Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Prit! Jo, mos prit!

558
Sigal

Për Ty

Prit, mos nxito kaq shumë, tek zhvishesh

Të lutem ngadalë, Bëje tmerrësisht ngadalë,

T’i shoh çarçafët tek thinjen nga zilia

(E zezë është thinj-ja e copës së bardhë… )

Ma jep tani mua këmishën e ngrohtë,

Ma jep edhe turpin tënd të purpurtë ,

Gjerdanin e perlave të qafës Ma ler,

Ti var në rrathët e frymës sime të butë.

Mos u shtri aty! Prit, se jastëku

E paska një rrudhë e supin ta vret,

Më prit pak, që Hënën ta lëviz Si një ftua,

Ta vë në cep të dritares. Në qejfin e vet.

Se pas dashurisë do jetë pjekur

Dhe ne prej urisë…. Hënën mund ta hamë,

Po gjer atëherë dritë e saj tek kërthiza,

Le të ma mbush atë kupëz Përplot me shampanjë.

Tani përkulu, shtrihu, më thuaj!

Sa tigra të duhen

Të t’i fus nën lëkurë,

Jam gati të murosem tek harqet e tua

Tani që mbi mua Po bëhesh një Urë.

Tani çahu si shega në vjeshtën e tretë,

Dhe hape Flamurin e Kuq Si flakë,

Tani mos prit! Nxito, nxito,

Një sekondë po prita

Do të ngrysem një Plak…

Tani jam burri më i mirë në njëmijë,

Bëhu Zonja e jetës, Vrime e zezë kozmike,

Përpimë që të vdes dhe ngjallëm sërish

Je ti Ringjallja e sagës biblike.

Mos merr ashtu frymë, Se xhamat do t’i thyesh,

Dhe Zoti do zgjohet nga gjumi i penduar,

Që ne të dy na bëri bashkë

Ah, kaq të vonuar….

Tani mendoje këtë natë si të fundit,

Mi var rënkimet – perla Pas qafës tënde,

Se dua, se dua, se dua të mbetem

Pesëqind vjet pa mendje….