Lefter Maliqi: Do të dal deputet vetë, kam mbështetje të madhe nga të majtët e zhgënjyer! Basha të mbajë premtimet, në rast të kundërt do ketë probleme

253
Sigal

Deputeti Lefter Maliqi shprehet i bindur se rrotacioni politik më 25 prill do të ndodhë. Në një intervistë televizive, Lefter Maliqi i cili kandidon në Qarkun e Beratit në siglën e LSI-së ku është renditur i fundit, tha se këtë gjë e ka kërkuar vetë dhe shton se do të dalë deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Mbështetjen për emrin tij,  Maliqi e sheh edhe tek të majtët që sipas tij janë të zhgënjyer nga PS-ja.

‘E kam kërkuar vetë për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur në Kodin Zgjedhor, pasi tani votohet edhe kandidati. Unë do të nxjerr në pah vlerat e mia në atë qark, nëse i kam mbështetur me investime, nëse kam mbështetje popullore. E shoh si sfidë. Pretendoj se do të dal deputet në zgjedhje, dhe nëse nuk do të dal do të dal më i votuari. E rëndësishme është që unë të punoj për njerëzit edhe këto 10 ditë që kam qenë në fushatë kam bërë të pamundurën, dhe kam një mbështetje shumë të madhe sidomos të majtët e zhgënjyer. Hera e parë në qarkun e Beratit që opozita e bashkuar të fitojë zgjedhjet, jam i bindur, kjo fushatë e bëri PS-në që të hanin kokat e veta. I mori në qafë edhe bashkëpunëtorët e tij, gjasme të dorëhequr.”,- u shpreh Maliqi.

Po ashtu Lefter Maliqi shtoi se në rang vendi LSI do të marrë mbi 20 mandate. Duke u shprehur i bindur se Aleanca për Ndryshimin dhe LSI do të fitojnë zgjedhjet, deputeti u ndal edhe në qeverisjen e pas 25 prillit. Maliqi tha se Basha duhet të mbajë premtimet, pasi në të kundërt do të ketë probleme në qeverisje.

‘Të jeni të bindur se do të kalojë mbi 20 mandate në shkallë vendi pasi unë e shikoj frymën.  LSI ka dalë e vetëm për të maksimalizuar votën e majtë. Nuk ka asnjë lloj shansi, pasi rrotacioni politik do të ndodhë. Basha të mbaj premtimet që ka dhënë dhe në rast të kundërt, brenda qeverisë do të ketë probleme. Kryemadhi dhe Basha do të jenë bashkë në qeveri dhe në bazë të rezultateve do të bëhet edhe ndarja në bazë  të programeve si do të qeveriset vendi.”,- tha Maliqi.