dhe rreziku kombëtar për Shqipërinë ka vetëm dhe vetëm një emër: Edvin Kristaq Rama!Kush është Taulant Dedja (M.B.A. Francë, M.P.A. Kanada)

– Anëtar i KPD të FRESSH
– Anëtar i KPD të PSSH
– Kryetar i Komisionit për Pushtetin Lokal pranë PS
– Anëtar i KQZ; Drejtor i Përgjithshëm i Pushtetit Lokal
– Përfaqësues i Plotfuqishëm i Qeverisë në Qarkun e Kukësit për krizën e Kosovës
– Zëvendësministër i Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit
– Prefekt i Tiranës; Kryetar i Task Force për Decentralizimin
– 4 vjet anëtar i Komitetit Ndërqeveritar për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës
– Dy mandate deputet i qytetit të Elbasanit
– 8 vjet anëtar i Komisionit të Ligjeve në Parlament
– 8 vjet anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës

Ja intervista e plotë dhënë për Telegraf.al: 

 

Taulant Dedja, ish deputet i PS-së  në 2 mandate edhe në qeverisjen e Fatos Nanos, në një intervistë ekskluvizve  për gazetën “Telegraf” duke skanuar intervistën e fundit të pardjeshme të Fatos Nanos, shprehet se “Nano u kthye në origjinë, te Blloku, te Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, atje ku u projektua sjellja e tij në drejtimin e PPSH në periudhën kur ajo ishte kthyer në kufomë”.

Z. Dedja, ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano në një intervistë pohoi se është penduar, që si kryeministër përqëndroi shumë pushtet, ndërkohë që Edi Rama si kryeministër e ka deleguar pushtetin.  A ka vërtetësi kjo, që kryeministri Rama nuk ka përqëndruar pushtet në duart e tij, sikurse Nano kryeministër?

Tashmë jam shprehur publikisht për intervistën e ish-kryetarit të PS dhe ish-kryeministrit, ku mbi gjithçka mungoi sinqeriteti dhe mbizotëroi teatraliteti. Sipas meje e përsëris, Nano u kthye në origjinë, te Blloku, te Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, atje ku u projektua sjellja e tij në drejtimin e PPSH në periudhën kur ajo ishte kthyer në kufomë dhe duhej ringjallur në një formë tjetër. Por gjithsesi analiza e historisë së PS, një parti konglomerat, që sipas meje është shpërndarë qysh në vitin 2007, nuk i takon kësaj interviste. Në projektet e mia të ardhshme publicistike, një hapësirë do t’i rezervohet historisë së asaj që nga 12 Qershori 1991 u emërtua Partia Socialiste dhe që sot, pavarësisht se ka të njëjtin emër, de facto është “Rilindja” e PPSH, në krye të së cilës është një nip i Bllokut dhe djalë i dikujt që ka firmosur të varen poetë dhe që pretendon se familja e tij ka qenë kurdoherë në anën e drejtë të historisë. Duke qenë se Nano u deklarua si kalkulues, që arriti deri diku “të përdorë” një brez të rinjsh, sigurisht dhe “liberalizmi” tij ka qenë pjesë e këtij kalkulimi. Të rinjtë i duheshin për imazh PS, sepse ishte trashëgimtarja e PPSH në fillimet e saj. Nga ajo që dëgjova dhe nga ato që kujtoj nga vitet e mia në PS, nuk më duket se Nano ishte dikush që përqëndronte shumë pushtet në duart e tij. Në të kundërt, është Rama ai që kontrollon sot çdo gjë. Distanca, pasi kanë kaluar shumë vite, më ndihmon të jem më gjakftohtë në arsyetim dhe analiza. Unë mendoj që Nano edhe atë që e ai e quan sot mungesë apo kontroll të dëshirës për hakmarrje, e ka pjesë të kalkulimit. Normale fare. “Dhelpra” politike apo “kafshë” politike, siç u shpreh ai ka në gjithë botën. Madje, që nga koha e Aristotelit, që është autori i shprehjes “njeriu është një kafshë politike”. Dihet që, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, që të mbijetosh në politikë duhet të jesh “dhelpër”.  Për të vazhduar me thelbin e përgjigjes ndaj pyetjes, mund të them që Nano në qeverisje dhe drejtim ishte pa dyshim më liberal se Rama (të dy ngjajnë si dy pika uji në faktin që ndërtojnë vetëm “miqësi” konjiukturale), por Nano e delegoi pushtetin për dy arsye. Nga njera anë, se ishte dembel dhe neglizhent, nga ana tjetër se nuk mund ta kontrollonte PS-në si zot i gjithpushtetshëm, sepse në drejtimin e saj kishte shumë personalitete me individualitet dhe profil të lartë politik dhe profesional. Por mos harroni, edhe faktorin FRESSH, që nxorri disa figura të spikatura, mbi të cilat Nano nuk kishte kontroll dhe me të cilat ishte i detyruar të bënte kompromise. Këto historirat me promovime e mundësi që u krijoi Nano individëve apo përkrahje, që u dha më duken shumë bajate sot për t’u përmendur.  Me kë do vinte në pushtet Nano? Me farefisin apo me fëmijët dhe nipat e byroistëve? Sigurisht, që nuk do vinte dot. Nano, si kalkulues, e kuptonte mirë se me cilët njerëz mund të fitonte vota për të arritur deri te qeverisja. Madje, për ketë arsye ai ishte i pari që promovoi dhe disa “të fortë” në Parlament…

Sot, pas 8 viteve qeverisje nga Rilindja, sipas mendimit tuaj, si ndihen socialistët?

Më duket se sot nuk shtrohet më pyetja se si ndihen socialistët, sepse termi socialist sot më duket shumë relativ për t’u marrë në referencë. Të mos harrojmë që, për shkak të traditës, dy partitë kryesore shqiptare janë një konglomerat njerëzish dhe interesash (në fakt kështu është kudo, por fatkeqësia jonë është se ishim një vend shumë i varfër). Vështirë se në Shqipëri mund të flitet ende për të Majtë apo të Djathtë klasike. Diferenca ende bazohet te ndarja partizanë-ballistë dhe te miti i Luftës Nacional-Çlirimtare që unë e kam quajtur Lufta Nacional-Shkatërrimtare. Shpresoj të vijë dita që historia të shkruhet si duhet në mënyrë të paanshme.  Nuk e di për ç’ndarje majtas-djathtas mund të flitet, p.sh. kur në periudhën para vitit tragjik 1997, djali i nënkryetarit të PS kishte biznes të përbashkët me djalin e nënkryetarit të PD. E kam thënë në një artikull të botuar te gazeta “Populli Po” në Dhjetor 1994 se fatkeqësia e Shqipërisë ishte që nga Lëvizja e Dhjetorit 1990 nuk doli asnjë forcë politike pa trashëgimi punisto-komuniste. Mbase ishte e pamundur, por kjo më shumë se këdo tjetër penalizoi gjatë këtyre 30 viteve të fundit ata që vuajtën realisht në kohën e diktaturës gjakatare të Enver Hoxhës. Dhe sot, për fat të keq, shoqëria shqiptare ende nuk e ka bërë katharsis-in sa i takon dënimit të diktaturës komuniste. Shpresoj, që qeveria dhe shumica e dalë nga opozita e sotme që do vijë në pushtet pas 25 Prillit, të miratojë menjëherë një akt ligjor ku t’i kërkohet falje gjithë viktimave të diktaturës komuniste dhe të dënohet zyrtarisht regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe gjithë trashëgimia e tij. Në këtë kontekst sot mendoj që pyetja duhet shtruar si ndihen shqiptarët. Si ndihet një vend që po lëngon në çdo pikpamje dhe ku brezi më shpresëhumbur është rinia që dëshirë të vetme ka largimin drejt Perëndimit. Dhe për këtë e ka përgjegjësinë gjithë klasa politike pa përjashtim, përfshi dhe mua që për gati 15 vjet isha pjesë e saj. Ne duhet t’i kërkojmë falje qytetarëve që na kanë votuar, besuar apo mbajtur deri edhe mbi supe që nuk realizuam shumë premtime, dhe aq më keq, situata e solli që 8 vitet e fundit të jenë një regres i vërtetë.  Një nga përgjegjësit kryesore për këtë vazhdon të jetë Fatos Nano, i cili është i pari që duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, e jo të përrallisë për 7 mëkatet e Biblës të Metës apo Berishës, tek të cilët ka trokitur sa herë i duhej sipas kalkulimeve të veta. Nëse do flasim për mëkate, kryemëkatari i 31 viteve të tranzicionit është Fatos Nano. Ishte ai që e solli Edi Ramën nga Parisi, jo se i duhej një rebel, se rebelë kishte PS, por se mori urdhër nga Athina. Dhe ua la peshqesh socialistëve dhe shqiptarëve. Dhe sot që del dhe e lustron Ramën, sigurisht nuk është çudi të ketë marrë sërish urdhër. E pra, ky është mëkati i tij më i madh, që ia zhvleftëson dhe 4 vitet e burgut që drejtësia ia ka cilësuar si të padrejta. Madje, në një lloj mënyre duhet t’i jetë mirënjohës edhe për këtë Berishës. Pa burgun, ai nuk do ishte shndërruar në një lloj “miti”, se nuk thonë kot, që çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Nëse atë mocionin e famshëm të “qypit me mjaltë” në 1996 do ta kish bërë në kushte jashtë burgut, më duket pak si zor që do ia kish dalë përballë atij grupi drejtuesish të lartë të PS-së, që nuk e kishin fort për zemër, por e kishin pranuar si kryetar në rrethana kompromisi, që mbase një ditë do qartësohen më shumë.

“Sigurisht, që mes meje dhe Ramës në vitin 2000 do zgjidhte Ramën në krye të Bashkisë së Tiranës, se ish bërë me kohë plani i betonimit të Tiranës. Aq më tepër që edhe Athina nuk më kishte me sy të mirë, sepse isha konfliktuar me ca diplomatë të saj për hir të dinjitetit të Shqipërisë”


Cili është dallimi i Partisë Socialiste në kohën e Fatos Nano kryeministër dhe Rilindjes Socialiste me Edi Ramën kryeministër?

Nanon e vunë në krye të një partie konglomerat, të cilën asnjëherë nuk e kontrolloi dot. Kalkulimet në funksion të ambicieve dhe rolit që i dhanë, e detyruan që të krijonte ekuilibra. Sigurisht, cilësia e ekipit drejtues të PS në vitet 1992-2005 veçanërisht, ishte me disa kualitetete të cilëve këta profanët e sotëm të qeverisë Rama as nuk u afrohen. Sigurisht kishte dhe ministra mediokër, por boshllëqet e tyre mbuloheshin me drejtuesit që vinin fill pas tyre.  Krahasoni për shembull, Prof. Maqo Lakrorin, i cili në vitin 1997 u emërua Sekretar Shteti për Integrimin me profanin kalama Gent Cakaj. Apo, krahasoni Prof. Kastriot Islamin me “Tigrin” Arben Ahmetaj. Po shkencëtarin Prof. Et’hem Ruka me kë ta krahasosh? Po shtetarin e klasit të lartë Ylli Bufi me kë ta krahasosh? Po Prof. Ermelinda Meksin me kë ta krahasosh? Këtë të fundit, për të cilën kam një respekt të veçantë, e kam konsideruar gjithmonë si dikush që mund ta drejtonte shumë mirë PS, apo të ushtronte me integritet, dinjitet e profesionalizëm funksionin e kryeministrit. Por Nanos, si kalkulues, i bënte punë Pandi, që mund ta vije e ta hiqje sa herë të ishte e nevojshme për kalkuluesin e Institutit të M-L drejtuar nga Nexhmije Hoxha… Shpresoj, që me sa thashë më lart, të kuptohet nga lexuesit se cila është diferenca mes qeverisë së Ramës sot, dhe qeverive të PS deri më 2005, jo për meritë të Nanos, por për shkak të përbërjes së ekipit drejtues të PS. Në vitin 2007, pas kompromisit që Rama bëri me Berishën, që ky i fundit t’i linte bashkinë e Tiranës, Rama arriti të marrë nën kontroll PS-në, me ndihmën e Gramoz Ruçit dhe duke mashtruar Nanon me ëndrrën e presidentit. Këto ia kam thënë në sy Ramës, në fjalimin që mbajta në Kongresin e Prillit 2007. Fjalimi është publik dhe i botuar në shtyp. Sikurse dhe Nanos, ditën që u zhvillua kongresi, i dërgova mesazh në telefon ku shkruajta: “nëse nuk vjen sot të vësh ekuilibrat në parti dhe në Kongres, harroje se mund të bëhesh president”. Pas atij kongresi dramatic, u deklarova deputet i pavarur… pra, sa për kujtesë dhe kur kam votuar Bamir Topin për President, kam qenë deputet i pavarur. Vazhdimi dihet. Analizoni pak sot, ku janë aktualisht emrat më përfaqësues të PS të atyre viteve. Më kujtohet, që kur mora vendimin të emigroja në Kanada, miku im Arben Malaj më pat pyetur: “Taulant, pse po ikën?”. Unë iu përgjigja: “Që të provoj se di ta ndërtoj jetën e ta përballoj atë edhe pa qenë deputet, në çdo cep të botës dhe në çdo rrethanë. Ju që jeni këtu, nëse nuk do t’i rezistoni të gjithë bashkë Ramës, ai do t’ju flakë një nga një…”

Koha, a mund ta fshijë dot thënien e Fatos Nanos, që: Edi Ramën e mora nga Parisi me thonj të paprerë? Pas 8 viteve qeverisje, a i ka prerë thonjtë Edi Rama?

Kjo shprehje sigurisht do mbetet në fjalorin e “folklorit” politik të tranzicionit. Mbase Rama këto vite, meqenëse dhe Nano mendon që ai është “maturuar” si kryeministër, i bie që të jetë maturuar dhe në çështjet e higjenës personale. Sigurisht, ai ka zgjatur ca thonj të tjerë. Thonjtë e korrupsionit që sot në Shqipëri ka marrë përmasa të llahtarshmë. Nëse një ditë në Shqipëri do funksionojë drejtësia, unë besoj se Rama duhet ndëshkuar në mënyrë shembullore.  Edvin Rama është politikani më i korruptuar i 31 viteve të tranzicionit. Është shkatërruesi i Tiranës. Vetëm për shkatërrimin përmes ndërtimeve pa kriter të Tiranës, veçanërisht shkatërrimin e qendrës historike dhe prishjen e Teatrit Kombëtar, ai meriton një ndëshkim shembullor. Dhe që të mos vazhdojë të falsifikohet ende historia, hapni arkivat e shtypit të kohës, hapni arkivat filmike të televizioneve në vitet 1999-2001 e do të shihni që Tiranën nga kioskat nuk e pastroi Edvin Rama. Tiranën nga kioskat, përfshi dhe kioskat e Parkut “Rinia”, e pastroi koordinimi mes Prefektit të Tiranës, që rastësisht quhej Taulant Dedja, Drejtorit të Policisë Ndërtimore Mit’hat Havari, Drejtorit të Policisë Elektrike Sokol Hysenaj, Drejtorëve të Policisë së Tiranës Ilirian Zylyftari e më pas Veli Myftari, me mbështetjen e kryeministrit Ilir Meta. Kur Rama u bë kryetar Bashkie dhe pasi Ilir Meta nuk ia plotësoi kërkesën që të ndryshohej prefekti i Tiranës, në Tiranë kishin mbetur vetëm kioskat anës Lanës…

“Nano u kthye në origjinë, te Blloku, te Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, atje ku u projektua sjellja e tij në drejtimin e PPSH në periudhën kur ajo ishte kthyer në kufomë dhe duhej ringjallur në një formë tjetër” 


(Fatos Nano me Sllobodan Millosheviçin në Kretë)

Shpeshherë thuhet që disa emra në qeverinë e kryeministrit Rama përfaqësojnë trashëgiminë, ADN e Partisë Socialiste, sikurse Majko, Fino, Ruçi, Braçe. A janë këta drejtues të Rilindjes vërtet përfaqësuesit e socialistëve në qeverinë e kryeministrit Rama?

ADN e Partisë Socialiste është fjalë e madhe. Besoj që këtë pjesë e përfaqësojnë mijëra shqiptarë idealistë që sigurisht më shumë kanë humbur se përfituar nga qënia të rreshtuar në një forcë politike që ka gati 15 vjet që ka degraduar. Sipas meje, nëse PS lindi nga “kufoma” e PPSH, në rrethana që një ditë duhen analizuar me objektivitet, sot “Rilindja” është fantazma e PS që u shpërbë më 2007.  Doni komentin tim për emrat që permendni më lart? Majko është një individ që nuk ka ushtruar asnjë ditë profesionin për të cilin është diplomuar. Ruçi është ministri i fundit i Brendshëm i regjimit komunist dhe qënia e tij në krye të Parlamentit në vitin 2021, është shembulli më domethënës për degradimin e demokracisë në Shqipëri dhe fyerja më e madhe që mund t’u bëhej të përndjekurve nga regjimi komunist pas 3 dekadash të ndryshimit të sistemit.  Fino është një politikan mediokër, korrekt në raporte shoqërore, hokatar, muhabetçi i lezetshëm e qefli i lojës “Tavëll”, që u bë kryeministër në vitin e mbrapshtë 1997, në rrethana krejt rastësore. Kam qenë vetë deshmitar në selinë e PS (mund ta konfirmojnë këtë që po them Maqo Lakrori, Ndre Legisi, Arta Dade, Namik Dokle, Rexhep Meidani, Et’hem Ruka, Petrit Ago) dhe mbaj mend se sa shume emra iu propozuan Presidentit Berisha, ndër ta edhe Agim Fagu, Eduard Alushi, Majko, Meidani etj. (Arben Malaj nuk pranoi të propozohej, duke u shprehur madje: “Ju lutem mos më bëni kot karagjoz”) emra të cilët Berisha i refuzoi një pas një. Finon për çudi e pranoi. Ndofta, edhe për faktin që e kish pritur Presidentin zyrtarisht në vitin 1994 në Gjirokastër në kohën e referendumit për Kushtetutën, si kryetar bashkie (dhe shumë mirë ka bërë që ka zbatuar ligjin, edhe pse PS ishte kundër projektit). Për Finon, ishte statusi që mori si kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, që i dha më pas mundësinë të ishte prezent në disa pozicione, ku nuk besoj se shkëlqeu shumë, se nuk mund të mburret sot fjala bie, që e bëri ai reformën e decentralizimit të pushtetit lokal në vitet 1997-2001, edhe pse ishte ca kohë, në dy raste ministër i Pushtetit Lokal. Sigurisht Fino kujtohet dhe për këshillën që i dha Nano në KPD-në e famshme, që t’i zgjidhte më mirë njerëzit me të cilët shoqërohej. Nga Braçja kujtoj vetëm faktin që i ka shërbyer me zell të gjithë shefave pa përjashtim, duke mohuar shefin paraardhës, për t’i shërbyer më pas pasardhësit. Me këto që thashë nxirreni vetë konkluzionin se çfarë lidhje kanë emrat e sipërpërmendur me ADN-në e PS.

“E Majta, aq sa mund të quhet e tillë (sepse drejtuesit aktualë i ka oligarkë) duhet t’i hyjë një procesi reflektimi, të ndahet përfundimisht nga e kaluara puniste dhe t’i nënshtrohet një procesi rithemelimi gradual”

Z. Dedja, a mendoni sot Fatos Nano përdoret politikisht nga Edi Rama për fushatën elektorale? Për interesa vetiake? Apo për të mirën e Partisë Socialiste?

Fatos Nano si kalkulues profesionist vazhdon të bëjë kalkulimet e veta. Tani, pasi i “shkoi prapa historia”, është ai që “po i shkon prapa historisë”, sepse ende ëndërron të bëhet president. Historia ka ecur shumë përpara dhe ai e ka humbur atë “tren” tash 13 vjet, njëherë e përgjithmonë. Meqë i është kthyer Biblës, shpresoj të pendohet për ca gjera. E mëshiroftë Zoti për çdo mëkat, nëse vërtet pendohet! Nuk e di a do ta falin socialistët dhe shqiptarët për mëkatet ndaj tyre…

Ju Z. Dedja jeni njohur dikur si mbështetës i Nanos… çfarë ka ndodhur?

– Se cila është përgjegjësia e Nanos në raport më Shqipërinë dhe me PS e shtjellova më lart dhe besoj kaq mjafton për të kuptuar pse kam reaguar parimisht si qytetar i vendit tim, krejt i lirë nga çdo detyrim dhe me ndërgjegje krejt të qetë, e sidomos pa asnjë lloj dëshire për t’iu rikthyer politikës. Kurrë më! Tani të kthehemi te pjesa personale. Dikush, me të drejtë mund të thotë sot, pse flet Taulant Dedja kështu kundër Fatos Nanos? Ai e bëri kështu e ashtu, ai e promovoi etj. etj. Ndofta në një moment tjetër do t’i përshkruaj më gjatë raportet e mia personale me të, raporte që kanë patur shumë ulje e ngritje. Ajo që dihet botërisht nga socialistët dhe jo vetëm, është fakti që unë kam qenë kundër rikthimit të tij në krye të PS në vitin 1999. Ballë për ballë i kam dalë dhe publikisht. Nuk i jam lutur as servilosur asnjëherë dhe ai më njeh mirë që nga viti 1984, kur më kishte student, njëlloj siç pati në të njejtën shkollë dhe në të njejtën kohë Edvin Ramën.  Pse ma njihte karakterin, ma kërkoi mua dhe askujt tjetër të shkoja në Tropojë si përfaqësues i Plotfuqishëm i qeverisë në kohën e krizës së refugjatëve nga Kosova në vitin 1998, sepse isha i pari përfaqësues i shtetit, që mori kurajon e shkoi në Tropojë pas luftës së vitit 1997 (Edvin Rama me tha fjalët “të rroni vetë” para se të nisesha për atje).  Në të njejtat kushte me kërkesën e drejtpërdrejtë të Nanos, më është dashur të shkoj me helikopter, i vetëm, në cilësinë e anëtarit të KQZ, (sepse asnjë nga anëtarët e PD në KQZ nuk pranoi të vinte bashkë me mua) për të mbledhur në shumicën e territorit të Shqipërisë proces-verbalet e zgjedhjeve të vitit 1997. Besoj Jemin Gjana e kujton udhëtimin me mua në të njejtin helikopter, kur u kthyem nga Kukësi bashkë me proces-verbalet, që i mora në dorëzim në godinën e Bashkisë të rrethuar nga njerëz të armatosur si nga PS, ashtu dhe nga PD, të cilët qëndronin përballë njeri-tjetrit. Kështu më është dashur të shkoja në Lazarat në atë periudhë, ku nuk hynte dot policia, në Kukës ku kishte konflikt për depon e Ujësjellësit në Kolesjan dhe s’merrte ujë qyteti, në Shkodër, ku u mor peng Prefekti Gëzim Podgorica e ku takova për herë të parë Jozefina Topallin, në Sarandë, ku nuk funksiononte fare pushteti lokal e ku u njoha me Çapajev Zëren, e në çdo qendër prefekture të Shqipërisë për t’i ulur bashkë drejtuesit lokalë që ishin nga PD me prefektët socialistë.  Janë ende gjallë ata që janë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve. Janë si majtas, ashtu dhe djathtas. Unë me Fatos Nanon, jam konfliktuar vetëm për arsye parimore dhe e kam kundërshtuar në shumë e shumë raste. Në dorë e kishte të më hiqte, por nuk më hoqi, thjesht më pengoi në disa raste. Pse s’më hoqi e di ai. Nuk e di çfarë ka kalkuluar.  Pse më pengoi nuk e fsheh, sepse e dinte që nuk bëhesha vegël dhe nuk blihesha me para. Sigurisht, që mes meje dhe Ramës në vitin 2000 do zgjidhte Ramën në krye të Bashkisë së Tiranës, se ish bërë me kohe plani i betonimit të Tiranës. Aq më tepër që edhe Athina nuk më kishte me sy të mirë, sepse isha konfliktuar me ca diplomatë të saj për hir të dinjitetit të Shqipërisë dhe reciprocitetit, histori që e kam treguar para ca kohësh. Madje, ku isha Prefekt kam refuzuar edhe ofertën e Athinës zyrtare përmes Ambasadës greke në Tiranë për të shkuar me bursën e “Kokkalis Foundation” në John F. Kennedy School of Government, Harvard University. Ndërsa në përplasjet e mia parimore me Nanon, e theksoj se ka qenë ai që ka kërkuar paqe dhe më është lutur ta mbështes në moment, kur i kthyen krahët njerëz që nga askush i bëri dikushi. Nejse, këto janë sa çështje karakteri për disa, aq edhe kalkulimi drejt apo gabim, për disa të tjerë. Nuk besoj gjithsesi, që Nano ta mohojë se në vitin 2005 e detyruan 15,000 e ca firma të qytetarëve të Elbasanit, që të më rikandidonte deputet. E meqë ra fjala, e përsëris publikisht, Elbasani dhe elbasanasit, janë të vetmit, që u mbetem borxhli, sikurse dhe shumë socialistëve të thjeshtë në Tiranë, Elbasan, Devoll, (që i kam përfaqësuar si delegat 4 vjet) e në gjithë Shqipërinë, që më kanë mbështetur, vlerësuar e votuar në konferenca apo kongrese. Shpresoj dhe uroj që në zgjedhjet e 25 Prillit, me votë të lirë dhe masive, të shkatërrohet përfundimisht në përmbajtje Blloku dhe trashëgimtarët e byroistëve të largohen nga pushteti. Shqipëria ka nevojë të dekomunistizohet përfundimisht dhe të qeveriset nga njerëz normalë, jo nga një i çmendur dhe i korruptuar deri në fyt. E Majta, aq sa mund të quhet e tillë (sepse drejtuesit aktualë i ka oligarkë) duhet t’i hyjë një procesi reflektimi, të ndahet përfundimisht nga e kaluara puniste dhe t’i nënshtrohet një procesi rithemelimi gradual. Nëse kjo nuk ndodh, parashikoj ditë akoma më të këqia se sot për Shqipërinë. Ndaj u bëj thirrje të gjithëve atyre, që më njohin e besojnë ende në fjalën time, të mbështesin me votë rotacionin e pushtetit në 25 Prill. Sot nuk është fjala për përballje programore të Djathta apo të Majta. Sot është fjala për një popull dhe shtet që është marrë peng nga pasardhësit e Bllokut dhe byroistëve të PPSH. Populli dhe shteti duhen shpëtuar përfundimisht nga e keqja dhe sot e keqja më e madhe dhe rreziku kombëtar për Shqipërinë ka vetëm dhe vetëm një emër: Edvin Kristaq Rama!

“Meqë Nano i është kthyer Biblës, shpresoj të pendohet për ca gjera. E mëshiroftë Zoti për çdo mëkat, nëse vërtet pendohet! Nuk e di a do ta falin socialistët dhe shqiptarët për mëkatet ndaj tyre…”

Në Athinë, si Prefekt i Tiranës

Në Marsejë, si zv.Ministër i Pushtetit Lokal

Në Prishtinë, me Presidentin Rugova

Në Stamboll, si Prefekt i Tiranës