Sigal

Rrëfenjë   

Në erdhi një “i dërguar i posaçëm” tepër i rëndësishëm e me përgjegjësi të lartë partiake e shtetërore, për të sqaruar njerëzit rreth “tradhtisë së madhe” të një qeveritari të lartë, që jo vetëm ai katund, por e gjithë krahina, sipas “porosisë nga lart” i kishte dhënë votën dhe e kishin zgjedhur deputet, që t’i përfaqësonte në Kuvendin Popullor të Shqipërisë.

Korrieri u lodh e u bë telef duke shkuar derë më derë e shtëpi më shtëpi për të lajmëruar të gjithë fshatarët, burra e gra, të mos mungonin në këtë mbledhje të rëndësishme. Kur ndonjë nga fshatarët e pyeste se ç’ishte ky “sihariq kismet” e ç’të mira e hairllëk do të mësonin kësaj here prej tij, korrieri ia jepte përgjigjen menjëherë:

-Mos pyet shumë, se fjalët e tepërta janë fukarallëk, por luaji këmbët e eja në mbledhje ta marrësh vesh!

Korrieri, si i ra fshatit nga kreu në fund, lagje më lagje e shtëpi më shtëpi, duke mos i harruar edhe ata që punonin nëpër ara, nxitoi e vajti te oborri i shkollës t’i raportonte kryetarit, se porosinë e tij e kishte kryer plotësisht.

-Erdhën të gjithë? – pyeti kryetari i këshillit, duke iu hedhur një sy njerëzve të porsaardhur.

-Mungon vetëm Zyferi, është i sëmurë në shtrat e nuk ngrihet dot!- tha njëri nga fshatarët. -Ta sillni mbi drurë! – urdhëroi ashpër kryetari i fshatit dhe vazhdoi: – Që the ti, ta marrësh vesh ti, vjen një kokë e madhe nga qeveria e madhe e s’ardhka dot një Zyfer i sëmurë!… Si e prunë në tezgjere edhe të gjorin Zyfer, që mezi merrte frymë, gulçonte e rënkonte, fshati i tërë, me të mëdhenj e të vegjël ishte mbledhur në oborrin e shkollës. Njerëzit zunë vend, kush ulur këmbëkryq në lëndinë e kush në ndonjë gur, si fron rrethanor. Kryetari i këshillit, me mustaqet deri te veshi, hapi mbledhjen dhe falënderoi të deleguarin e “posaçëm”, që kishte marrë mundimin e kishte ardhur në këtë fshat malor pa një rrugë të saktë, në mes të maleve të lartë. Si i hodhi edhe një vështrim njerëzve të grumbulluar, sikur donte të zbulonte, nëse ishte i gjithë fshati apo mungonte ndonjë, fjalën ia dha të “deleguarit të posaçëm” që të bënte sqarimin e nevojshëm. I ardhuri nga lart, si u krekos e mori një pamje autoritare, nxori nga çanta një fletore të trashë, ku kishte regjistruar të gjitha “tradhtitë” e “sabotimet” e deputetit të zonës, të këtij “rrufjani politik”, që partia dhe populli i kishin besuar një detyrë të rëndësishme e që ai e kishte shkelur me të dy këmbët, duke u bërë pjesëtar me armiqtë e jashtëm e të brendshëm. Pastaj, duke e ngritur zërin, që ta dëgjonin edhe ata që ishin zaif nga veshët, e shau me rrënjë e me degë këtë “armik të rrezikshëm” e të kamufluar, që vetëm vigjilenca e partisë së lavdishme kishte mundur ta zbulonte. Fshatarët rrinin të heshtur e të ndrojtur. Shumë prej tyre u vinte keq për këtë njeri të mirë, që në kohën e Luftës Çlirimtare e kishin strehuar dhe e kishin pritur e përcjellë me bukë e kripë, si njeri të afërm, si mik të shtëpisë. Por u vinte edhe inat sa s’behej. Si vallë të kishte qenë “armik e tradhtar” që në atë kohë, kur kërciste pushka për liri, dhe ata të mos e kishin pikasur?!… Kur mbaroi “i deleguari i posaçëm” së shari e së rendituri, si zajet e lumit, të gjitha “tradhtitë, armiqësitë, rrufjanllëket e sabotimet” e deputetit të tyre, në ekonomi, politikë, partishmëri, atdhetari, të cilat nuk ishin një, dy e pesë, por fillonin që nga koha e lavdishme e Luftës e deri në ditët e sotme. Si ia qëndisi portretin mirë e bukur këtij “tradhtari”, fjalën e mori përsëri kryetari i këshillit të fshatit:

-Që the ti, ta marrësh vesh ti, kush ka për të folur për këtë laro, të demaskojë e të dënojë veprimtarinë e këtij tradhtari të rrezikshëm, që mos ia pafshim bojën e mos ia dëgjofshin emrin, se qelbi e turpëroi, jo vetëm fshatin tonë, por gjithë krahinën, rrethin, Shqipërinë, partinë e qeverinë! Nga mezi i fshatarëve, që kishin mbushur sheshin e shkollës, bashkë me Zyferin, gati për të hequr shpirt, si me zor u ngrit një dorë.

-Pa dëgjoni se do të thotë disa fjalë edhe hoxhë efendiu i fshatit! – tha kryetari i këshillit. “I deleguari i posaçëm” ia nguli sytë si turjelë atij që kërkoi të fliste. Mezi po priste që njeriu i perëndisë ta shante e ta demaskonte rëndë këtë tradhtar. Se armikun e partisë e të popullit, e dënojnë dhe s’e pranojnë, jo vetëm njerëzit mbi tokë, por edhe Allahu në qiell, duke e dërguar shpirtin e tij të zi në xhehenem, në pisë e në serë të valuar. Efendiu i fshatit, një dorë njeri, me çallmë gri e mjekër të bardhë e kishte fjalën gjetkë. Ishte koha që edhe klerikët; hoxhallarët e xhamive, priftërinjtë e kishave dhe baballarët e dervishët e teqeve, duhet të bënin propagandë në popull e te besimtarët e tyre për paqen e të firmosnin “apelin” e saj. Këtë porosi të veçantë e kishte të varur në vesh edhe nga Myftiu i qytetit e s’duhet ta harronte. Dhe rasti më i mirë se atë ditë për t’u folur fshatarëve, që ishin mbledhur me kuç e maçkë, nuk kishte. Hoxha, me çallmë gri e mjekër të bardhë, ashtu si ishte ulur në bisht, duke gërmuar dheun e oborrit të shkollës me një kleçkë, që i kishte zënë dora, as që e kishte mendjen fare përse po bëhej mbledhja e fshatit, kush lavdërohej e cili shahej e telendisej. Mezi u ngrit, nga vitet që i rëndonin mbi shpinë dhe, si u mundua të drejtonte trupin, tha:

-Edhe mua më ka porositur myftiu i qytetit… Gjatë fjalës së tij, fakiri hoxhë, u ngatërrua keq. Në vend të thoshte të “firmosim apelin e paqes” i shpëtoi goja e tha “të firmosim apelin e luftës!” Kryetari i këshillit kur dëgjoi fjalën luftë në vend të paqes, kërceu sikur ta kishte pickuar ndonjë mizë e ligë. Iu kthye efendiu e i shfryri:

-Dale de, ç’thua kështu mjekërcjap! Apelin e kujt? Hoxha akoma s’po e mblidhte veten nga hutimi e përsëriti:

-Të firmosim apelin e luftës! Kryetari i këshillit kësaj here u tërbua fare e i bërtiti: -Apelin e syve që të të pëlcasin e t’i mbash në pëllëmbë të dorës, çallmë derr! Si i dha dhe disa të shara të tjera, shikoi në dritë të syrit të “deleguarin e posaçëm”, sikur donte t’i thoshte: “E zbuluam edhe ne këtu në fshat një armik e tradhtar të fshehtë, e jo vetëm ju atje lart në qeveri e në parti. Se deri tani kanë thënë që peshku qelbet nga koka, por ja që u qelbka edhe nga bishti. Ja ku e kini firaunin e paudhë, që bie erë tradhti e armik i kamufluar!…” Hoxha u bë mehit i verdhë dhe e humbi si Xhaferi simiten. Nuk dinte nga të shkonte e nga t’ia mbante. Ndërsa kryetari i fshatit vazhdonte t’i thërriste me të madhe, sa merrte zë shkëmbi përballë fshatit:

-Çallmë derr, kopuk, delenxhi e…një sërë epitete e sharja, që rrallë i kishin dëgjuar veshët e fshatarëve. Tani i kishte vajtur aq afër efendiut me çallmë gri e mjekër të bardhe, gati për t’u përplasur trup më trup, duke vazhduar t’i shfrynte: -Armiku nuk ka brirë, gjidi qafir! E hodhe parullën, si gjarpri helmin dhe kërkon të ikësh, por nuk të lëmë të na shpëtosh nga duart. Ndërsa shoqëruesit e të “deleguarit të posaçëm” ia bënë gati prangat.