Prof. Anastas Angjeli: Presidenti Biden kërkon një Amerikë të bashkuar

184
Sigal

Fjalimi i përvitshëm i presidentit amerikan mbi gjendjen e unionit (State of the Union), që mbahet përpara kongresmenëve dhe senatorëve konsiderohet si platforma politike e arritjeve dhe objektivave të Shtëpisë së Bardhë në të ardhmen. Në këtë fjalim presidenti i SHBA shpalos pikat kryesore të planit të tij politik. Për këtë arsye fjalimi i presidentit Biden mund të konsiderohet edhe si një udhërëfyes politik, jo vetëm e vitit 2023, por edhe për gjithë pjesën e mbetur të mandatit të tij. Edhe pse fjalimi ishte shumë dimensionale dhe trajtoi shumë çështje dhe reforma,”në veçanti spikati trinomi i tre problemeve të mëdha: një Amerikë e bashkuar, arritjet në përballjen e situatës ekonomike dhe sociale ndaj krizës së inflacionit dhe çmimeve dhe zhvillimet ekonomike të deritanishme dhe për të ardhmen dhe qëndrimet për politikën e jashtme dhe zhvillimet globale”

Një Amerikë e bashkuar

Në fjalimin e ditës së martë, Presidenti Biden u përqëndrua në arritjet e mandatit të tij dyvjeçar dhe për planet e tij për dy vjeçarin e ardhshëm. Biden u kërkoi republikanëve që ta ndihmojnë atë të “përfundojë punën e nisur” për rindërtimin e ekonomisë dhe rivendosjen e besimit në demokracinë amerikane, ndërsa bëri thirrje për veprim për reformën në polici, kontrollin e armëve dhe krizën klimatike. Biden argumentoi me optimizëm se vendi është më i fortë dhe më i qëndrueshëm se kur ai mori detyrën dy vjet më parë. “Ky ka qenë gjithmonë vizioni im për vendin dhe e di që ashtu është për shumë prej jush,“- u tha ai republikanëve, duke shtuar “për të rivendosur shpirtin e kombit, për të rindërtuar shtyllën kurrizore të Amerikës, klasën e saj të mesme dhe për të bashkuar vendin”. Gjatë gjithë fjalimit të tij u përpoq që të qëndronte larg përplasjeve dhe ndasive që karakterizojnë situatën aktuale politike duke vlerësuar ligjet e kaluara gjatë këtyre dy viteve si ligje dypartiake, që kanë kaluar me votat dhe për pasojë me kontributin e të dy partive. “U bashkuam për të miratuar ligjin e infrastrukturës duke ndërtuar ura, që lidhin popullin tonë. U bashkuam për të miratuar ligjin më domethënës që ka ndihmuar ndonjëherë viktimat e ekspozuara ndaj djegieve toksike. Dhe në fakt kam nënshkruar mbi 300 ligje dypartiake që kur u bëra president. Nga riautorizimi i Aktit për Dhunën ndaj Grave, Aktit të Reformës së Numërimit Zgjedhor, Ligjit për Respektimin e Martesës. Dhe për miqtë e mi republikanë, nëse kemi mund të punojmë së bashku në Kongresin e kaluar, nuk ka asnjë arsye që të mos mund të punojmë së bashku dhe të gjejmë konsensus për gjëra të rëndësishme edhe në këtë Kongres.”

Ekonomia dhe poblemet sociale në fokus

Megjithatë, ai u tregua i qartë në qëllimet e tij politike dhe njëkohësisht në punën që është bërë gjatë këtyre dy viteve. Tonaliteti i fjalimit të tij dhe fokusimi i tij në një politikë edhe me axhendë sociale donte të thoshte më shumë se sa fjalët e mëdha, që janë tipike për një fjalim të tillë të përvitshëm që është shndërruar në një praktikë tradicionale të politikës amerikane. “Për dekada të tëra , klasa e mesme është goditur. Shumë punë manifakture me pagesë të mirë u zhvendosën jashtë shtetit. Fabrikat u mbyllën. Qytetet dhe qytezat dikur të lulëzuara që shumë prej jush përfaqësojnë u bënë hije e asaj që ishin dikur. Kam kandiduar për president për të ndryshuar rrënjësisht gjërat, për t’u siguruar që ekonomia jonë të funksionojë për të gjithë, në mënyrë që të gjithë të ndjejmë krenari për atë që bëjmë. Për të ndërtuar një ekonomi nga poshtë lart dhe, jo nga lart poshtë. Sepse kur klasa e mesme përparon, të varfërit kanë mundësi të ngjisin një shkallë për lart dhe të pasurit ende bëjnë shumë mirë. Të gjithë bëjmë mirë.” Biden u përqëndrua në 800 mijë vendet e reja të punës në manifakturë, që janë hapur gjatë dy viteve të fundit dhe në uljen e nivelit të papunësisë deri në 3.4% dhe gjithashtu në politikat e tij, të cilat kanë në fokus që “zinxhiri i furnizimit për Amerikën të fillojë në Amerikë”. Në fjalimin e tij ai theksoi me forcë masat e marra në lidhje me politikat shëndetësore dhe me mbrojtjen sociale si dhe me përplasjen me interesat e mëdha ekonomike në fushën e shëndetësisë, të cilat për vite të tëra kanë abuzuar, duke rritur çmimet e barnave dhe duke vështirësuar jetën e njerëzve të thjeshtë. “Insulina ka ekzistuar për më shumë se 100 vjet. Njeriu që e shpiku as nuk e patentoi sepse donte që të ishte i disponueshëm për të gjithë. Kompanive të barnave u kushton afërsisht 10 dollarë një shishe për të prodhuar insulinën. Bashke me paketimin mund të shkojë deri në 13 dollarë. Megjithatë firmat e mëdha farmaceutike u ka ngarkuar njerëzve në mënyrë të padrejtë qindra dollarë, 400 deri në 500 dollarë në muaj, duke bërë fitime rekord. Jo më! Jo më!” Përsa i përket politikave fiskale Biden u fokusua në rëndësinë e ndryshimit të mënyrës së tatimit. “Sistemi tatimor nuk është i drejtë. Kjo nuk është e drejtë. Shikoni, ideja që në vitin 2020, 55 nga korporatat më të mëdha në Amerikë, bënë 40 miliardë dollarë fitime dhe paguan zero taksa federale? Zero? Njerëz, kjo thjesht nuk është e drejtë. Por tani, për shkak të ligjit që kam nënshkruar, kompanitë duhet të paguajnë një minimum prej 15%”Ne duhet të shpërblejmë punën, jo vetëm pasurinë. Kaloni propozimin tim për taksën minimale të miliarderëve. E dini, ka një mijë miliarderë në Amerikë. Numri është rritur nga rreth 600 në fillim të mandatit tim. Asnjë miliarder nuk duhet të paguajë një taksë më të ulët se një mësues shkolle apo një zjarrfikës. “Në lidhje me deficitin buxhetor Biden bëri përgjegjëse administratën paraardhëse për rritjen e tij dhe se për përballimin e tij të pasurit duhet të paguajnë pjesën që ju takon dhe se në asnjë mënyrë nuk do lejojë që të preken politikat sociale dhe sigurimi shëndetësor. “Në vend që t’i bëjnë të pasurit të paguajnë pjesën e tyre të drejtë, disa republikanë, duan që Medicare dhe Sigurimet Sociale të preken. Sigurimet Shoqërore dhe Medicare janë një mjet shpëtimi për miliona të moshuar. Pra, sonte, le të biem dakord të gjithë – dhe me sa duket jemi – le të ngrihemi për të moshuarit. Ngrihuni dhe tregojuni atyre se nuk do të shkurtojmë sigurimet shoqërore. Ne nuk do të shkurtojmë Medicare. Këto përfitime i përkasin popullit amerikan. Dhe nëse dikush përpiqet të shkurtojë sigurimet shoqërore, gjë që me sa duket askush nuk do ta bëjë, dhe nëse dikush përpiqet të shkurtojë Medicare, unë do t’i ndaloj. Unë do të vë veton. Dhe shikoni, unë nuk do t’i lejoj ata të bëjnë këtë.  As sot. As nesër. Kurrë.”

Qëndrimi për politikën e jashtme

Politika e jashtme zuri një vend jo të madh në fjalën e tij. Por qëndrimet për këtë çështje ishin shumë të rëndësishme. Ai theksoi se sot bota është duke u përballur me sfida serioze dhe i vendosi zhvillimet politike ndërkombëtare të vitit të fundit (agresioni ushtarak dhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës) në një plan përplasjeje midis  “demokracive” dhe “regjimeve autoritare”. Lidhur me luftën në Ukrainë, Biden tha se SHBA do të mbështesë Ukrainën kundër pushtimit rus “për aq kohë sa të jetë e nevojshme“, duke theksuar se përgjigja e Uashingtonit ndaj luftës ishte e përshtatshmja. “Ne do të jemi pranë jush – për aq kohë sa të duhet,“- tha Biden. “Vendi ynë po punon për më shumë liri, më shumë dinjitet, më shumë paqe – jo vetëm në Evropë, por kudo”, -shtoi ai. Në fushën e politikës së jashtme Biden iu referua gjithashtu edhe marrëdhënieve të tensionuara mes SHBA-së dhe Kinës, duke theksuar se ata do të veprojnë për të mbrojtur sovranitetin nëse kërcënohen, ndërsa theksoi se SHBA-ja nuk kërkon konfrontim në konkurrencën e saj me Kinën. Edhe pse ngjarja e balonës spiune kineze, që fluturoi mbi SHBA zuri vend kryesor në debatin politik në Amerikë gjatë fundjavës, në fjalën e tij, kjo zuri vetëm një pjesë shumë të vogël. Çfarë ndodh në SHBA është e rëndësishme për pjesën tjetër të globit. Falë edhe globalizimit ky është fakt i pakundërshtueshëm. Globalizimi, i cili është kthyer tashmë në një ideologji dominante, dëshmon çdo ditë se zhvillimet pozitive ose negative të një vendi të madh siç është SHBA-ja përhapen rrufeshëm në mbarë globin dhe ndikojnë në fushë ekonomike, financiare, atë të sigurisë, zhvillimit dhe paqes. Politikat e Presidentit Biden duket se po bëjnë një ndarje nga ato aspekte të globalizimit neoliberal, që kanë shkaktuar aq shumë problematika sociale në çdo cep të globit. Ndaj ky fjalim dhe strategjia zbatuese e tij në nivelin kombëtar dhe në atë global po shoqërohet me një interes në rritje dhe reagime të shumta dhe njëkohësisht pritshmëri edhe në pjesën tjetër të botës.