Sokol Hazizaj: Zgjedhjet, dinjitet për Kushtetuesen

209
Sigal

 

Dinjiteti i Gjykatës Kushtetuese do të duket nëse shqyrton ankimimin e opozitës për Kodin Zgjedhor

Pas emërimit të Altin Binajt, Përparim Kalos dhe Sonila Bejtjas, si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ky institucion tashmë i përbërë prej 7 anëtarësh është ligjërisht funksional. Gjykata ka nevojë ende për dy anëtarë që të plotësojë numrin e saj ligjor. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese tashmë që ka arritur kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime dhe pritet që të nisë menjëherë nga puna në datën 5 janar. Konstitucionalisti Sokol Hazizaj tha se mënyra se si u formua kuorumi në këtë gjykatë, përmes presionit politik dhe ndërkombëtar, vë në dyshim efikasitetin dhe dinjitetin e saj si institucioni që duhet të korrigjojë politikën, qeverinë, parlamentin dhe vendimmarrje që lidhen me thelbin e së drejtës. “Pyetja që shtrohet në këtë rast është a kemi Gjykatë Kushtetuese nga halli apo të ardhur në përputhje me ligjin kushtetues dhe do të funksionojë mbi bazën e tij? Unë mendoj se kemi një Gjykatë Kushtetuese nga halli, që do të thotë se nëse një gjykatë vjen në këtë mënyrë ne mund ta quajmë edhe gjykatë, siç është ajo e Apelit që nuk funksion, por sot për shkak të numrit të reduktuar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të sforcos jokushtetuese të fundvitit të kaluar mund të bëhet mbledhja e gjyqtarëve. Ajo që është e vërtetë është se Gjykata Kushtetuese rifilloi. Por çështja është se ky lloj kuorumi, njerëzit të ardhur si erdhën, a do ta kenë kredon për të zgjidhur çështje shumë të rëndësishme, duke nisur nga zgjedhjet e përgjithshme, ka disa kërkesa të opozitës lidhur me këtë. A kanë kredo? Sepse Gjykata Kushtetuese, përmes vendimmarrjes së saj bart edhe sensibilitete të karakterit politik, ndaj pas saj fshihen edhe interesa politike. Dhe kjo gjykatë u ngrit për shkak të presionit politik dhe ndërkombëtar”, – tha konstitucionalisti Sokol Hazizaj. Sipas tij, marrja në shqyrtim përpara zgjedhjeve të 25 prillit i ankimimit, që opozita ka bërë lidhur me Kodin Zgjedhor, do të ishte sinjali i parë i ekzistencës së një Gjykate Kushtetuese dinjitoze. “Asnjë kriter nuk e përjashton mundësinë që Gjykata Kushtetuese të mbledhë seancën dhe për të kaluar në diskutim kërkimet që kanë bërë subjektet politike lidhur me Kodin zgjedhor. Çështja është, këta 6-7 gjyqtarë a janë dinjitozë për të qenë atje? Gjykimi kushtetues është fundi i gjësë së mirë që mund të bëjë një sistem. Gjykata Kushtetuese do korrigjojë politikën, qeverinë, parlamentin dhe vendimmarrje që lidhen me thelbin e së drejtës. Shqyrtimi i këtij ankimi para zgjedhjeve të 25 prillit do të jetë sinjali i parë i ekzistencës apo jo i një Gjykate Kushtetuese dinjitoze”, – u shpreh konstitucionalisti Sokol Hazizaj.