Tahiri i kërkon Apelit, heqjen e masës ‘arrest shtëpie’, caktohet data e gjyqit

742
Sigal

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar heqjen e masës “arrest shtëpie” dhënë Gjykata e krimeve të Randa. Avokatët e Tahirit kanë bërë ankesën në Gjykatën e Apelit, e cila ka ka vendosur datën 28 maj 2018 për ta shqyrtuar çështjen.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar më 12 maj 2018, masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin Habilaj.

Prokuroria kërkoi për ish-ministrin masën e sigurisë personale “arrest me burg”, por kërkesa nuk u pranua nga gjykata, që vendosi të japë një masë më të zbutur.

Vendimi i gjykatës urdhëron Tahirin të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3.

Tahiri akuzohet si i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.