Socialistët e Kuçovës dhe Sarandës, letër Ramës: Po shkatërrohet partia!

533
Sigal

Letra: Shpëtoni partinë nga njerëzit që po mbajnë peng zgjedhjet për kryetar. I deleguari Namik Dokle nuk ju tregon të vërtetën

Socialistët e Kuçovës i janë drejtuar kreut të tyre Edi Rama, me një letër, ku i kërkojnë ndihmë për të shpëtuar partinë nga një grup njerëzish, të cilët prej një viti po e mbajnë peng. Në letër shkruhet se: “Ata janë të etur për pushtet dhe njëkohësisht për të mbrojtur interesat e tyre bëjnë gjithçka”. Anëtarët e Asamblesë dhe anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste, thonë për gazetën, “edhe pse janë bërë premtime, në analizat e kryera të 47 organizatave të partisë si në qytet dhe nëpër komuna, ku ka marrë pjesë i deleguari i Asamblesë në qendër për Qarkun e Beratit, Namik Dokle, asnjë prej tyre nuk është mbajtur. Të gjitha premtimet kanë qenë false”, shprehen të irrituar anëtarët e asamblesë dhe kryetarët e organizatave. Burime nga Asambleja e kësaj partie bëjnë të ditur për “Telegraf”, se kjo letër vjen fill pas sosjes së durimit të tyre nga mashtrimet dhe gënjeshtrat që iu ka bërë i deleguari i qendrës dhe deputetët. Kështu që, socialistët e Kuçovës kanë marrë vetë një nisëm duke i dërguar një letër ditën e djeshme Ramës, ku i kërkojnë shpjegim nëse është në dijeni të kërkesave të shumta, të bëra nga socialistët e Kuçovës, ku ata kërkojnë zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste nga Asambleja dhe jo të komanduar. Personi aktual është komanduar për një kohë të papërcaktuar sa të zgjidhej kryetari i ri nga Asambleja, pas largimit të kryetarit të mëparshëm nga Rama.

Analiza

Burime nga Asambleja e kësaj partie bëjnë të ditur se me porosi të Ramës, në rrethin e Kuçovës është bërë një analizë e thellë në të gjitha organizatat e këtij rrethi. Ku nga analizat e kryera kanë dalë shumë probleme që shqetësojnë këtë parti dhe anëtarët e saj në të gjitha organizatat e partive socialiste. Kur është bërë analiza ka qenë i pranishëm edhe i deleguari qendrës për Qarkun e Beratit, Namik Dokle. Socialistet kanë kërkuar nga i deleguari dhe deputetët e Kuçovës, zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste. Ne,- thënë ata,- nuk duam kryetar të komanduar, por të zgjedhur nga Asambleja me votim. I deleguari i qendrës, Dokle iu ka premtuar se, do të bëhet zgjedhja e kryetarit të partisë brenda një kohe shumë të shkurtër me përfundimin e analizave të organizatave. Por kanë kaluar dy muaj nga përfundimi i analizave të organizatave dhe asnjë shenjë nuk ka ardhur për zgjedhjen e kryetarit nga Asambleja. Me të drejtë socialistët e Kuçovës shprehen: Pse i tremben zgjedhjes së kryetarit me votat e anëtarëve të Asamblesë këta drejtues? Pse gënjejnë hapur me premtime boshe?

Kërkesa

Një grup anëtarësh të Asamblesë të kësaj partie kërkojnë shpjegime se, përse nuk u thuhet e vërteta ashtu siç është. Përse gënjejnë këta drejtues, të cilët sot mbahen nga votat e tyre? Socialistët e Kuçovës që janë në asamble, apo që janë kryetar organizatash si dhe anëtarë të thjeshtë të kësaj paria janë shprehur për gazetën: “Ne po presim përgjigjen tënde zoti Rama, se kur do të bëhet mbledhja e Asamblesë për të zgjedhur kryetarin e kësaj partie?”.

Pjesë nga letra

Në letrën që i drejtojnë Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Ramës, ndër të tjera shkruhet: “Zoti Rama a jeni në dijeni të kërkesave tonë që prej një viti dhe në vazhdim, që ne kërkojmë zgjedhjen e kryetarit të Partisë Socialiste nga kryesia? Ne zoti Rama kërkojmë një kryetar të zgjedhur dhe jo të emëruar. Se kryetari i zgjedhur nga vota e Asamblesë ka një ndryshim dhe përgjegjësi më të madhe se ai i emëruari. Por këtë nuk e pëlqejnë një grup njerëzish, të cilët kanë frikë nga e vërteta dhe nga zgjedhja me votë të kryetarit të ri nga Asambleja. Zoti Rama këto persona si në qendër dhe në bazë për të ruajtur karriget e tyre prej 20 vjetësh nëpër institucione dhe për të ruajtur interesat e tyre përpiqen nëpërmjet deputetëve apo të deleguarit tuaj për Qarkun e Beratit, që të mos tregojnë të vërtetën se çfarë ndodh në këtë parti, e cila sa vjen e po dobësohet nga këto veprime”.

 Deputetja Xhuvani  bllokon mocionin e votëbesimit të kryetarit të rrethit të PS-së, Sarandë

Rebelohen anëtarët e asamblesë së rrethit të PS-së Sarandë

Elvis Hysi

Ka më shumë se dy muaj që pranë strukturave të PS-së të Sarandës,  rreth 70 % e anëtarëve të asamblesë së rrethit  kanë depozituar mocionin e mosbesimit për kryetarin e partisë së rrethit Sarandë, z. Gjergji Mërkuri. Mocioni i mosbesimit i bazuar mbi statutin e PS-së, vë në dukje shkeljet e rënda që janë bërë nga z.Mërkuri, gjatë ushtrimit të mandatit të tij tre vjeçar. Bazuar mbi po këtë statut, mocioni është dërguar përkatësisht Kryetarit të PS-së, Kryetarit të asamblesë, Sekretariatit të organizimit të PS-së, të deleguarit të kryesisë së PS-së dhe komisionit të garancive statutore të PS-së dhe brenda pesëmbëdhjetë ditëve si rregull duhet të kthehej një përgjigje në lidhje me këtë mocion. Në kundërshtim të hapur me statutin dhe shkelje të etikës së funksionimit demokratik të një force politike, deputetja e Sarandës, zj.Luiza Xhuvani mban të bllokuar këtë proces me pretendimin se akses te kryetari i PS-së ka vetëm ajo dhe askush tjetër. E gjithë kjo, bëhet vetëm për arsye të ngushta dhe personale nga ana e saj, duke mos bërë të njohur në qendër  realitetin dhe problemet që ka sot PS-ja e Sarandës. Nuk është hera e parë që deputetja  zj.Luiza Xhuvani dhe Nënkryetarja e Bashkisë ( ish -kryetare e PS-së Sarandë ) Zj.Rajmonda Gjoni bëhen pengesë  për realizimin e proceseve të ndryshme demokratike brenda PS-së, duke përmendur këtu zgjedhjet e Kryetarit të PS-së Sarandë, të FRESSH-it dhe të gruas, të cilat nën ndikimin e këtyre të fundit, janë realizuar në një fryme jo demokratike, jo në mbështetje të statutit dhe mbi një manipulim të hapur të rezultatit.  Duke shpresuar që ky ekspozim të bëjë të mundur reflektimin e strukturave për të vlerësuar drejt dhe në kohë situatën në të cilën ndodhet organizimi i PS-së në Sarandë, ata mendojnë që kryesia e PS-së do ta vlerësojë situatën  e krijuar në PS-në  e Sarandës dhe do  të japë zgjidhje në funksion të fitores së madhe në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2013 .

Ballafaqimi

“Telegraf” për të ballafaquar ngjarjet, faktet dhe personazhet e kësaj ndodhie në PS-në e Sarandës, kontaktoi edhe me deputeten Luiza Xhuvani. Deputetja e zonës së Sarandës, nuk pranoi se ekziston ndonjë mocion mosbesimi dhe – me tone nervozizmi- u përgjigj se këto që shkruhen janë …broçkulla. Ja intervista me zonjën Luiza Xhuvani, deputete e PS-së në Sarandë.

– Zonja Xhuvani, jeni gjë në dijeni për një mocion mosbesimi që anëtarët e strukturave partiake të Sarandës i kanë drejtuar kryesisë të PS-së dhe Kryetarit të Asamblesë për kryetarin e PS-së të Sarandës?

– Jo, nuk ka ndonjë mocion mosbesimi nga PS-ja e Sarandës. Kush ju tha juve?

– Zonja Xhuvani, madje, në këtë mocion mosbesimi, flitet që ju si deputete e zonës e keni bllokuar mocionin e mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së të Sarandës, me pretendimin që vetëm ju keni akses te Kryetari i PS-së. Kjo është e vërtetë?

– Kush ju ka dhënë këtë informacion, juve, të gazetës?

– Qëndrojnë këto që shkruajnë anëtarët e PS-së të Sarandës, për ju?

– Zotëri, më thoni kush ju ka dhënë këto të dhëna?- (zëri i deputetes Xhuvani është i nervozuar).

Janë 70% e anëtarëve që e kanë firmosur këtë mocion mosbesimi dhe e kanë dërguar në kryesinë e PS-së. Ju, si deputete e zonës,  e keni bllokuar?

– Zotëri, si më pyesni, pa më thënë kush e ka bërë atë informacion? Ato që më thoni se, shkruajnë ata, janë broçkulla. Nuk ka shkruar asnjë mocion mosbesimi. Natën e mirë!

Kërkesë për votëbesim

 

Kërkues:     Anëtarët e Asamblesë Socialiste të Rrethit Sarandë

 

Drejtuar :    Z.Edi Rama: Kryetar i PS-së

        Z.Gramoz Ruci: Kryetarit i Asamblesë Kombëtare

 Z.Blendi Klosi: Sekretar Organizativ i PSSH

              Z.Fatmir Xhafa: I Deleguar i Kryesisë së PS për Rrethin Sarandë

              Z. Alket Hyseni: Kryetar i Komisionit të Garancive Statutore të PSSH

 Z. Gjergji Mërkuri: Kryetar i PS-së të Rrethit Sarandë

             

      

Votbesim  për kryetarin e partisë së rrethit z. Gjergji  Mërkuri  për këto  arsye:

Me qëndrimin e tij të deritanishëm ka dëmtuar  imazhin e PS-së në rreth, duke krijuar  problem  serioz edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit  2013. Në zgjedhjet e majit të vitit 2011 dha dorëheqje, sepse nuk u caktuan kandidaturat  që ai vet kishte premtuar, si në Bashkinë e  Sarandës dhe në Komunën  e bregdetit Lukovë dhe nuk mori pjesë në regjistrimin e kandidatëve  të qeverisjes vendore. Qëllimi qe një i vetëm. Të dominonte kapriçua e tij. Këtë qëndrim ai e bëri prezent edhe tek Ju në qendër e  më pas ai u kthye vet në detyrë, por gjithmonë me  një imazh të dëmtuar  drejtuesi  partie në rreth dhe  pasi procedura për regjistrimin e kandidaturave të PS-së  për zgjedhjet vendore ishte përfunduar nga njeri  prej sekretarëve. Gjergj Mërkuri ishte dhe mbetet shkaktari kryesor,  duke qëndruar indiferent në humbjen e kryetarit të Këshillit të Bashkisë Sarandë, dhe në Qarkun e Vlorës, ku dihet që shumë nga këshilltarët socialstë nuk ja dhanë votën kandidatit të PS-së. Me qëndrimin e tij indiferent dhe me moskomunikimin e tij të rregullt me Kryetarin e Bashkisë Sarandë, janë krjuar shumë probleme me administratën e saj, të shoqëruara me pakënaqësi nga socialistët e thjeshtë. Në marrëveshjet që krijon me aleatët partiakë të majtë, si në Bashkine Sarandë dhe në shumë komuna, ai ka sjellë  vetëm humbje, sepse nuk është konsultar  me forumin që drejton dhe aleancat i publikon si aleanca personale të tija. Gjergji  Mërkuri si Kryetar i partisë së rrethit ka qenë shkaktari kryesor për incidentet dhe paregullsitë e krijura për :

  • zgjedhjet e reja në parti  për kryetar të PS Bashkisë,
  • në zgjedhjen e delegatëve të kongresit,
  • në zgjedhjen e kryetarit të FRESSH  të Bashkisë dhe në zgjedhjen e kryetarit të FRESSH  të rrethit.
  • dhe në zgjedhjet e kryetares së Forumit të Gruas të Bashkisë  dhe të Rrethit.

Duke  bërë fushatë zgjedhore të hapur pro alternativave të mbështetura e promovuara prej tij, duke mos garantuar barazinë në procesin zgjedhor, duke mos bërë transparent udhëzimet e kryesisë së PSSH, duke mos vënë në dispozicion të kandidaturave materialet dhe listat zgjedhore si dhe duke përcaktuar afate kohore të ngushta(me një ditë) në favor të kandidaturave të preferuara nga ana e tij. Në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në forumet partiake në rreth ka shpalosur qëndrim të njëanshem dhe ka krijuar çarje, plasaritje të pariparueshme  në strukturat e Partisë si në Sarandë, Dhivër, Ksamil, Borsh etj. Ende nuk është bërë konstituimi i Asamblesë së Rrethit Sarandë, pasi kanë mbaruar zgjedhjet e organizatat socialiste dhe nuk disponohet asnjë listë përfundimtare e Asamblesë, duke i dhënë mundësinë të shkarkojë e të emërojë sipas dëshirave të tij personale, kordinatorë, kryetarë forumesh e sekretarë, që janë vetëm në shërbim të tij e që i janë bashkuar PS-së kohët e fundit me qëllim përfitimi, e që sigurisht  nuk kanë snjë lidhje me PS-në dhe të majtën. Pra, kryetari i partisë Gjergji Mërkuri  nuk ka kryer dhe nuk po kryen detyrat e tij funksionale sipas statutit të PS-së. Asnjëherë deri  tani,  ku po afron tre vjet, nuk e kemi dëgjuar të bëjë oponencë, si kryetar i opozitës më të madhe në rreth. Në forumet tona partiake, nuk e kemi dëgjuar  të ngrejë zërin, në mbrojtje të halleve e problemeve që kanë socialistët e Bashkinë Sarandë dhe në Rreth. Ne nuk kemi nevojë për një kryetar partie, që qëndron në hije, por për një kryetar aktiv, të cilin deri më tani nuk e arriti  e nuk mund ta arrijë Gjergj Merkuri. Formimi i  tij për të drejtuar PS-në në rrethin e e Sarandës, është i mangët dhe lë për të dëshiruar. Nuk mund të shkojmë në një rezultat pozitiv në zgjedhjet e ardhshme të vititi 2013 me këtë kryetar partie.  Bazuar sa më sipër kërkojmë

Mocion votëbesimi për Kryetarin e partisë së Rrethit z. Gjergji Mërkuri.

Bashkëngjitur këtij votëbesimi, keni  listën e firmosur  nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së PS-së të rrethit  Sarandë, që kërkojnë këtë votëbesim.