EURO 2020(2021)/ ‘Favoritët’ prejnë biletën për në raundin tjetër, Suedia ‘surprizon’ dhe del e para në Grupin E

302
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kanë përfunduar ditën e djeshme, ndeshjet e fazës së grupeve të Kampionatit Evropian ‘Euro 2020’, i cili për shkak të pandemisë u vendos që të zhivllohet këtë vit, me një risi ku, nuk do të ketë vetëm 1 apo 2 vende organizatore, por ndeshjet do të zhvillohen në 12 vende të ndryshme të Evropës, me finalen e madhe të 11 korrikut, që do të luhet në stadiumin ‘Wembley’, të Londrës. Ndërkaq, ditën e djeshme u zbuluan emrat e të gjitha ekipeve, që prenë një biletë për në fazën tjetër.

Sllovaki 0-5 Spanjë

Një ditë e magjishme në Sevilja, për “furinë e kuqe”, të cilët e mbyllën me një manita fazën e grupeve, duke siguruar  kështu dhe vendin e dytë në grupin E. Spanjollët e nisën vrullshëm dhe në minutën e 12’, fituan një 11-metërsh, por Morata nga pika e bardhë e penalltisë gaboi dhe nuk mundi t’i jepte dot avantazhin të tijëve. Në minutën e 30’ do të vinte dhe goli i parë, ku pas goditjes së Sarabias topi do të përplasej në traversë dhe në momentin kur duhet ta kontrollonte portieri Dubravka bën një gafë qesharake dhe shkakton një autogol qesharak. Pas shënimit të golit të parë, spanjollët morën tërëisisht kontrollin e lojës duke shënuar dhe një gol tjetër po në pjesën e parë, me anë të mbrojtësit Laporte.

Me startin e pjesës së dytë ‘demat’ sërish vazhduan sulmet duke shënuar sërish në minutën e 56’, kësaj here më Sarabian. Më pas në minutën e 67’, Ferran Torres i sapo futur në fushën e lojës, do të shënonte dhe golin e katërt me një Sllovaki tashmë të dorëzuar. Por, nuk do të mbaronte me kaq, pasi vetëm 4 minuta më pas, në 71’, sllovakët do të pësonin një tjetër autogol kësaj here, nga mesfushori i tyre, Juraj Kuçka. Me këtë fitore Spanja arriti në kuotën e 5 pikëve, në vendin e dytë dhe, në fazën tjetër, do të përballet me Kroacinë.

Suedi 3-2 Poloni

Suedia arriti të siguronte kreun e grupit E, me një gol të shënuar në minutën e fundit të ndeshjes, përballë një Polonie që luftoi deri në minutën e fundit, për një vend në fazën tjetër, të këtij kompeticioni. Suedezët e nisën ndeshjen me gol, ku vetëm pas 81’ sekondash heroi i ndeshjes me Sllovakinë, Emil Forsberg, do të zhbllokonte rezultatin, duke kaluar në avantazh të tijët. Me gjithë sulmet e tyre, polakët nuk arritën dot të barazonin shifrat në pjesën e parë, duke shkuar në pjesën e dytë me kokën ulur. Me startin e pjesës së dytë u mendua se polakët do të bënin kthesën, por Emil Forsberg mendoi ndryshe dhe, në minutën e 59’, dyfishoi shifrat për të tijët.

Vetëm dy minuta më pas, në të 61’, do të vinte dhe reagimi i polakëve, me ikonën e sulmit të tyre Robert Levandovski , i cili ringjalli shpresat e polakëve. Polakët arritën të barazonin vetëm 4 minuta më pas në të 65’, por pas rishikimit të golit me sistemin VAR, arbitri anulloi festën e tyre. Në minutën e 84’, do të vinte zyrtarisht dhe goli i barazimit për polakët, sërish me Levandovskin, por festa nuk do të zgjaste deri në fund, pasi në minutën e 94’, Klason shënon të tretin për suedezët, duke i çuar ata në delir dhe në kreun e grupit E. Në fazën tjetër, Suedia do të përballet me Ukrainën.

Gjermani 2-2 Hungari

Gjermanët mezi arritën të kualifikohen për në fazën tjetër, me një Hungari që vuri ‘pancerat’ e Lëv, gjatë gjithë lojes në vështirësi, duke i lënë dy herë në disavantazh. Me startin e lojës hungarezët u dukën më të vendosur dhe që në minutën e 11’ kaluan në avantazh me sulmuesin e tyre, Adam Zhalai, duke i vendosur në presion gjermanët. Me gjithë përpjekjet e tyre, ‘pancerat’ nuk arritën do të barazonin rezultatin në pjesën e parë, duke zhgënjyer shumë nga tifozët e tyre. Me startin e pjesë së dytë, Gjermania shtoi ritmin e lojës së saj dhe në minutën e 66’, gjetën golin e barazimit me anë të Kai Havertz duke rihapur sërish lojën, në kërkim të një rezultati pozitiv.

Por, ende pa mbaruar festa e golit të gjermanëve, hungarezët këtë herë me mesfushorin Shafer kaluan sërish në avantazh, duke i befasuar gjermanët. Menjëherë ‘pancerat’ u hodhën në sulm, pasi me rezultatin 1 me 2 ishin ata që largoheshin nga kompeticioni dhe në minutën e 84’ mesfushori i ‘Bajern Mynihut’, Leon Goretcka, me një goditje të bukur nga jashtë zone, barazon shifrat dhe i siguron kombëtares së tij, vendin e dytë në grupin F. Në raundin tjetër, Gjermanët peshkuan Anglinë, një sfidë e cila do të tregojë shumë për këto 2 ekipe pretendente të këtij turneu.

Portugali 2-2 Francë

“Finalja” e përsëritur e edicionit të shkuar të Kampionatit Evropian ‘Euro 2016’ përfundoi në barazim, ku rezultati u vendos nga dy dopieta, respektivisht të Kristiano Ronaldos dhe Karim Benzemas. Portugezët e nisën më me zjarr lojën dhe në minutën e 31’ gjetën golin, ku pas një ndërhyrje të gabuar në zonë, arbitri akordon një 11-metërsh, që përkthehet në gol nga kapiteni luzitan, Kristiano Ronaldo. “Gjelat” e Deshamp, të gjetur në disavantazh nisën ofensivat sulmuese dhe në minutën e 47’ do të ishtë Karim Benzema, i cili po nga pika e bardhë e penalltisë do të barazonte lojën, duke e mbyllur në barazpeshë pjesën e parë.

Me startin e pjesës së dytë, francezët nuk pritën, por vetëm 2 minuta pas  nisjes së pjesës së dytë, sërish Karim Benzema, do të ishte ai që do gjente rrugën e golit për të çuar në avantazh të tijët. Por, ky avantazh nuk zgjati shumë, pasi në minutën  e 60’ një tjetër 11-metërsh akordohet, kësaj here për luzitanët, dhe sërish Kristiano Ronaldo do të ishte ai që do shënonte për të tijët, duke thyer dhe një tjetër rekord, atë të Ali Deit, sulmuesi iranian i cili ka shënuar 109 gola me kombëtaren e tij, po aq sa dhe Ronaldo. Në fazën tjetër, Portugalia mund të peshkojë Belgjikën, ndërsa Franca  me Zvicrën.