Prerje e paligjshme e pyjeve, 8 persona procedohen penalisht në Dibër

231

Tetë persona procedohen penalisht nga policia në Dibër pasi u gjetën duke prerë dru në mënyrë të paligjshme. Procedohet edhe drejtuesi i njësisë administrative Selishtë dhe dy kryepleq.

Sigal

Policia e Dibrës njoftoi të shtunën nisjen e procedimit penal ndaj 5 personave të përfshirë në prerje të pyjeve, 2 kryepleqve dhe administratorit të njësisë Administrative Selishtë për moskallëzim krimi.

“D. B., I. L., XH. F., A. S., XH. L., banues në Selishtë Dibër. Procedimi ndaj tyre ka filluar pasi, shërbimet e policisë gjatë kontrollit të territorit në zonën e Selishtës, kanë evidentuar që shtetasit e lartëpërmendur kishin prerë në mënyrë të paligjshme lëndë drusore”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Policia njofton se ka bllokuar një sasi druri të prerë në mënyrë të paliqshme. Ndërkohë në lidhje me këto raste, janë proceduar penalisht nga policia edhe S. M, kryeplak i fshatit Selishtë e Sipërme, H. R, kryeplak i fshatit Selishtë e Poshtme dhe F. M, administrator i njësisë Administrative Selishtë në bashkinë Dibër. “Si të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprës penale ‘Moskallzim  krimi’”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Zona e Selishtës në Dibër është më problematike sa i përket prerjes së paligjshme të pyjeve. Banorët e fshatit Dushaj në Fushë-Bulqizë, ku shtrihet edhe masivi pyjor “Sheshe Bulqizë”, e kanë denoncuar disa herë në polici masakrën mjedisore në këtë zonë që po bëhej nga persona të ndryshëm nga krahu i Selishtës në bashkinë Dibër.

Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit. Një studim i PPNEA (Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), në nëntor 2019-të, gjeti se moratoriumi i pyjeve kishte kufizuar prerjet e pyjeve në sipërfaqe të mëdha, por se prerjet ishin intensifikuar në sipërfaqe të vogla.