Skemë e “Patronazhistëve” në Shqipëri, një “Deja vu” e sistemit erdoganist

247
Sigal

Më pak se një vit më parë, ‘Pamfleti’ publikoi një hulumtim mbi trajnimet intensive që AKP e Erdoganit po zhvillonte me zyrtarët e Partisë Socialiste, trajnime që u zhvilluan në disa prej qendrave që partia në pushtet, ka në qytetet kryesore turke. Një nga këto programe trajnimi ishte natyrisht edhe puna invazive në territor, për të cilën partia e Erdoganit është tashmë një mjeshtre e vërtetë. Kjo punë, ka arritur që AKP të jetë në pushtet në Republikën Turke, që nga viti 1999 e deri më sot, pa asnjë ndërprerje. AKP e Rexhep Tajip Erdoganit nuk është forca politike, që ka mazhorancën absolute në shoqërinë turke, por vijon të jetë partia, që merr shumicën relative të votuesve në çdo zgjedhje, duke përfituar edhe nga sistemi politik, që i jep fuqinë për të qeverisur.

Fushata e Erdoganit në Turqi

I gjithë ky rezultat ka ardhur prej një strategjie perfide për të mbajtur të palëvizur një numër zgjedhësish, që shërbejnë si një “autobus elektoral”, i cili mbahet afër me mënyrat e njohura anadollake të shërbimeve e sajdisjeve. Por, që natyrisht, kjo ka ardhur edhe nga dobësia dhe jo konseguenca politike e opozitës turke, e cila është e përçarë e nuk ka arritur të gjejë një kohezion social në opinionin publik. Ndryshe nga “shpirtrat e ndryshëm” opozitarë, që ndodhen në shoqëri, “populli i Erdoganit” është kompakt e nuk përçahet në asnjë prej zgjedhjeve të përgjithshme e lokale. Kjo kompaktësi ka ardhur përmes një sistemi kapilar patronazhimi, që AKP u bën zgjedhësve të saj, të cilët janë kryesisht shtresë e varur nga “bamirësia e shtetit”. E në bazë të kësaj, ndodh ofrimi i ndihmave, pagesave apo paketave shtetërore, që e mbajnë elektoratin në lidhje me partinë në pushtet.

E njëjta skemë u zhvillua edhe në Shqipëri, ku në zgjedhjet e 25 prillit, ky sistem u perfeksionua deri në detaje.

Regjistrimi i njerëzve, që mund të jenë votues të PS-së, duke ofruar dhe afruar më shumë ata që janë të pakënaqur, që u futën në skemat e kompensimit të ndihmave post-tërmetit, ju ofruan vende pune, apo edhe ndihma të tjera nga ‘xhaghajdurët’, që kryeministri Rama i shpërndau në 12 qarqet e vendit. Kjo skemë u intensifikua në ato qarqe, ku PS kishte objektivin më të rëndësishëm për të maksimalizuar votat. Kështu për shembull, në Tiranë, morën para për të ristrukturuar banesat që u goditën nga tërmeti, edhe ata qytetarë, pallatet e të cilëve, ose patën dëme shumë të vogla, ose nuk patën dëme fare.

“Regjistrimi i njerëzve, që të jenë votues të PS-së, duke ofruar dhe afruar më shumë ata që janë të pakënaqur, që u futën në skemat e kompensimit të ndihmave post-tërmetit, ju ofruan vende pune”

Ndërsa në Durrës, Dako e Çela, hapën thesin, duke u dhënë të gjithë atyre familjeve, që i konsideronin si zgjedhës të mundshëm, që nga paraja ‘cash’, e deri te çeqet e rindërtimit, qiratë e banesave, ku morën edhe ata që nuk jetonin me qira, apo skema të tjera. Por baza e kësaj manovre është sistemi i të dhënave personale të regjistrimit të të gjithë njerëzve me të drejtë vote, ku i bëhet radiografia dhe më pas i hyhet “qilizëm” klientelist, për të arritur një blerje të atyre, që janë të lëkundur dhe për të afruar me vende pune e “bamirësi elektorale”, njerëzit që përbëjnë korpusin elektoral. AKP e Erdoganit kujdeset madje edhe për familjet e ushtarëve dhe të burgosurve, duke u dhënë ‘cash’ të ardhurat, që këto familje kanë siguruar nga djemtë, që ose janë larguar si rekrutë, ose janë në burg. E kjo lidhje në territor, në mënyrë permanente, sigurohet edhe nëpërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë në bazë të klerit, OJF-ve apo njerëzve, që kanë përkrahje në territor. Kështu në këto zgjedhje në Shqipëri, PS, vendosi të kandidojë ish-deputetët e opozitës, që kishin një lloj popullariteti në komunitete të caktuara. Këta deputetë, edhe pse nuk janë zgjedhur, do të shpërblehen me poste të rëndësishme, në mënyrë që të mbajnë pranë atë elektorat, që PS-së i siguron kuotën e 800 mijë votave në rang kombëtar. Një kuotë, që praktikisht e bën PS-në si AKP-ja e Erdoganit, një forcë politike që nuk bie asnjëherë nga pushteti…/ “Pamfleti”