Sot përplasje në Kuvend për ligjin e Teatrit

621
Sigal

Sot në parlament diskutohet projekt-ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar. Opozita gati për “luftë”

Sot në parlament do të diskutohet projektligji i qeverisë, për shembjen e Teatrit Kombëtar, i cili erdhi me procedurë të përshpejtuar. Muaj me radhë ky projektligj ka ngjallur reagime shumë të madha nga komuniteti i artistëve, të cilët u përkrahën fuqishëm edhe nga qytetarë, ndërsa opozita ka zhvilluar debate të ashpra në komisione parlamentare për të detyruar maxhorancën dhe qeverinë që të tërhiqej nga ky projektligj “I turpshëm”, siç u cilësua.

Zbardhet dokumenti i shitjes së tokës nga familja Libohova

Deputetja demokrate Jorida Tabaku publikoi dokumente autentike të vitit 1938, që ndalojnë tjetërsimin e pronës tek Teatri Kombëtar, si argument shtesë në pretendimin se akti i qeverisë është korruptiv dhe shkel çdo norme kushtetuese për pronësinë. “Në kontratë thuhet specifikisht që ai që e blen truallin, nuk e përdor dot për asnjë destinacion tjetër, përveçse për Teatër. Qeveria italiane që atëherë më largpamëse sesa qeveria shqiptare, e cila sillet si pushtuese e trojeve publike”, tha Tabaku. Bashkëngjitur është kontrata, e cila vërteton se prona ka një sipërfaqe prej 10625.31 metrash katrorë. E blerë nga Francesco Jacomoni në llogari të Mbretërisë Italiane për 7 franga floriri metri katror. Në total 74377.17 monedha floriri.

 

Basha thirrje Ramës: Tërhiqu nga ligji për Teatrin, do i bëjmë presion presidentit që të mos e dekretojë

Kreu i PD, Lulzim Basha ka marrë pjesë në protestën e djeshme të artistëve kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Basha paralajmëroi kryeministri Edi Rama që të tërhiqet nga miratimi i pr.ligjit për teatrin nesër në Kuvend, pasi opozita nuk do e lejojë dhe do bëjë gjithçka per ta ndaluar. Basha tha se do i bëjnë presion presidentit Meta që të mos dekretojë ligjin. “Paralajmërimi im është që Rama të tërhiqet nga miratimi i ligjeve anti-kushtetuese sa nuk është vonë. Ligje të tilla janë shpallje lufte dhe ne do të dimë të përgjigjemi nesër brenda sallës, iu bëj thirrje socialistëve që nuk kanë në sofrën e krimit, t’i bashkohen protestës. Ne do bëjmë gjithçka që ligji të mos kalojë nesër në Kuvend. Ne pas kësaj do i bëjmë presion Presidentit që të mos e dekretojë, i bëj thirrje ndërkombëtarëve që të mos mbyllin sytë dhe të gjithë këto nuk mjaftojnë do të jemi këtu me trupat tanë për ta mbrojtur në çdo formë. Ne brenda në sallë do bëjmë punën tonë, ndërsa ju jashtë do bëni punën tuaj për të ndaluar planin e grabitjes”- tha Basha.

Kryemadhi: Asnjë hap prapa, të mbrojmë Teatrin nga hajdutët e qeverisë!

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë hap prapa për mbrojtjen e teatrit. Zonja Kryemadhi thotë se aksioni opozitar për këtë çështje do të vazhdojë. “Asnjë hap prapa, të mbrojmë teatrin nga hajdutët e qeverisë! Opozita ka qenë që në fillim në mbështetje të kërkesave të artistëve, edhe pse çështja e Teatrit Kombëtar është çështje me përmasa kombëtare dhe nuk mjafton vetëm protesta e artistëve. Të ndërtosh kulla atje, ku për dhjetëra e dhjetëra vite është prodhuar kulturë, është arrogancë me çmim të lartë, çmim që sot e paguajmë të gjithë së bashku. Aksioni opozitar për çështjen e Teatrit do të vazhdojë pa ndalim! Ndaj sa më shpejt të ndodhë rokada e pushtetit, aq më të mbrojtur janë fëmijët e shqiptarëve nga droga dhe krimi.

 

Aktori Neritan Liçaj: Zoti i dha Ramës shenjë të bukur për ditëlindje

Në vijim të protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, aktori Neritan Liçaj e ka parë tërmetin si shenjë nga Zoti për të treguar që godina e Teatrit është më e fortë nga sa pandehet. Ai madje i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve ta shihnin këtë çështje si përfaqësues të popullit. “Ekzistenca ime varet nga unë dhe vetëm ai lart, ai lart sot dërgoi një shenjë shumë të bukur mbi të gjitha për Ramën, në ditën e ditëlindjes së tij. Ajo shenjë ishte, që kjo nëna jonë e vjetër e plakur na doli më e fortë se ato nuset e reja, parlamenti, ministritë. Sot nga ju varet Teatri, kuptoni rëndësinë e këtij vendi!,” tha aktori Neritan Liçaj.

Jakup B. GJOÇA