‘Skuthlliqet e Lali Erit dhe Edi Ramës’, Neritan Liçaj i prerë: Asnjë shans që Teatri Kombëtar të shembet

495
Sigal

Teksa është bërë më intesive lufta për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, artistët janë edhe më të vendosur për të rezistuar, qoftë edhe duke u përplasur fizikisht me punonjësit e policisë apo IKMT-së.

Pas një nate pa gjumë të kaluar në sheshin e Teatrit, Neritan Liçaj ka qenë në studion e Fax Neas, ku ka rikonfirmuar qëndrimin e artistëve se Teatri nuk do të prishet.

Ai e quajti planin për zhvendosjen e materialeve nga TK si një provokim të radhës nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria, dhe shtoi se prishja e godinës do të sillte fundin përfundimtar të Edi Ramës.

“Ministrja e Kulturës mohon që të ketë një dokument për zhvendosjen e materialeve të Teatrit Kombëtar. Teatrit eksperimental i kanë kërkuar që të largohen. Kemi dëgjuar shumë në gjithë këto kohë, ne e dimë që nuk vijnë dot dhe e gjitha kjo bëhet për provokim. Ne do të jemi 24 orë në 24 aty, janë thjesht skuthlliqet e Lali Erit dhe Edi Ramës, i provuan të gjitha taktikat me ne dhe nuk ja dolën. Unë personalisht mezi pres që të përballemi, pasi ka ardhur koha që ne të masim forcën tonë. Teatri Kombëtar është kthyer në një betejë kombëtare, kjo është vija për të mbrojtur vendin”, u shpreh Liçaj.

Aktori tha më tej se dhjetra qytetarë janë solidarizuar mbrëmjen e djeshme me ta, dhe askush nuk do të bëjë pushime, pasi vigjilenca në mbrojtje të godinës do të jetë maksimale.

“Ndjeshmëria ndaj Teatrit është shumë e madhe, ndejtën me ne gjithë natën dhe qytetarë që nuk kishin qenë kurrë më parë. Problemi më i madh është se ne kemi bërë aleancë shumë të fortë me intelektualë, dhe me grupe të tjera opozitare, do të ndizet një vullkan shumë i madh. Në nuk do të bëjmë pushime dhe ti lëmë Tetrin sa halabakëve që duan që të pastrojnë paratë e drogës, unë e kam thënë dhe më parë që Teateri do të jetë fundi i tyre”, tha aktori.

Liçaj nuk la pa komentuar as zërat për përçarjen e artistëve, duke thënë se një pjesë e tyre janë korruptuar në mënyra të ndryshme nga segmente pranë qeverisë.

“Shumë prej artistëve u kërcënuan, dhe një pjesë e tyre edhe pse nuk mund ta them me siguri janë korruptuar. Po unë ua njoh zemrat shumicës prej tyre, dhe e di që përveç tre katër kokrrave asnjë prej artistëve nuk do që Teatri të shembet”, deklaroi ai.

Aktori u shpreh se ka besim që do të ketë një deklarim edhe më të qartë nga institucionet ndërkombëtare kundër prishjes së Teatrit, ndërsa e quajti efektiv bashkëpunimin me opozitën, që sipas tij kur do të vijë në pushtet, do të vendosë për rikonstruktimin e godinës.