Shi dhe ngrica, ja si do të jetë moti për javën që vjen (FOTO)

222
Sigal

Moti me diell i këtyre ditëve do të pasohet nga ditë me reshje shiu dhe rrebeshe, bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Reshjet do të përfshijnë vendin dy ditët e para të javës me intensitet mesatar. Në qarqet Shkodër e Gjirokastër reshjet do të arrijnë përkohësisht  intensitet të lartë.

Ndërprerje e përkohshme e tyre parashikohet ditën e mërkurë, për tu rikthyer sërish ditën e enjte me intensitet të ulët e lokalisht në formën e shtrëngatave.

Në majat e maleve reshje bore.

Situatë krejtësisht e ndryshme do të vijë ditën e premte, pasi pritet depërtimi i rrymave të ftohta.

Këto do të sjellin mot të kthjellët, por me ngrica në zonat malore e ato kodrinore.

Era, do të fryjë nga kuadrati i jugut e vrullshme përgjatë bregdetit dhe zonave luginore. Ditën e premte do të mbizotërojë erë veriore. Valëzimi këtë javë pritet të arrijë deri në forcën 6 ballë me lartësi vale deri në 2.5m në brigjet detare.