Spanja, mbështetje Shqipërisë për rrugën europiane

533
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha gjatë një takimi në Madrid me Sekretarin e Shtetit për Çështje Europiane, Fernando Eguidazu, theksoi se reforma në drejtësi është thelbësore për t’i kthyer qytetarëve shqiptarë besimin tek sistemi i drejtësise. Në takimin me zyrtarin spanjoll, Gjosha vlerësoi mbështetjen e Spanjës për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa vuri në dukje reformat e rëndësishme që po ndërmerr qeveria shqiptare, në funksion të së ardhmes europiane të vendit dhe zhvillimit ekonomik të tij. “Integrimi europian, mbetet prioritet kombëtar i Shqipërisë. Ne jemi të vendosur që të gjitha reformat t’i përfundojmë, pasi ato janë të domosdoshme jo vetëm për të çuar përpara procesin, por mbi të gjitha për të zhvilluar vendin, veçanërisht në sferën ekonomike, duke u mundësuar kështu shqiptarëve një të ardhme më të mirë”, tha ministrja.

Gjosha e informoi sekretarin Eguidazu, për punën e bërë mbi 5 prioritetet, ku theksoi se qeveria shqiptare është e vetëdijshme se pa përfundimin e reformës në drejtësi, nuk mund të kalohet në fazën e radhës së procesit të integrimit që është hapja e negociatave. Ministrja theksoi se pritshmëritë janë për një progres-raport pozitiv nga Komisioni Europian, që do të vlerësojë reformat e kryera vitin e fundit nga Shqipëria. Por, reforma në drejtësi, nënvizoi ajo, do t’i kthejë qytetarëve besimin tek sistemi i drejtësisë, por nga ana tjetër do t’i shërbejë vendit për thithjen e më shumë investitorëve të huaj, të cilët do të gjejnë sigurinë e një shteti demokratik. “Është një reformë thelbësore, që kërkon konsensus dhe që shkon përtej partive politike”, theksoi Gjosha. Sekretari spanjoll i Shtetit, Eguidazu, vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria, ndërsa shprehu mbështetjen e Spanjës për Shqipërinë në rrugën e saj evropiane. Eguidazu tha se progres-raporti që do të publikohet së shpejti do të mundësojë një panoramë më të qartë për arritjet që ka pasur Shqipëria në procesin e integrimit.
Sigal