Të enjten Kuvendi miratoi Komisionin Hetimor Parlamentar për serverin e DPT, ndërsa të premten prokuroria e Tiranës çuditërisht, pushoi ndjekjen penale ndaj palëve të akuzuara: Së pari ndaj vëllait të ministrit Gjiknuri, Panajot Gjiknuri, i cili ishte personi i paautorizuar që u fut në DPT, menjëherë pas zgjedhjeve të 2013 dhe ndërhyri në serverin e DPT, duke fshirë të dhëna tepër sekrete, si edhe duke kopjuar gjithçka që i interesonte. Padia e dytë ishte nga drejtoresha e DPT kundër ish- drejtorit të IT te DPT, Renald Rista. Çuditërisht, prokuroria në zbardhjen e vendimit të pushimit të hetimeve, siç e zbardh gazeta “Telegraf”, nuk shikon asnjë shkelje penale ndaj asnjë pale të akuzuar. Fillimisht, ndaj prokurorisë, drejtojmë këto pyetje: A e vlerësoni se Panajot Gjiknuri, vëllai i ministrit Gjiknuri ishte person i paautorizuar, që ndërhyri në serverin e DPT? Ky fakt, a nuk përbën vepër penale? Prokuroria meqë nuk ka njohuri teknike që të vlerësojë nëse u kopjuan, u klonizuan të dhënat e serverit nga vëllai i ministrit Gjiknuri, si e vlerëson që ai nuk kreu vepër penale, derisa mori këto të dhëna nga serveri i PDT? Mos vallë, sipas prokurorisë së Tiranës, meqë i paautorizuari që ndërhyri në serverin e DPT është vëllai i ministrit Gjiknuri, atëherë, nuk ka asnjë vepër penale? Derisa në urdhrin e MF thuhet se të dhënat nuk klonohen nga persona të jashtëm, për prokurorinë e Tiranës, ndërhyrja e vëllait të ministrit Gjiknuri në serverin e Tatimeve, nuk përbën krim penal?
Renald Rista, Ish-drejtori i IT te Tatimet: Të dhënat e serverit u morrën nga personat e paautorizuar
Ish-drejtori i IT te Tatimet, Renald Rista, ka folur për dosjen e serverit të Tatimeve. Rista ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjeve që nga ndërhyrja e ekspertëve në serverin e tatimeve, zhdukjen e të dhënave dhe hetimet për rastin. Ish-drejtor i IT thotë se në videon e publikuar, personat që ndërhynë në sistem “dolën bashkë me të dhënat”. “Në urdhrin e Ministrisë së Financave nuk shkruhet “të klonohet”, dhe auditi bëhet nga persona të jashtëm, jo nga kjo ministri. Për shkëmbimin e të dhënave duhet marrëveshje. Administrata tatimore nuk është përgjegjëse për humbjen. Nëse tani të dhënat fshihen, përgjegjës është biznesi. Më parë përgjegjës për humbjen e të dhënave ishte administrata”, tha Rista. Ish-drejtori i IT te tatimet. Nuk dihet se ku shkuan të dhënat e kopjuara. Historia ka nisur në 15 nëntor 2014, me procesin e kopjimit. Në server ka ndryshime të datave të të dhënave. Shkaku i kopjimit ishte ndërhyrja e ekspertëve”, shpjegoi Rista. Sipas Ristos, ata nuk u lejuan të ndërhynin në sistem për të rikthyer të dhënat. “Nuk u lejuam të rikthenim të dhënat, na nxorën jashtë dhe na thanë që asnjëri mos hyjë në dhomat e serverëve, sepse do vijë prokuroria. Nuk ka asnjë të dhënë se ku shkuan të dhënat e serverit. Ata që ndërhynë na akuzuan për ndërhyrje. Unë do jap kontributin tim për çdo informacion e detaj për këtë çështje, ashtu siç kam bërë edhe në Prokurori. Ngjarjen specifikisht do ta vë në dispozicion të Komisionit Hetimor Parlamentar për serverin e Tatimeve, nëse e kërkon”, shpjegoi Renald Rista. Atëherë, prokuroria dhe Ministria e Financave nuk bëhen merak se ku shkuan të dhënat? Përse ministri Cani, Panajot Gjiknurin, vëllain e ministrit Gjiknuri, pas ndërhyrjes në server e bëri këshilltar të tij dhe më vonë drejtor të IT në MF? Për ta shpërblyer për punën në klonimin e të dhënave që mori nga serveri i DPT?
Prokuroria pushon të dy akuzat për “paqe” të palëve
Dy ditë pasi Kuvendi vendosi ringritjen e komisionit hetimor parlamentar për Serverin e Tatimeve, gazeta “Telegraf” ka arritur të sigurojë vendimin e plotë të Prokurorisë së Tiranës, e cila ka vendosur në muajin qershor pushimin e çështjes. Prokurorët Julian Zonja dhe Antoneta Sevdarasi në materialin prej 15 faqesh kanë parashtruar të gjitha argumentet, se përse kjo çështje duhet pushuar dhe përse nuk ka vepër penale për të dy kallëzimet e bëra si nga ana e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve Brisida Shehaj ashtu dhe nga ish drejtori i IT i këtij institucioni Renald Rista. Sipas prokurorisë, rezulton se nga serveri i tatimeve nuk është fshirë asnjë e dhënë përgjatë vitit 2013 dhe akuza e ngritur nga Drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj ndaj ish-drejtorit të tatimeve Renald Rista dhe përfaqësuesit të kompanisë Ikubi info Elton Ropit nuk qëndron. Ky është një prej konkluzioneve përfundimtare të dy prokurorëve të prokurorisë së Tiranës të cilët për 20 muaj hetuan për anomalinë e shfaqur në server gjatë nëntorit 2013. Serverit i janë kryer dy akt ekspertime kompjuterike: Në të parin Drejtoria e Policisë Shkencore nuk kishte kapacitete teknike dhe logjistike për ngritjen e serverit në gjendje pune dhe nuk njihen politikat e menaxhimit të serverit për të përcaktuar nëse ka fshirje apo jo; Ekspertimi i dytë i kryer me ekspert privat i datës 24.04.2015 evidenton se nga analiza e fileve nuk konstatohet asnjë e dhënë për fshirjen e deklarimeve, pasi të dhënat ekzistojnë si në skedarët e të dhënave ashtu dhe në skedarin e depozitimit. Gjithashtu vihet re një aktivitet shumë i madh i proceseve që tërheqin dhe transformojnë dhe pastrojnë të dhënat si dhe aktivitetet automatike.
Por përse janë zhdukur përkohësisht të dhënat në sistem nga serveri i tatimeve?
Për këtë pyetje ekspertët janë përgjigjur se Proceset e brendshme që ekzekutohen në DPT për transportim, transferim, transformim, pastrim të dhënash mund të përfshijnë operacione “TRUNCATE”; “DELETE”; “DROP”. Shpesh në këto mjedise ku këto procese nuk janë plotësisht automatike mund të ndodhin gabime në konfigurime që mund të sjellin anomali. Pra, sipas ekspertëve të dhënat janë në database dhe plotësisht të rikuperueshme dhe çfarë ka ndodhur është anomali elektronike pa ndërhyrje të qëllimshme të individëve të caktuar. Nga ekzaminimi i “trace log out” të “Microsoft SQL Server” vërehet një aktivitet shumë i madh i operacioneve të transferim, transformim dhe pastrim të dhënash të cila mund të kenë sjellë ndonjë anomali për mos shfaqjen e tyre. Nga ana tjetër, lidhur me akuzën e ngritur nga Renald Rista se grupi i Auditit ka konsultuar, kopjuar apo fshirë të dhënat shtetërore që ruheshin në serverin e tatimeve. Prokuroria shprehet se është e vërtetuar se grupi i auditit i kryesuar nga Panajot Gjiknuri dhe Ermal Beqiri ka kryer kopjimin e të dhënave në server, provuar nga deklarimet e specialistëve por dhe nga akti i ekspertimit ku u provua lidhja e një pajisje kopjuese të hard disqeve. Sipas prokurorëve, kopjimi dhe klonimi i të dhënave është i justifikuar në funksion të auditimit, në bazë të detyrës së caktuar me Urdhrin e Ministrit të financave nr. 68 në 12 nëntor të vitit 2013 dhe planit të auditimit nr 17208 i të njëjtës datë. Eksperti i grupit auditues Olsi Karapici ka pranuar para prokurorëve se propozimi për kryerjen e klonimit të të dhënave u bë nga Panajot Gjinkuri, ndërsa procesi i klonimit u krye nga shtetasi Ermal Beqiri dhe filloj me serverin e deklarimeve, duke e fikur serverin nga punonjësi i DPT. Klonimi i të dhënave është bërë nga data 15 deri me 17 nëntor të vitit 2013. Sipas prokurorisë për të dy kallëzimet e hetuara në një procedim penal nuk ka konsumim të asnjë vepre penale dhe për këtë arsye çështja duhet të pushohet.
Deputeti Shereferdin Shehu, anëtar i Komisionit Hetimor Parlamentar për serverin e tatimeve: Informacioni i marrë nga tatimet u përdor për presion dhe hatëre ndaj bizneseve
Në intervistën për gazetën “Telegraf” deputeti Sherefedin Shehu, që është edhe anëtar i Komisionit të Hetimit Parlamentar për serverin e Tatimeve, pohoi se informacioni që u mor nga vëllai i ministrit Gjiknuri, që ishte person i paautorizuar, u përdor për të bërë presion, ndaj bizneseve që nuk janë pranë qeverisë aktuale dhe njëkohësisht, për t’u bërë favore bizneseve të miqve të deputetëve dhe ministrave. Ja sesi u shpreh ndër të tjera, deputeti Sherefedin Shehu, për gazetën “Telegraf”: Ne si opozitë kemi kërkuar ngritjen e këtij komisioni hetimor parlamentar, pasi kemi dyshimet e arsyeshme që është ndërhyrë në serverët e DPT, për të bërë manipulime, si edhe për të marrë informacione mbi tatimpaguesit, të cilat me ligjin “Për procedurat tatimore” konsiderohen si konfidenciale. Ne dyshojmë se ky informacion i marrë jashtë çdo procedure ligjore, është përdorur për dy qëllime. Së pari, për të bërë favore për tatimpagues të caktuar, duke ju fshirë të dhënat nga sistemi i detyrimeve tatimore ose për të bërë rimbursime të paligjshme, qoftë nga shuma, apo edhe nga radha e kryerjes së pagesave, por edhe për t’i përdorur për t’i bërë presione në biznese të tjera që konsiderohen si jombështetëse të qeverisë.