Sot në orën 13.30 gjykata e Tiranës do marrë vendimin për masën e dhënë nga SPAK për arrestimin e Malltezit, i cili denoncoi i pari skandalin e Inceneratorëve

33
Sigal

Reagonë opozita: Nuk ka prova, është vendim politik, janë mercenar që shkelmojnë Kushtetutën. SPAK: Dyshime për korrupsion pasiv.

Arrestohet Jamarbër Malltezi. Reagon Sali Berisha: Janë mercenarë që shkelmojnë kushtetutën

Mbrëmjen e vonë të së shtunës rreth orës 19:30 me urdhër të Gjykatës së Posaçme policia në Shqipëri ndaloi në aeroportin e Rinasit Jamarbër Malltezin. Dhëndri i Sali Berishës u shoqërua nga policia, ndërsa ai po priste në Rinas bashkëshorten Argitën, e cila kthehej nga Gjermania. Ndalimi i tij, është bërë pa u marrë asnjëherë në pyetje nga prokurorët apo oficerët e policisë gjyqësore. Ndaj Malltezit është caktuar edhe masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa mbi të rëndojnë akuzat për pastrim parash, korrupsion pasiv si edhe fshehje pasurie lidhur me kompleksin Partizani. Me urdhër të SPAK janë vënë nën sekuestro edhe disa pasuri të Malltezit. Mësohet se urdhri për ndalimin e tij është firmosur nga prokurori i posaçëm, Arben Kraja.

Rreth orës 20:00 të së shtunës lideri i demokratëve Sali Berisha njoftoi mediat për një konferencë urgjente për shtyp. Gjykata e Posaçme caktoi masë sigurie për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Masa e sigurisë u dha në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme për privatizimin e kompleksit sportiv ‘Partizani’.

Berisha: Rama urdhëroi prokurorët e tij mercenarë të lëshojnë një urdhër në kundërshtim me Kushtetutën

Rreth orës 21:20 të së shtunës Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat nga selia blu, u shpreh se sipas tij ka qenë Edi Rama ka urdhëruar prokurorët mercenarë të lëshojnë urdhër arreste në kundërshtim me kushtetutën. “Ai, i tronditur gjer në palcë nga krimet e tij, nga aferat në të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton, afera McGonigal, afera e djegësve, afera e sterilizatorëve, afera e Portit të Durrësit, afera e Butrintit. Edi Rama, pasi ka humbur mandatin e deputetit, siç thotë Kushtetuta, me tenderat që ka fituar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, thjeshtra e tij me emrin Xhillari në kompaninë I Riu, me tenderat që ka fituar Fangu apo burri i motrës së Linda Ramës, me implikimet e kësaj të fundit në bordet e bankave, de facto në përputhje me Kushtetutën, ai nuk është më deputet i Kuvendit të Shqipërisë.” – tha Berisha. “Unë pranoj plotësisht sfidën. Pra, as kufizimi im për të lëvizur në Shqipëri, unë jam deputet dhe duhet të takohem me zgjedhësit, të cilët sot ndjehen më Sali Berishë se kurrë. As kufizimi im për të lëvizur në Europë, nuk mund të ndodhte kurrë pa miratimin e komisioneve parlamentare. Por në vendin ku prokuroria është thjesht një seksion i PS, mund të merret çdo vendim’, -tha Sali Berisha.

Berisha: Pas kësaj çështje fshihet Edi Rama

Berisha denoncoi në konferencën për shtyp fikjen e dritave në disa qytete gjatë kohës së konferencës. Sipas tij kjo është bërë qëllimisht. “Kanë frikë. Terri i mbizotëron…Nuk ka këtu asnjë çështje personale. Pas kësaj çështje fshihet vetëm Edi Rama. Sepse Arben Ahmetajn e ka arrestuar Linda Rama. Ju nuk keni të drejtë të mos rikujtoni ato që u kam thënë këtu. Edhe dje një kolegu juaj më thoshte se duket sikur po e mbron Arben Ahmetajn. Jo, absolutisht. Po të merrni deklaratat e mia, pakkush mund të ketë më shumë deklarata se unë. Por nuk pranoj kurrë unë, që Linda Rama të bëjë gjah shtrigash. Atë nuk e pranoj unë. Sepse ato faturat e hoteleve, atij gjobëvënësit, Doçit, ia ka dorëzuar Linda Rama. Këtë nuk mund të pranoj unë. Morali im nuk i pranon këto. Për të mos thënë ca gjëra të tjera. Do ketë kohë për to…”- tha Berisha. Berisha kundërshtoi akuzat e SPAK.

Dy punonjës të policisë në selinë e Partisë Demokratike

Rreth orës 22:25 dy përfaqësues të Policisë së Shtetit kanë hyrë në ambientet e selisë së Partisë Demokratike. Ata zgjodhën pikërisht momentin kur kreu i opozitës, Sali Berisha kishte përfunduar një konferencë dhe ndodhej brenda kësaj selie.

Berisha: Edi Rama në panik kishte sjellë oficerë të lartë. Aksioni i nisur nuk do të ndalet

Pas mbledhjes në selinë blu, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sërish për gazetarët, ku theksoi se nuk i ka takuar dy oficerët e policisë, pasi respekton Kushtetutën e jo mercenarët e Edi Ramës. ky ishte një akt i turpshëm i Edi Ramës, i cili i urdhëron si mercenarë të shkelmojnë Kushtetutën. “Ka një nen, neni 73 pika 2, që qartëson në mënyrë të kristaltë çdo veprim, pra deputetit nuk mund t’i kufizohet liria në asnjë lloj forme pa vendim të parlamentit.”

Manjani: Pas 3 viteve hetime ende nuk kanë siguruar një provë të vetme që të ngrejnë akuzë zyrtare

Nga Ylli Manjani

Pra, që ta kuptojmë tamam, regjistrohet një çështje penale në 2020 dhe pas 3 viteve hetime ende nuk kanë siguruar një provë të vetme që të ngrejnë akuzë zyrtare. Pas 3 vitesh, pra kur po shkohej drejt shterrimit të afateve procedurale, thjesht merren disa masa shtrënguese për persona nën hetim, jo për të pandehur. E përsëris: personat nën hetim, pavarësisht barazisë në të drejtat procedurale, nuk janë të pandehur. Domethënë nuk janë nën akuzë. Sepse që të ngrihet akuzë duhen prova jo hamendësime kallëzimesh politike e popullore. Pyetja që shtrohet është: A është standard demokratik dhe kushtetues arresti me burg, pra heqja e lirisë, ndaj personave për të cilët shteti nuk ka asnjë provë fajsie?! A mund të mbahet në burg personi pa prova?! Kam kohë që e ngre këtë çështje. Nuk e kam lënë për situata VIP… I sugjeroj socialistëve, falangjeve të tyre në sistemin e drejtësisë, ta rishohin këtë mungesë standardi e garancie, sepse do t’u bjerë atyre në kokë tashmë. Ja edhe opozitën e shkatërruan, por (pa)drejtësia e re do vijojë me ta, me të njëjtën pamëshirësi.

Dosja “Partizani”, Gjykata e Posaçme verifikon sot masat e sigurisë për Malltezin dhe Bektashin

Gjykata e Posaçme do të zhvillojë sot seancën gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Seanca do të mbahet në orën 13:30. Për kryedemokratin Sali Berisha nuk ka ende një njoftim për verifikimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, për të cilën Berisha tha se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe një akt politik nga Edi Rama. Agjentët e Policisë së Shtetit zbarkuan më herët në selinë e Partisë Demokratike për t’i komunikuar masën e sigurisë kryedemokratit, si edhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Berisha refuzoi t’i takojë, ndërsa më herët ai kishte thënë se Rama u tremb nga bashkimi i opozitës dhe se akuzat ndaj tij u bënë me urdhër të kryeministrit. Kallëzimi është bërë nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në lidhje me procedurat e ndjekura për privatizimin e pronës shtetërore “Klubi Sportiv Partizani” Tiranë.

Topalli: Po shkelet Kushtetuta, shtet i prokurorëve qesharakë

Një ndër figurat e njohura të Partisë Demokratike Jozefina Topalli tha përmes një reagimi se duke i ndaluar lëvizjen një deputeti të Parlamentit, pa lejen e këtij të fundit, është duke u shkelur Kushtetuta dhe akuzoi qeverinë se po përdor organet e drejtësisë për qëllime politike. “Përdorimi i kërcënimit, ndalimit, arrestimit apo ndalimit të lëvizjes ndaj kryetarit të opozitës dhe familjes së tij është një praktike ekstreme, që dhunon në mënyrë ekstreme të drejtat e njeriut, minon demokracinë dhe stabilitetin e një shoqërie. Kjo praktikë përdoret nga regjimet autoritare apo grupe ekstreme, që kërkojnë të shtypin opozitën politike të një vendi. Në shtetin e prokurorëve qesharak, ndodh që të urdhërojnë ndalimin e lëvizjes së deputetit, pa lejen e parlamentit, në shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës si një kapërcim i pafalshëm i shtetit të së drejtës dhe si fakt i qartë i zbatimit të urdhërve politik. Përdorimi politik i drejtësisë kundra opozitës se një vendi e veçanërisht kundra kryetarit të opozitës dhe familjarëve të tij është hapi më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, por mund të kthehet dhe si hap vendimtar për të ndryshuar situatën nga një shtet i korruptuar dhe i kriminalizuar në një vend që interesimin publik e ka të shenjtë. Regjimet mafioze duhen rrëzuar bashkë me drejtësinë politike të tyre!” – tha Jozefina Topalli përmes një reagimi.

Petrit Vasili: Drejtësia e re ka marrë fund

Veprimet ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Sali Berisha janë sulm i hapur ndaj rendit demokratik, Kushtetues dhe Parlamentit të Shqipërisë. Pa u shprehur fare Parlamenti, drejtësia politike dhe talebanizmi politik rilindas në panik marrin vendime të çmendura. Urdhëron Edi Rama dhe vepron SPAK. Ndaj firmave fap- fap -fap të Edi Ramës, SPAK s’guxon të bëjë asgjë duke provuar kapjen e plotë politike të tij. Ky është sulm shumë i rëndë ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri me qëllim që të fshihet korrupsioni dhe inkriminimi kriminal mafioz i Ramës dhe rilindjes.