Lulëzon biznesi i miliardave të palmave. Përfituesit, suport politik dhe qeveritar

579
Sigal

Tharja masive e palmave, Prof. As/Dr. Dine Merja: Ja 3 mënyrat e tharjes së qëllimtë nga dora e njeriut

Në vendin tonë ka filluar tashmë biznesi i ri shumë fitimprurës i palmave. Llogaritet që nga buxheti i shtetit të dalin rreth 3 miliardë lekë blerje palmash në vit. Ndërsa çmimi për palmë vërtitet në masën e 300 mijë lekëve. Shumë nga qytetet tona, sidomos në ato bregdetaret, palmën e kanë si një nga pemët më të dashura për dekorimin e shesheve, rrugëve, apo lulishteve në kuadër të “gjelbërimit të qytetit”. Kështu, vetëm vitin e kaluar, një nga qytetet e mëdha të vendit tonë ka blerë, në vlerën e gati 1 miliardë lekëve, palma dhe pemë dekorative për “gjelbërimin e qytetit”. Porse, ajo çka po vë në dyshim specialistët, është se po vihet re tharja në masë dhe pothuaj e njëkohshme e tyre.

Po, çfarë po ndodh saktësisht?

Tharja e palmave duket se nuk është e rastësishme. Përkundrazi, individë të caktuar apo dhe vetë krerët e pushtetit vendor, për qëllime klienteliste e për arsye përfitimi (biznesi i palmave rezulton të jetë shumë fitimprurës), kanë gjetur metoda të ndryshme për të tharë qëllimisht palmat zbukuruese. Specialistët japin alarmin për këtë “sëmundje” artificiale të palmave, duke shpjeguar nga ana shkencore arsyet e tharjes së këtyre pemëve të “shtrenjta”. Ajo çka rezulton është se për hir të interesave personale të përfitimit dhe për qëllime klienteliste vidhen nga buxheti i shtetit (e për pasojë të gjithë taksapaguesve shqiptarë) qindra miliona lekë, të cilat fare mirë mund të përdoreshin për më shumë shkolla, për shëndetësi më funksionale, për shërbime më cilësore etj., etj..

Përfituesit, abuzues?!

Duke qenë se biznesi i palmave është mjaft fitimprurës, së pari, kjo situatë e krijuar (tharja e pemëve) i volit pikërisht kompanive që merren me këtë biznes. Ndaj, nuk është e habitshme që individë të caktuar të “kujdesen” për tharjen e palmave.

Së dyti, një tjetër përfitues i drejtpërdrejtë i këtij biznesi janë dhe pushtete vendore, të cilët bëjnë dhe prokurimet për “gjelbërimet e qyteteve”. Ndodh shpesh që në këto prokurime nuk veprohet ne bazë të legjislacionit “Për prokurimet”, ku fitues të jenë ata që japin çmimin më të vogël, por, në të kundërt, për qëllime përfitimi dhe klienteliste shpallen fitues ata që kanë dhënë çmime më të larta duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm Buxhetit të Shtetit.

Greqia, precedent në tharjen e qëllimshme të palmave

E gjithë kjo e ka zanafillën në shtetin e Greqisë, ose më saktë në veri të saj. Në një nga kopshtet e saj botanike u vu re tharja e menjëhershme e palmave. Specialistët filluan të analizonin shkaqet e mundshme të kësaj “sëmundje”, nëpërmjet analizave laboratorike e vëzhgimeve të thelluara. U arrit në përfundimin se e gjithë kjo katrahurë ishte artificiale (jo sëmundje e vetë bimës), pra, nga dora e njeriut. Kimikatet e spërkatura qëllimisht në to kishin sjellë tharjen masive të tyre.

Prof. Merja: Ju tregoj si abuzohet me palmën

E njëjta gjë po ndodh edhe në vendin tonë. Specialistët tanë japin mendimin e tyre për këtë situatë, e cila ka degjeneruar tashmë si një fenomen normal dhe askush (nga strukturat shtetërore) nuk merr mundimin për t’i shkuar deri në fund shkaqeve të kësaj katrahure. “Çdo lloj abuzimi fizik, kimik dhe biologjik i bimës sjell për pasojë tharjen e saj” pohon për “Telegraf”, Prof. As/Dr. Dine Merja, një nga personalitetet më të shquara në fushën e Kimisë dhe Fizikës Bërthamore (prej 30 vitesh drejtues i Institutit të Fizikës Bërthamore), duke treguar 3 nga mënyrat sesi mund të jetë abuzuar me pemët e palmës që ka sjellë edhe tharjen masive dhe të njëkohshme të saj:

1. “Nëse palma spërkatet me kimikate (varet nga emri dhe përqendrimi i tyre), atëherë bima, si dhe të gjitha gjallesat e tjera bimore pëson dëmtim, (në këtë rast tharjen)”, shprehet Prof. As/Dr. Merja. Siç edhe e shpjeguam më lart, persona të cilët përfitojnë nga ky biznes mund të kenë përdorur këtë metodë. Ndërsa është për t’u vënë në pikëpyetje edhe spërkatja e famshme e mushkonjave nga Ministria e Shëndetësisë këtë verë e bregdetit të vendit, ndërsa është vënë re një tharje masive e pishave dhe pemëve të tjera, sidomos në zonën e Divjakës, ku dhe spërkatja ishte më e përqendruar.

2. Një mënyrë tjetër, sipas Prof. As/Dr. Merja me qëllim tharjen e palmave mund të jetë edhe injektimi i kimikatit me anë të shiringës. “Një mënyrë tjetër mund të jetë edhe injektimi i kimikateve nëpërmjet shiringës në lëvoren e palmës dhe nëpërmjet gypave përcjellës, kimikatet shkojnë e shpërndahen në të gjithë pemën duke sjellë tharjen e saj” shprehet Prof. As/Dr. Merja.

3. Dëmtimi fizik i palmës në mënyrë të qëllimshme mund të jetë nja nga mënyrat që kanë përdorur të interesuarit për të përfituar nga ky biznes që është në lulëzim në vendin tonë, biznesi shumëfitimprurës i palmave. “Nëse dëmton lëvoren e palmës, duke e prerë rreth e përqark atë, bashkë me të dëmtohen edhe enët komunikuese të bimës, të cilat përcjellin ujin dhe kripërat minerale, të marra nëpërmjet rrënjëve nga toka. Dhe nëse për bimët mungon ushqimi, atëherë vjen tharja e tyre”, shprehet Prof. As/Dr. Merja. Pothuaj në të gjitha palmat e thara vihet re dëmtimi i tyre (i qëllimshëm) fizik. Të jetë kjo arsyeja e tharjes masive të palmave? Ne e nisëm, tani i takon organeve kompetente për t’i shkuar deri në fund këtij skandali. Përfituesit nga biznesi i palmave nuk njohin pengesa. Mesa duket, edhe suporti i tyre duhet të jetë në rang politik apo qeveritar, qoftë i atij qendror, qoftë i atij vendor. Gjithsesi, biznesi i palmave ka lulëzuar tashmë, duke pasuruar individë të caktuar, në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.