Skeda e pasurisë së deklaruar –Eduart Shalsi – Ministër Shteti për Sipërmarrjen

191

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi deklaron pasuri familjare me vlerë 39.8 milionë lekë, por rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për shtesën e pasurisë në vitin 2010.

Sigal

Eduart Shalsi u zgjodh ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në ndryshimet e kabinetit të kryeministrit Edi Rama në dhjetor 2018. Ai ka mbajtur më parë edhe postin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

Eduart Shalsi ka përfunduar studimet universitare në vitin 1990, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Biologji–Kimi në Tiranë dhe ka punuar fillimisht si arsimtar në shkolla të ndryshme të Tiranës. Pas një largimi 3-vjeçar për në Greqi, ai kthehet dhe fillon punë në të parën bankë private në Shqipëri, Tirana Bank.

Shalsi ka qenë gjithashtu drejtor i Përgjithshëm i kompanisë shtetërore shqiptare të sigurimeve, INSIG sha. Në vitin 2004, z. Shalsi i bashkëngjitet ekipit të Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës, fillimisht si shef kabineti i Kryebashkiakut dhe më pas si nënkryetar i Bashkisë.

Prej vitit 2009 ai është edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ministrit Eduart Shalsi nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi nga viti 2004 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga ministri Eduart Shalsi për vitet 2004-2018.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2004, Eduart Shalsi deklaronte pasuri me vlerë 9.7 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është rritur me 4 herë, duke kapur vlerën e 39.8 milionë lekëve.

Pasuria familjare e Z. Shalsi ndahet në 18.9 milionë lekë likujditete bankare, 15.4 milionë lekë pasuri të patundshme, automjete me vlerë 5.1 milionë lekë dhe kursime në cash prej 290 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 56.7 milionë lekë, nga të cilat 47% kanë si burim pagën e Z. Shalsi dhe 18% pagën e bashkëshortes. Të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortes si dhe nga mësimdhënia përbëjnë 15% të të ardhurave, ndërsa qiratë zënë 11% të të ardhurave totale.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në vitin 2010, Z. Shalsi rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për të mbuluar shtesën e pasurisë, duke krijuar një diferencë negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve në vlerën e 448,252 lekëve, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” përfitimet  nga trashëgimia në vitin 2016, si nga Z. Shalsi ashtu edhe nga bashkëshortja e tij.

Z.Shalsi deklaron se ka përfituar nga trashëgimia e babait 1/3 e një apartamenti me sipërfaqe 66.7m2 dhe likujditete në cash në shumën e rreth 834 mijë lekëve. Ndërsa bashkëshortja e tij deklaron se ka përfituar si pjesë takuese nga trashëgimia 1/3 e një apartamenti me sipërfaqe 119 m2.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018