Superaxhenda e Kuvendit për të mërkurën, nga “korporata”, buxheti, shkarkimi Malajt te ligjet e medias

464
Sigal

Kuvendi do të mblidhet nesër(të mërkurën 18 dhjetor) në një seancë të gjatë plenare që është dhe e fundit për këtë vit me një axhendë të ngjeshur mes debateve për të votuar ligjet për median online, rrëzimin e dekretit të Presidentit për ligjin “Për korporatën e Investimeve”, shkarkimin e Malajt nga BSH dhe zgjedhjen e kreut të ri të AKEP.

Paketa e parë e ligjeve që do të miratohen lidhen me ndryshimet në sistemin e tatimeve dhe taksave pas tërmetit të 26 nëntorit dhe miratimi buxhetit të vitit 2020 që është dhe vendimi më i rëndësishëm për këtë vit.

Shtyrja me një vit e vlefshmërisë së ligjit “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, dhe shtyrja e amnistisë për pronat nëpërmjet projektligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” i paraprijnë rrëzimit të dekretit të presidentit nr. 11343, datë 6.11.2019 “Për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 71/2019 “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”.

Ky dekret është rrëzuar nga Komisioni Ekonomisë ditën e hënë por mediat pasqyruan më shumë seancën për pezullimin dhe shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH sesa një nga projektligjet më të rëndësishme që prek pronat publike.

Seanca në Komisionin e Ekonomisë për rrëzimin e dekretit për ligjin e Korporatës së Investimeve ishte e fundit e drejtuar nga Arben Ahmetaj i cili nesër votohet si ministër shteti për rindërtimin pas katastrofës natyrore të 26 nëntori. Gjithashtu Kuvendi do të zgjasë deri në mars gjendjen e jashtëzakonshme.
Axhenda mbyllet me vendimet për shkarkimin e Ilir Zelës të dorëhequr nga pozicioni i Kryetarit dhe antarit të Këshillit Drejtues të AKEP dhe emërimin e Tomas Frashërit si antar të Këshillit Drejtues të AKEP si propozim i Këshillit të Ministrave.

Sipas ligjit “Për komunikimet elektronike”, një nga antarët e Këshillit Drejtues propozohet nga Kuvendi votohet nga Kuvendi për kryetar të Këshillit dhe drejtues ekzekutiv të AKEP por nga axhenda e seancës plenare mbetet e paqartë se cili nga antarët e Këshillit Drejtues do të zërë vendin e Zelës në krye të AKEP pasi nuk ka një p-vendim të publikuar në axhendë.

Me shumë gjasa do jetë Tomas Frashëri që mund të drejtojë AKEP në vijim por Kuvendi duhet të ketë një propozim të posaçëm dhe një votim të dytë për kryetarin. Sipas relacionit vendimi në axhendë parashikon propozimin Kuvendit për emërimin e z. Tomi Frashëri, anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili nga viti 2014 e në vazhdim është këshilltar për koordimin protokollar dhe diplomatik, Drejtor i protokollit të Kryeministrit.