Tahiri dhe Haxhinasto në garë për çmimin GINES

623
Skandali/ Makineritë e firmës turke janë nxjerr në shitje edhe nga ministri Haxhinasto, nëpërmjet drejtorisë së rrugëve, vazhdon gara e biznesit mes 2 ministrave
Prej disa ditësh, gazeta “Telegraf” po denoncon me fakte dokumentare dhe ekspertizë specialistësh, skandalin e krimit ekonomik-financiar e pronësor, që ka ideuar dhe po realizon ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, nëpërmjet tenderit të shitjes së automjeteve, makinerive dhe pajisjeve të firmës ndërtuese të rrugëve “BE-HA-SE”. I kemi kërkuar publikisht prokurorisë dhe personalisht kryeprokurorit Adriatik Llalla, që me fuqinë e tij si drejtues i një institucioni që parandalon një krim shtetëror, me bllokim procedurash paraprake të nisjes së hetimit, të pezulloj këtë tender-krim të dukshëm e flagrant ekonomiko-financiar hajdutëror, të organizuar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që ka si objekt zhvatjen për “5 kacidhe”, të një pasurie të madhe, të sekuestruar për llogari të buxhetit të shtetit. Me tenderin e shitjes “për skrap” të 540 mijë e 899 kilogramë makinerive të firmës “BE-HA-SE”, sot në datën 20 prill 2015 realizohet një vjedhje gjigande me procedura zyrtare, që çon “qindarka” në arkën e shtetit dhe miliona në xhepat e ministrit Tahiri e të klientit të tij ekonomikë, politikë e familjarë, të cilin ai po e përdor si “fasadë konkurruesi” nëpër tenderët abuzivë, të sajuar e të urdhëruar prej këtij ministri të shkolluar në Itali, me lekë trafiqesh të ilaçeve kontrabandë! Pas skandalit të rëndë, duke përdorur policinë e shtetit në favor të biznesit të babait të tij trafikant ilaçesh, për të detyruar dhunshëm pajisjen e automjeteve me “Kuti të Ndihmës së Shpejtë”, me jelekë dhe tabelë rrugore, tenderi i shitjes së makinave të firmës ndërtuese “BE-HA-SE” është prova tjetër më e qartë dhe e plotë e korrupsionit të shfrenuar, që po vazhdon të bëjë ministri Saimir Tahiri me fondet e prokurimeve publike (taksat e shqiptarëve) në Ministrinë e Brendshme, duke abuzuar me pasuritë dhe financat e shtetit. Me tenderin abuziv “kokë e këmbë” korruptiv, që me urdhër të Saimir Tahirit zhvillohet sot në Pajovë të Peqinit, shtetit i zhduken 6 herë më tepër se sa vlera 16 milionë, 315 mijë e 677 lekë të reja, që ministri Tahiri ka shpallur si fitim për shtetin, duke i shitur makinat “për skrap”. (me logon e Drejtorisë së Rezervave të Shtetit). Nga burime të “Telegraf”, këto makineri, automjete e pajisje të vlerësuara e të nxjerra qëllimisht në shitje “për skrap”, në gjendjen aktuale që janë sot më 20 prill 2015 që bëhet tenderi “Tahiri”, janë vlerësuar se kushtojnë mbi 987 milion lekë. Ministri Tahiri, i ka nxjerr në shitje “si skrap” për vlerën 16 milionë, 315 mijë e 677 lekë të reja. Sipas llogarisë, me tenderin “Tahiri”, klienti i paracaktuar si fitues i këtij tenderi, që në fakt është një familjar “nën një çati” i vetë ministrit Tahiri, i blen këto makina 824 milion lekë më lirë, se çmimi real që këto makineri kanë nëse shiteshin siç janë realisht në gjendje pune, ose i blen 4 herë më lirë, nëse këto makineri do të shiteshin për pjesë këmbimi, pa llogaritur vlerën e mbetur si metal (skrap). Ja një fakt: Vetëm 8 makineri nga këto makineri ndërtimi rrugësh që sot do të dalin në shitje “për skrap”, kushtojnë nga 200 mijë-270 mijë euro secila! Automjeti më i lirë për transport të rëndë, kushton 10 milion lekë të reja! Auto- makineria më e lirë kushton 81 mijë euro! Por ato do shiten për skrap megjithëse janë makineri, pajisje e automjete në gjendje të plotë pune! Personazhi që është paracaktuar për të blerë 40 makinat moderne e shumë-funksionale ndërtuese të firmës “BE-HA-SE”, ka plan të veproj siç ka vepruar edhe me 3010 automjetet e sekuestruara, të blera nëpër tenderët e Rezervave të Shtetit, organizuar formalisht me urdhër të Saimir Tahirit, duke i futur ato në treg si makina të rregullta, ose duke i “zhveshur” nga pjesët e këmbimit, të cilat i ka shitur në treg. Por, mund të veproj edhe siç ka vepruar me shumë makina të tjera të rënda, të blera në tenderët “Tahiri”, të cilat i ka dhënë me qira në firmat private, të cilat ushtrojnë aktivitet në kantiere ndërtimi (HEC, krom, bakër, rrugë rurale, koncesione rrugësh nacionale etj), ku policia është urdhëruar nga ministri Tahiri, të mos ushtroj kontroll dhe të mos veproj edhe nëse ka denoncime! Nëse klienti blerës i ministrit Tahiri, nuk do të lejohet t’i fus ato në tregun e auto-makinerive me letra false, apo t’i jap me qira në firmat ndërtuese private, fituesi i tenderit të 40 makinave do t’i “zhvesh” nga pjesët e këmbimit dhe pjesën e mbetur të metalit, do ta çoj “për skrap”, si fitim suplementar. Ky krim ekonomik-financiar, do të ndodh sot në kantierin e firmës “BE-HA-SE” në Pajovë të Peqinit, ku komisioni “kukull” i tenderit, i emëruar e instruktuar nga ministri Tahiri, do të shpall “fitues” klientin e preferuar të ministrit Tahiri. Deri në orën 10.00, kur do të hapet tenderi fiktiv, besojmë se prokuroria “Llalla” ka kohë ta ndal këtë abuzim të rëndë.
—————————————-
40 makina në gjendje pune, “kurban” 540 mijë kg. skrap… për “xhepin” e ministrit Tahiri
Janë nxjerr në shitje 40 automjete pune profesionale e pajisje teknologjike të shoqërisë turke të ndërtimit të rrugëve “BE-HA-SE”, të cilat gjenden “në sekuestro”, në ish-kantierin e kësaj shoqërie në fshatin Pajovë të rrethit Peqin. Këto makineri janë bërë “kurban” për t’u shitur për skrap, me qëllim që të mbush “thesin” ministri Tahiri! Janë 540 mijë e 899 kilogramë. Vlera e tyre fillestare është përcaktuar prej xhambazëve të instruktuar prej Saimir Tahirit, në vlerë makineri të kësaj firme, që janë vlerësuar si skrap, me1vlerë shitjeje 16 milionë, 315 mijë e 677 lekë të reja, siç është shpallur me njoftim akt-vlerësimi, të bërë prej komisionit të tenderit, të përbërë nga Ilia Bili, Sokol Zaimi, Vili Vreoni, Rita Rosa, Ornela Koçi, të cilat sipas burimeve të informacionit të “Telegraf”, kanë hedhur vetëm firmat vlerësuese të çmimit të mallit që ka përcaktuar e ka nxjerr në shitje ministri Saimir Tahiri, duke shpikur, zyrtarizuar dhe shpallur tenderin me Nr. Ref. 2A/2015 (Përsëritje). 
——————————— 
Skandal/ Edhe ministri Haxhinasto, ka nxjerr në ankand makineritë e firmës “BE-HA-SE”
Shitja e makinave të firmës “BE-HA-SE” për skrap është kthyer një biznes-pisnes betejë publike mes ministrave, që duhet mbyllur sa më shpejt nga… “më i shkathëti, më i shpejti”. Sipas publikimeve zyrtare të bëra në “Buletini Prokurimeve Publike”, rezulton se makinat e firmës turke “BE-HA-SE”, i kanë nxjerr në shitje 2 ministra. Ato i ka nxjerr në shitje Ministri Brendshëm Saimir Tahiri nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit dhe Ministri i Ndërtimit Edmond Haxhinasto, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke bërë garë përfitimesh, kush e kush t’i shes më parë këto makina viktima të babëzisë së shtetarëve, që u betuan dhe deklaruan me bujë e ulërima, se “do të pastronin e ndëshkonin babëzinë dhe korrupsionin e shtetarëve që ikën më 23 qershor 2013! Deri tani në garën për ta shitur ka mbetur vetëm ministri Saimir Tahiri i cili e bën tenderin sot. Ndërsa, ministri Haxhinasto, sipas njoftimit të bërë “Buletini Prokurimeve Publike” Nr. 10, datë 5 prill 2015, vazhdon garën e shitjes së makinave, duke anuluar ankandin! Ja njoftimi zyrtar i Autoritetit Rrugor Shqiptar, bërë në “Buletini Prokurimeve Publike” Nr. 10, datë 5 prill 2015: 
Ja njoftimi i anulimit të ankandit, nga drejtoria e rrugëve
AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR 
Njoftim për anulimin e Ankandit Publik
Autoriteti Rrugor Shqiptar, në zbatim të nenit 13, të Ligjit Nr. 9874, datë 14.02.2002, “Për Ankandin Publik”, të Rregullave për Ankandin Publik, miratuar me VKM Nr. 1719, datë 17.12.2008, Njofton për anulimin e ankandit, me objekt sipas publikimit të bërë në Buletinin e Njoftimeve Publike Nr. 7 të datës 23. 02. 2015, faqe 263-265, të APP-së “Shitje Makineri dhe pajisje, ne ish kantierin “BE-HA-SE” (përsëritje), për mungesë konkurrence (nuk u paraqit asnjë kandidat/ofertues). Ndodhur në këto kushte Autoriteti Shitës, do të vijojë me procedurat e përsëritjes së ankandit. 
————————————————————–
Me firmën dhe vulën e Saimir Tahirit, janë shitur 3010 makina për “skrap” 
Deri tani, kjo ministri ka shitur 3010 makina të sekuestruara, duke i listuar dhe klasifikuar ato për skrap. Çfarë ndodh? Sipas vëzhgimeve tona dhe denoncimeve që bëjnë qytetarët në qendrat e “burgosjes” së makinave që ndalohen e sekuestrohen, bëhet një marifet i tillë: punonjësit e rezervave i dëmtojnë makinat, policia i vonon qëllimisht në afatet e komisioneve dhe pronarët e tyre nuk janë të interesuar t’i marrim më këto makina të dëmtuara nga pjesa e jashtëme metalike, disqet, gomat, dyert, xhamat dhe i braktisin. Nga gjendja motorike ato janë shumë mirë. Por nxirren për skrap si hekurishte. Janë nxjerr në shitje motorë të çdo lloji, vetura, autobusë, trajlerë, kamionçina e deri motobarka të sekuestruara. Mjafton të shikosh në disa pika shitje makinash rrugëve të Tiranës dhe aty gjen makina të shitura për skrap nga ministria “Tahiri”, që shiten si makina tregu. Pra, ministria nuk e kontrollon më tej fatin e këtyre makinave, nëse ato futen përsëri në tregun e makinave, apo çohen në furrat e shkrirjes së “Kurum”, mbasi po ndodh që edhe qendra e Parkut të Automjeteve të Ministrisë së Brendshme, ka blerë pjesë këmbimi të përdrura që dalin nga këto makina dhe gazeta disponon prova për këtë tregëti ilegale, që bëhet nga “ushtarët politikë” të Saimir Tahirit, të emëruar shefa, magazinerë e kryetarë komisioni prokurimesh! Dhe klienti që shpallet fitues për blerje makinash për skrap është i përzgjedhur i ministrit Tahiri, skandal ky që prej drejtorisë së Rezervave të Shtetit duhej të ishte denoncuar tek kryeministri.
————————————-
Skandali me markant e “BEHASE”, janë “lëndë e parë” për prokurorinë
Skandali me shitjen e 40 makinave të kompansië “BEHASE” për skrap, kur ato janë në gjendje pune, duhet të jetë një pistë hetimi dhe ndjekjeje penale prej drejtësisë shqiptare. Nëse hetohet gjendja faktike e këtyre makinerive përpara datës 20 prill, kur ato do të shiten me çmim skrapi, do të dalë e vërteta që në këtë shitje ka një krim të madh social-ekonomik, me autorë shefin e Ministrisë së Brendshme dhe me zbatues vartësit e tij, drejtues të Rezervave të Shtetit. Ky tender skandaloz 100% abuziv e korruptim, përbën “lëndë të parë” për prokurorinë dhe mendojmë, se ajo duhet të veproj urgjent, mbasi ka përballë një fakt krimi ekonomik e financiar shtetëror. 
Sigal