Orë pas ore me tenelovelën për arrestimit të deputetit të PS, Alqi Blako, dhe loja e ping-pongut mes institucioneve për të përligjur paaftësinë dhe dorëzuar përgjegjësitë.
“SPAK thekson se ekzekutimi i vendimit është bërë në orën 3. 30 të mëngjesit të datës 1 prill, duke rrëzuar pretendimin e Policisë se Alqi Bllako ka qenë në qeli prej mbrëmjes së datës 31 mars”
SPAK doli me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e ish-deputetit socialist, Alqi Bllako. Prokuroria e Posaçme rrëzon pretendimet e Policisë së Shtetit, e cila njofton për lajme të rreme. Në njoftimin e SPAK thuhet se që në datën 30 mars, Alqi Bllako duhej të ishte nën mbikëqyrje.Më tej njoftimi thekson se urdhri për arrestimin e Bllakos i është dërguar Policisë së Shtetit që të enjten në orën 15:45. Kurse ekzekutimi është bërë të premten. Njoftimi zyrtar: Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.187 të vitit 2020, në Regjistrin e Njoftimit të Veprave Penale në Prokurorinë e Posaçme me datë 18.03.2022, është regjistruar emri i shtetasit Alqi Bllako, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.Me shkresën Nr.2407 Prot., datë 29.03.2022, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Kërkesa është shoqëruar me dokumentacionin përkatës.Me shkresën Nr.1274/4 Prot., datë 29.03.2022, ardhur nga Kuvendi, jemi njoftuar se kërkesa për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që do zhvillohet me datë 30.03.2022, ora 18.00.Me shkresën Nr.2407/4 Prot., datë 30.03.2022 kemi njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikëqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me shkresën Nr.1274/7 Prot., datë 30.03.2022 (ardhur në Prokurorinë e Posaçme në orën 19.40) na ka njoftuar për anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregullore, Mandatet dhe Imunitetin, për arsye se deputeti ka depozituar kërkesën për heqje dorë nga mandati deputetit. Neni 71, pika 2, shkronja “b” e Kushtetutës parashikon se: “…mandati deputetit mbaron kur deputeti heq dorë nga mandati…”. Me shkresën 2407/6 prot., datë 30.03.2022 (dorëzuar në gjykatë në orën 20.30) nga Prokuroria e Posaçme i është kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.Me vendimin Nr.26, datë 31.03.2022, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako. Vendimi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31.03.2022.Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022.
Skandali me Bllakon në “arrati”. Kreu i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika, kërkon të akuzoj SPAK, por del fiasko pas denoncimit zyrtar të Arben Krajës
Mëngjesin e djeshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, është kujtuar të sqarojë rastin e Alqi Bllakos. Me anë të një njoftimi për mediat thuhet se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.“Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e Policisë, por qëllimisht harrojnë një detajë kur theksojnë se dorëzimi është bërë në datë 31 mars, por që në realitet “vetëdorëzimi” është bërë në 1 prill. Këtë fakt e vërteton edhe deklarata zyrtare e SPAK e cila publikon vendimin Nr.26, datë 31.03.2022, ku Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako. Vendimi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31.03.2022. Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022. Për të parandaluar çdo ngjarje të padëshirueshme, sikurse ndodhi edhe me krerët e inceneratorëve që u arratisën, SPAK sqaron se: Me shkresën Nr.2407/4 Prot., datë 30.03.2022 kemi njoftuar Drejtorinë e Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë. Pra kjo shkresë ,vë me shpatulla pas murit Kreun e Drejtorisë së Tiranës Lorenc Panganika, i cili duhej të merrte masat përkatëse. Mos veprimi i tij, apo heshtja e qëllimshme përbën, në mos bashkëpunim të fshehjes së autorëve që shpallen në kërkim, minimalisht shpërdorim detyre.
Çfarë e detyroi Drejtorin e Policisë së Tiranës që të heshtë për Alqi Bllakon?
Policia njoftoi mediat në orën 7.00 të mëngjesit të së premtes së 1 prillit, se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako është vetëdorëzuar në polici pas një vendimi të gjykatës për masën “arrest me burg”. Ai akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në çështjen e inceneratorëve. Në mënyrë skandaloze, policia i cilëson “lajme të rreme” aludimet e mediave të enjten në darkë për arratisjen e Bllakos pasi vendimi i gjykatës ishte dërguar për ekzekutim në Prokurorinë e Posaçme që në orën 4 pasdite dhe deri në mesnatë policia nuk konfirmoi ndalimin e tij. Madje drejtori i Operacionales, Oltion Bistri tha në Çim Peka LIVE se nuk kishte ndonjë dijeni, ndërsa drejtuesi i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika nuk e hapi telefonin kur iu bë thirrje live nga emisioni i Syri Tv. Ngjarja u mbulua me mister dhe policia vazhdoi që të heshtte, deri në mëngjes dje kur publikoi një njoftim të paskrupullt, ku thuhej se Alqi Bllako është në Policinë e Tiranës. Por skandali mbetet dhe ai nis që kur policia e pranoi se nuk kishte dijeni, duke vazhduar me faktin që nuk e gjeti në shtëpi deputetin Bllako, e deri te shpërndarja e lajmit fals që në drekë se Alqi Bllako ishte vetëdorëzuar. Se çfarë e detyroi policinë e departizuar të Tiranës të hesht, kjo nuk mund të zbardhet me një arsye të vetme. Por e rëndësishme është që kjo situatë tregoi edhe njëherë sa e kapur dhe e njollosur është ajo.