Inaugurohet ‘Bunk’Art 2’, Rama: Nderim për viktimat e komunizmit. Kush ka folur në hava, ta vizitojë dhe qepë gojën!

520
Sigal

Është çelur sot në Tiranë, pranë
Ministrisë së Brendshme Bunkart 2, një muze që sjell për publikun fakte, emra
dhe pjesë të së kaluarës duke nisur me xhandarmarinë e vijuar me krimet e
komunizmit.

Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e organizuar me këtë
rast, kryeministri Edi Rama tha se historia nuk riciklohet por se duhet të
gjejmë forcën dhe të përballemi me plagët tona. Ai theksoi se ky bunker ishte
një mekanizëm i gjallë, ku gëlonin njerëzit, xhelatë dhe viktima; ku frika i
linte vendin fatalitetit. Por kryeministri ka pasur edhe një porosi për
opozitën dhe kritikat ndaj tij, duke iu këshilluar ta vizitojn♪7 dhe ta qepin
gojën”.

“Nëse ligji themeltar i historisë është të kujtohesh, siç
shkruante Primolevi, të kujtohesh me sytë e mendjes nuk mjafton”, theksoi kreu
i qeverisë dhe gjatë fjalës së tij i është përmbajtur këtij rregulli, se sytë e
mendjes dhe shpirtit nuk mjaftojnë por duhet komunikimi sy më sy.

“Përurimi i këtij muzeu, nuk është aspak pjesë e programit që
i kemi propozuar përfaqësuesve të diasporës. Për të gjithë ata që do thonë se
kryeministri e vendosi kastile këtë datë, kanë të drejtë por se qëllimi i kësaj
ftese nuk është ky. Bashkatdhetarët tanë nuk ka si të mos jenë po aq dëshmitarë
të historisë së vendit të tyre të prejardhjes e çdo pjese të saj. Nëse të
gjithë ne nuk e gjejmë të natyrshëm motivimin për të bashkëpunuar në plagët
tona të dhimbshme nuk do e gjejmë as atë shtysë që lipset për të qenë partizanë
të së ardhmes, në kundërshtim me ç’mund të mendojë ndokush historia nuk
riciklohet. Mënyra e saj e larjes së hesapeve i bindet një kodiku ligjesh prej
çeliku”, tha kryeministri duke cituar Horacin.

“Çengelat litarët, zyrat e errëta me lagështirë ku drita
natyrale nuk hyn asnjëherë, sikundër nuk ka më individualitet janë shprehja
brutale e asaj makinerie. Por qëllimi final është që nga nëndheu shkon në kokën
e gjithkujt që është mbi dhe”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se të kujtohesh me mendje s’mjafton asnjëherë, të
kujtohesh me zemër është një akt intim dhe personal. “Ajo që është e
domosdoshme për të qenë dëshmitar, është të mund të kujtohesh me sy. Primolevi
thoshte ‘Cilido që e harron të kaluarën është i dënuar, jo në ferrin e përtejmë
por ta rijetojë atë’”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se “ky bunker është hyrja në të parin
memorial, deri më sot i konceptuar dhe i ngritur mbi themele kushtuar kujtimit
me mendje, zemër dhe sy të viktimave të terrorit komunist”.

“Ndaj kush ka folur në hava deri sot, gratis siç brumoset
zakonisht shpifja se ky është një bunker për të risjellë në formë, shprehje
nostalgjie e dhunës e të kaluarës përmes të dëgjuarit të tij në sheshin sipër,
ka detyrimin moral të vijë dhe ta vizitojë dhe ta qepë gojën, përballë kujtimit
të viktimave, të cilat për herë të parë në historinë e këtyre 25 viteve, kanë
një hapësirë që t’u flasin njerëzve drejtpërdrejt. Jo përmes të tretëve, jo
përmes librave, jo përmes kujtimeve, jo përmes debateve por fizikisht, sy më
sy. Dhe kupola sipër është në fakt së jashtmi shëmbëlltyra e bunkerit tip të
diktaturës, por së brendshmi një diafragmë që merr frymë përmes leximit të
emrave dhe fytyrave të terrorit komunist”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri u shpreh më tej se e tërë makineria totalitare
përmes këtij muzeu i propozohet kujtesës së gjithsecilit dhe përtej atyre që
janë ende gjallë, është një muze për ata që lindën ditën kur u shemb bunkeri i
diktaturës dhe që e kanë të pamundur të krijojnë një ide të qartë dhe të tyren
për çka ishte kjo nëntokë duke dëgjuar historitë e të tjerëve.

“Ky muze është vullneti për të shlyer një borxh të kujtesës,
një borxh të pashlyer, përkundrazi të rënduar në këto 25 vjet, kur kujtesa u
përdor jo e pandarë siç thoshte gjenerali De Gol por me dallime preferenciale
si tokë e djegur dhe e shkretë ku gjithsecili mund të mbillte atë që donte për
të arritur qëllime pa asnjë lidhje me respektin ndaj kujtesës”, tha Rama./BW/