Skandali: Kryeministri Rama e Manastirliu inaugurojnë Hemodinamikën, por pacienti vdes 3 javë më pas

548
Sigal

Shëndetësia virtualisht falas, ka rezultuar tragjike për një pacient 50-vjeçar që humbi jetën në Spitalin e Fierit, në repartin e Hemodinamikës. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, por gjithçka po mbahet e fshehur për të mbuluar problemin e vërtetë të mosfunksionimit të reparteve dhe mungesës së specialistëve, ndonëse në këtë spital plot pompozitet u përuruan ambientet e Hemodinamikës nga kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu vetëm pak javë më parë. Pikërisht në atë “pavion modern”, pacienti P. V (për arsye etike boldnews.al jep vetëm inicialet), humbi jetën dhe nga dyshimet e para rezulton se ka ardhur për disa faktorë, që mund të ishin shmangur. Nga të dhënat që disponon Boldnews.al, rezulton se kjo vdekje ka ardhur si pasojë e mungesës së sallës së Kardio-Kirurgjisë, pasi, nëse pacienti ka komplikacione si çarje e koronares apo mbyllje e trungut komun të koronareve, transferohet urgjent për ndërhyrje në Repartin e kardiokirurgjisë. Fatkeqësisht spitali i Fierit nuk e ka këtë repart. Aktualisht ndërhyrjet (koronaret) kryhen vetëm nga një mjek, ndërsa protokolli shëndetësor e kërkon që çdo operacion i këtij lloji, duhet të jetë në bashkëpunim me disa specialistë. Gjithashtu ka dyshime nga denoncimet e mbërritura, se edhe mjeku që paraqitet në spital, nuk është i certifikuar për të kryer ndërhyrjet e koronares. Problematikat janë të shumta në spitalin rajonal në Fier, por zërat e specialistëve që duhet të reagojnë janë shuar përgjithnjë, bashkë me humbjen e jetës së pacientëve. Hermetizmi i çdo informacioni lidhet me praninë e kryeministrit dhe ministres së shëndetësisë që vizituan ambientet e brendshme të Hemodinamikës, duke u shprehur se tashmë çdo pacient do ishte më i sigurt dhe së shërbimi do ishte në “standarde evropiane”. Qytetarët pacientë tashmë nuk kanë gojë të flasin, pasi vetëm pak javë pas inaugurimit, me pompozitet, një pacient ka humbur jetën, pikërisht për mosfunksionimin zinxhir të të gjithë reparteve që duhet të jenë në kapacitet teknik dhe njerëzor për çdo komplikacion të mundshëm.