Tabaku: Rama ka dështuar me gjithçka! Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me LSI

33
Sigal

Drejtuesja politike e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend, si dhe për programin që ka PD për integrimin e Shqipërisë në BE.

Duke u ndalur te koronavirusi, Tabaku tha se Rama ka dështuar në menaxhimin e krizës së covid-19, si dhe me procesin e vaksinimit.

“Është totalisht jashtë realitetit, del e flet për rroga 2 mijë euro, aeroporte, etj., ndërkohë që Shqipëria është totalisht ndryshe. Rama nuk ka mbështetur me paketë ndihme bizneset. Vaksinimi po përdoret për çështje politike, nuk duhet të ndodhte kjo. Jemi vendi me vaksinimin më të ulët dhe pa pikë turpi kjo përdoret për fushata elektorale. Këtu kanë ardhur vetëm 2 mijë vaksina, më të ulëtat në rajon. Ky është ndër dështimet më të mëdha të qeverisë, por nuk është asgjë e re për mënyrën se si Rama ka qeverisur. Është e turpshme, kriminale dhe një arrogancë e jashtëzakonshme. Situata është totalisht ndryshe nga ajo situatë imagjinare, që po përpiqen të transmetojnë”, tha Tabaku.

Jemi drejt një katastrofe pandemie, siç ka thënë Meta dhe ka pasur një përgjigje sot nga Rama?
Unë di të them që ekonomia sot është në periudhën më të keqe të 30 viteve të tranzicionit. Bizneset janë në prag falimenti, sistemi shëndetësor është në kolaps. Besoj se Presidenti flet me ekspertë të fushës për këtë.

Po për komentin e Ramës se LSI do pësojë katastrofë pas zgjedhjeve?
I vetmi që i trembet dhe është në panik e sipër është kryeministri. Opozita e bashkuar është në terren. Në sondazhet tona PD dhe aleatët marrin mbi 20 deputetë në Tiranë, që bëjnë shumicën dërrmuese të votave. E kuptoj që situata është duke i ikur nga duart.

Si i keni marrëdhëniet me LSI?
PD është në krye të koalicion opozitar dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe LSI. Nuk ka asgjë opozita, është e gjithë përballë një të keqe të madhe, që është Edi Rama.

Flasim tani për integrimin në BE, çfarë keni ndërmend të bëni?
Tabaku: Jemi i vetmi vend në rajon që ka pasur 3 kritere, dhe sot ka 15 kritere për integrimin. Integrimi evropian është dështim nga Rama që i ka kushtuar qytetarëve fonde, sepse po humbasim fonde nga BE, dhe i ka detyruar shqiptarët të largohen masivisht. Jemi duke u vonuar në këtë proces.
Ne ditën e hënë filluam prezantimin e programin për procesin e integrimit. Një plan pune me angazhime konkrete për t’u arritur. Basha takoi dhe dy kryeministrat, të Sllovenisë dhe Kroacisë, për të diskutuar pikërisht për këtë proces. Angazhimi i Bashës është që të hapet konferenca e parë për integrimin në 6-mujorin e parë të qeverisjes. Ne kemi prezantuar planin e punës për 15 kriteret. Kemi plane konkrete për korrupsionin, që do të nisin zbatimin që ditën e parë të marrjes së qeverisë.

Rama i intereson vetëm ky çifligu i vogël këtu për të vjedhur. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për to dhe që procesi i integrimit është një nga elementët e matshëm dhe që do të matet që 6-mujorin e parë të qeverisjes sonë. Procesi është i tillë, që të plotësohen 6 kushte, për të filluar konferenca e parë ndërkombëtare. Janë elementë konkret, që kanë një plan pune dhe që do të plotësohet menjëherë. Leximi i këtyre 6 parakushteve lejon hapjen e konferencës së parë ndërkombëtare, për të vijuar pastaj me plotësimin e kushteve të tjera, që të nisë procesi për hapjen e negociatave. Për 8 vite kemi mbetur në vend, sepse kemi dikë që na qeveris që nuk i interesojnë shqiptarët. Unë takoj përditë qytetarë dhe të siguroj se edhe për të majtët situata është e papranueshme.

Do t’i vijojë Basha takimet për integrimin?
Basha do të bëjë çdo gjë tani në opozitë, dhe nesër në qeveri, që integrimi të kthehet në prioritet absolut. Do ta shihni se do të vijojë mbështetja për PD, por edhe për integrimin e Shqipërisë në BE. Duhet ta bëjmë këtë që të fitojnë të gjithë shqiptarët.