Strazimiri: Basha pranon Dvoranin në emër të ‘pro-amerikanizmit’, sa e shëmtuar

207
Sigal

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Gent Strazimiri ka reaguar pas deklaratave të Lulzim Bashës si ‘pro amerikan’, në lidhje me protestën e datës 8 janar, ku demokratët do të mblidhen para selisë së PD-së.

Në postimin e tij në Facebook, Strazimiri thekson se ‘të pranosh Ardian Dvoranin ‘kampion të demokracisë’ në emër të ‘pro-amerikanizmit’, është gjëja më e shëmtuar, e padenjë, dhe e dëmshme jo vetëm për PD, por për demokracinë në Shqipëri’.

Gjithashtu Strazimiri i ka renditur një sërë tradhtish Bashës, duke filluar nga thirrjet e tij gjatë ditës për ‘betejë me regjimin’ dhe natën paguhet me tenderat e këtij regjimi.

Postimi i plotë i Gent Strazimirit:

Të pranosh Ardian Dvoranin “kampion të demokracisë” në emër “pro-amerikanizmit”, është gjëja më e shëmtuar, e padenjë, dhe e dëmshme jo vetëm për PD por për demokracinë në Shqipëri.

Është edhe më e shëmtuar dhe e padenjë se sa ditën të thërrasësh demokratët për “betejë me regjimin” dhe natën të paguhesh me tendera të regjimit…

Është më e padenjë dhe e shëmtuar se ditën të thërrasësh demokratët dhe shqiptarët të votojnë kundër regjimit, dhe natën të projektosh bashkëqeverisje me… regjimin…

Eshtë edhe më makabre se sa ditën të nxisësh demokratët të vriten në mbrojtje të votës, dhe natën t’i shesësh në marrëveshje me regjimin…

Është po aq e shëmtuar dhe e padenjë sa të shprehësh “dashurinë ndaj Amerikës”, duke përjashtuar nga PD pro-amerikanin “par excellence” të PD dhe demokratëve: SALI BERISHËN.

Tallje me demokratët dhe shqiptarët, është tu thuash se “amerika na do pro-dvoran dhe anti-Berishë”…

Ky po është mjerim, hall i pazgjidhshëm, nga i cili s’ka as bojaxhi e rikonstruksion, as bravë e blind, e as gardë a polici e “regjimit” që të shpëton…

Kjo mund të duket pak, por është e sigurtë!

KAQ!

#qëndro_në_këmbë_demokrat

#asnjë_hap_pas