Spitali i Kavajës kthehet në karantinë për Koronavirusin, reagon Bardhi: Kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve

146

Pas përgatitjeve në Spitalin e Kavajës për ta kthyer në Karantinë si masë për rrezikun nga Koronavirusi, vjen reagimi i rradhës nga Partia Demokratike.

Përmes një postimi në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i selisë blu, Gazment Bardhi e quan këtë vendim të Ministrisë së Shëndetësisë një papërgjegjshmëri.

“Zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për Karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve”, shkruan mes të tjerash numri dy i PD.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:“Sot në repartin e patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës kanë nisur përgatitjet, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë, për ta kthyer në Karantinë.

Kjo është papërgjegjshmëri!

Zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për Karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve.

Ky është një provokim i rëndë me Kavajën!

I bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi të mos e pranojnë trajtimin nga Edi Rama si banorë të parëndësishëm, jeta e të cilëve nuk ka rëndësi për Kryeministrin.

Karantinën ta ndërtojë në shtëpinë e tij në Surrel, jo në Kavajë!”.

Denoncimin për rastin në fjalë e bëri fillimisht ish-kryeministri Sali Berisha, por ditën e sotme, në një konferencë për shtyp,

Silva Bino, shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive ka mohuar zërat se karantina për të prekurit e mundshëm të koronavirusit në Shqipëri do të jetë në Kavajë.

Bino është shprehur se është zgjedhur një qendër në vend por që ende nuk do të bëhet publike pasi mund të shkaktojë panik tek banorët e zonës.