Spahia: Ja provat që në Ministrinë e Shëndetësisë u dogjën dokumentet e tenderave sekretë

359
Sigal

Partia Demokratike ka nxjerrë provat zyrtare se si janë djegur dokumentet e tenderave sekretë në ministrinë e Shëndetësisë

“Në Ministrinë e Shëndetësisë u dogjën dokumente pas denoncimit të tenderave secret”, tha ish-deputeti Bardh Spahia.

Spahia në deklaratën për shtyp ka publikuar edhe emailin ku provohet nga vetë ministria fakti se në katin e katërt të ndërtesës se ministrisë së Shëndetësisë ka rënë zjarr dhe janë dëmtuar dokumentet.

Deklaratë e Partisë Demokratike, Bardh Spahia

Bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje Ogerta Manastirliu, gënjeu publikisht dje, duke fshehur faktin se në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente.

Ajo e dinte shumë mirë se informacioni i bërë publik nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i vërtetë, por zgjodhi të mashtrojë qytetarët.

Arsyet dhe përgjegjësit duhet t’i zbulojë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, që vazhdon të flerë mbi hirin e korrupsionit. Detyra jonë është të bëjmë publike provat:

  • Se në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr.
  • Se zjarri ka rënë në katin e Zyrës së Prokurimeve, ku ndodhen kontratat sekrete të tenderave korruptivë të denoncuar prej nesh që në datën 6 prill
  • Dhe se janë djegur dokumenta, që më pas, janë shuar me ujë.

Një muaj më parë, ne denoncuam zhvillimin e procedurave korruptive të tenderimeve me kontrata sekrete. Për disa ditë me radhë, u provuam shqiptarëve me fakte dhe të dhëna të pakundërshtueshme, se Qeveria po vidhte me tendera sekret në këtë periudhë epidemie, kur gjendja ekonomike e shqiptarëve përkeqësohej çdo ditë.

Qeveria heshti për këto vjedhje. SPAK-u po ashtu. Edhe më herët, ne kemi denoncuar se qeveria po e përdor heshtjen si strategji për të fituar kohë për fshehjen e gjurmëve të krimit dhe zhdukjen e provave.

Ky krim është kryer përmes djegies. Aq shumë dokumente janë djegur në Ministrinë e Shëndetësisë brenda një dite, sa është aktivizuar sinjali antizjarr.

E vërteta është kjo.

Në datën 15 Prill, në orën 18:00, në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës.

Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu.

Hajdutëria me tenderat sekret është aq e madhe, saqë nga një krim korrupsioni, qeveria e Edi Ramës po kryen edhe një tjetër vepër penale, siç është asgjësimi dhe fallsifikimi i dokumenteve shtetërorë për të zhdukur provat e megavjedhjes me mjetet mbrojtëse për mjekët, me maskat antiCOVID, me kitet e testimit, me pajisjet shëndetësore të respiratorëve.

Në email thuhet shprehimisht: “Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit”.

Fakti që Ogerta Manastirliu u investua personalisht dje për të mohuar zjarrin dhe djegien e dokumentave, duke sulmuar kreun e opozitës me akuzat shabllon të dala boje, provon se ajo është e përfshirë direkt në vjedhje.

Është vjedhja e shqiptarëve të varfëruar, së bashku me klientet e veta FARMANET, EUROMED, O.E.S. DISTRIMED, që e detyroi Ogerta Manastirliun të mashtrojë qytetarët.

Është blerja me dy deri në katër fish e mjeteve mbrojtëse për mjekët, e kiteve të testimit apo respiratorëve, që ka detyruar Ministren të urdhërojë djegien e dokumenteve dhe fshehjen e ngjarjes.

Është babëzia për të vjedhur paratë e shqiptarëve që i detyron të zhyten edhe më shumë në krim, duke i vënë zjarrin dokumenteve apo duke zhdukur provat.

Çdo qytetar që ka humbur vendin e punës, çdo qytetar që e merr të përgjysmuar rrogën, çdo tregtar që kjo qeveri e ka zhytur më borxh, çdo shqiptar që po vuan padrejtësinë e kësaj qeverie sot ka të drejtë të ndjehet i tradhëtuar prej saj.

Vjedhja e qytetarëve në kohë pandemie është tradhëti kombëtare.

Qytetarët e varfëruar edhe më shumë këtë kohë nga abuzimi, keqpërdorimi i parave të tyre dhe nga mungesa e mbështetjes nga shteti, kërkojnë drejtësi. Hajdutët në kohë pandemie duhet të shkojnë në burg!

Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky email zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit.

Ne kemi paralajmëruar që në fillim, tentativën e Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut për të manipuluar provat, për t’i zhdukur apo ndryshuar ato. Ky është një krim i ri, që duhet të hetohet pa asnjë vonesë.