Skandali ndërkombëtar Rama-McGonigal/ BILD: Maja e ajsbergut, në lojë edhe djali i presidentit amerikan

157
Sigal

Gazeta më e madhe gjermane BILD, me tirazhin më të madh në Evropë, publikoi një shkrim investigues ku thuhet se kryeministri Edi Rama përdori lidhjet e Charles McGonigal në FBI për të shpallur non-grata, liderin e opozitës, Sali Berisha.

Shkrimi thekson se skandali i agjentit të korruptuar të FBI-së ka shkaktuar një tërmet në Ballkan, që ndjehet deri në Berlin.

Arsyeja është pikërisht këshilltari sekser i Edi Ramës, Dorian Duçka. Ky i fundit cilësohet si pika e kontaktit me politikanë dhe gazetarë gjermanë. Në lojën e pistë të Ramës dhe Duçkës mund të jenë përfshirë edhe politikanë gjermanë, ashtu siç ka denoncuar SYRI më herët.

Por në shkrim bie në sy edhe një tjetër fakt pikant.

Ashtu siç kanë denoncuar disa media të mëdha amerikane, edhe gazeta BILD shkruan se ky skandal ndërkombëtar është maja e ajsbergut, pasi në lojë është edhe djali i presidentit amerikan, Hunter Biden.

“Padia amerikane mund të jetë sipas vlerësimeve të medias amerikane vetëm maja e ajsbergut e një skandali ndërkombëtar korrupsioni: kjo sepse ka edhe lidhje me pazaret e Hunter Biden (53 vjeç), djalit skandaloz të presidentit amerikan, Joe Biden (80 vjeç).

Dorian Duçka ka punuar, krahas rolit të tij si ‘këshilltar financiar’ i Ramës, edhe për ish-konglomeratin kinez të energjisë, CEFC (i falimentuar në vitin 2020).

Kjo është e njëjta firmë, për të cilën ka kryer punë edhe djali i presidentit amerikan,” shkruan gazeta BILD.

Sipas saj, ligjvënësi republikan në SHBA, Ronny Jackson ka denoncuar se firma kineze CEFC, shefi i të cilës ka lidhje të mira me ushtrinë kineze, ka kaluar rreth 6 milionë dollarë në llogaritë bankare të Hunter Biden.

Kurse gazeta ‘Washington Post’ ka raportuar se një shumë prej 4.7 milionë dollarësh kanë kaluar për një fond, në bordin e të cilit janë Hunter Biden dhe xhaxhai i tij, James Biden.

“Në mesin e marrëdhënies së biznesit mes Biden dhe CEFC bie në sy një email shumë shpërthyes ku premtohet një pjesë prej 10 përqind për ‘Big Guy’, që nënkupton presidentin e sotëm të SHBA,” shkruan BILD.