Taulant Balla, “dora e zezë”, që menaxhon intrigat dhe interesat e Ramës në sinkron me grupet kriminale

413
Sigal

Taulant Balla, modeli i shëmtuar i një politikani që bëri karrierë, duke shërbyer si “Sillo” i Ramës e si nyje lidhëse mes dyshes Nano-Rama, në skenarët për të spostuar kundërshtarët dhe rivalët e përbashkët në parti. Në pushtetin “Rilindja”, Taulant Balla është me aq fuqi të plota, sa prej 8 vitesh ata që kanë kërkesa e halle, nuk trokasin te asnjë prej 7 kryetarëve të bashkive të qarkut, as te prefekti, as te rektori, as te shefat e policisë, prokurorisë, gjykatës, tatimeve, arsimit, shëndetësisë, doganës etj.

Sepse Taulant Balla, është veshur nga Rama me kompetenca të plota partiake, qeveritare e shtetërore, për të dhënë çdo urdhër; ndaj dhe 6 deputetët e zonës njera prej të cilëve ministre Arsimi, janë nën hyqnim e tij. Nuk është çudi, as fakti që qytetarët, bizneset, nëpunësit e administratës e deri drejtuesit policorë të zonës, të cilët kanë probleme me bandat e krimit në Elbasan, i drejtohen për ndihmë vetëm Taulant Ballës, pasi e dinë se ai është “zëri” që i vërsul, ose i tërheq.

Dhe në kupolën PS e degët rajonale, pas çdo halli, i drejtohen për ndihmë Taulant Ballës; jo se ai është Sekretar i Përgjithshëm e kryetar i Grupit Parlamentar, por sepse e kanë bindje, që është “ingranazhi” që menaxhon interesat e Ramës në PS në sinkron me grupet kriminale.

I futur në strukturat e PS në vitin 2002, me rekomandim të mikut të familjes “Balla”, ish-shefit të Sigurimit të Librazhd, Fadil Caka; Taulanti krejt anonim, u katapultua si këshilltar i Fatos Nanos në kryesinë e kësaj partie, ku bëri karrierë si servil i liderit historik të Partisë Socialiste.

Ndërsa në “Rilindje”, Balla bëri karrierë, duke shërbyer si “Sillo” i Ramës e si nyje lidhëse mes dyshes Nano-Rama, në skenarët për të spostuar kundërshtarët dhe rivalët e përbashkët në parti.

Në PS, çdo rast përzënieje, shkarkimi, ulje në detyrë, heqje nga listat e deputetëve e denigrim drejtuesish qëndrorë dhe lokalë, ka intrigën dhe “kontributin” e Taulant Ballës, si shërbëtor i interesave të Ramës, për sundim me plotëfuqi.

Ata që e kanë kuptuar më qartë, fuqinë e këtij pozicioni të Taulant Ballës në sundimin e kryeministrit Rama, janë bandat kriminale në Elbasan, të cilat kanë gjetur te Balla, njeriun e duhur për të qenë të qetë, të lirë të fortë e në aktivitet interesash të zeza me pushtetin.

Vërtetë që Balla, publikisht vetë-kufizohet me fuqitë e tij, si drejtues politik i Qarkut Elbasan; por faktikisht, ka tagër si të jetë vetë kryetari Rama në degët e PS-në të çdo rrethi; dhe si kryeministër “de facto” në çdo ministri, bashki, prefekturë, drejtori administrate e policie.

Nëse në krejt Qarkun Elbasan, çdo ngritje në detyrë, emërim, shkarkim tender, licensë, privatizim, PPP, kontroll tatimor, doganor, aksion policor etj; kalon në dorën e Taulant Ballës; kështu ndodh edhe në krejt Shqipërinë, nëse Balla ka interesa.

Nuk është shpifje e medias, fakti që Ballës i doli emri në trafikun e 3.5 milionë Euro me dosjen në Durrës; me trafiqet dhe pallatet “Bego” në Tiranë; apo fakti i pranuar prej tij, se ka qenë negociues te kryeministri Rama për 4 kontratat koncesionare “Luca” me vlerë dhurimi pasurie 14 milionë; madje emri i ka dalë në 3 vrasje e 8 ton drogë, kapur me 5 shkurt 2017 në Itali, tansportuar me letra të kompanisë doganore “Ujori”, biznes i familjes “Sejdini-Çelaj”. Për të gjitha këto drejtësia ka dhënë  “drejtësi”, sikurse dha “drejtësi” edhe për dosjet 339 dhe 184.

Para dy vitesh, me “rekomandim” të Taulant Ballës, në Elbasan u shkarkuan 3 drejtues të lartë policie, për të mbrojtur këtë bandë grumbulluese votash për PS e Ballën në Elbasan; bandë e cila sulmoi policinë me makinë e armë në mes të qytetit. Dosja e aktivitetit jo politik të Taulant Ballës në 8 vite pushtet “Rilindje”, është “lëndë e parë” për drejtësinë e re…/Pamfleti