Skandali i Benet Becit / Kreu i KESH dhe kandidat për deputet i PS, kërkon agronom për tenderin 25 mln USD. Ja kriteret abuzive

252
Sigal

Një tender i shpallur pak javë më parë nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) për rikonstruksionin e rrugës në hidrocentralin e Komanit, po karakterizohet jo vetëm nga shifra gjigande e fondit limit, rreth 25 milionë dollarë, por edhe nga numri i lartë i kritereve abuzive, të cilat orientojnë procedurën drejt një fituesi të paracaktuar. Në 8 Shkurt 2021, KESH-i shpalli procedurës për “rikonstruksionin e rrugës Qafë Qelë (Vau i Dejës)-Koman”, me fond limit 2.5 miliardë lekë të reja pa TVSH. Tenderi pritet të mbyllet në fillim të Prillit 2021. Korporata, e drejtuar nga Benet Beci, kërkon që operatorët e suksesshëm duhet të kenë më së paku 500 të punësuar gjatë 6 muajve të fundit, një kërkesë tejet e ekzagjeruar, sipas konstatimeve të Komisionit të Prokurimit Publik, i cili e ka marrë në shqyrtim paraprakisht procedurën. Një kërkesë e ekzagjeruar është edhe fakti që kërkohet nga operatorët ekonomikë që të kenë të punësuar të paktën 30 inxhinjerë, ndërkohë që për punë të tilla nevojitet një numër shumë herë më i vogël. Por, ajo që konsiderohet tërësisht absurde në tenderin 25 milionë dollarësh të Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare është fakti që kompanitë konkurente duhet të kenë të punësuar edhe një agronom. Procedura e prokurimit publik ka edhe një sërë problematikash të tjera, të konstatuara nga Komisioni i Prokurimit Publik. Një ndër to lidhet me një licensë specifike për punimet të natyrës mjedisore. Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare kërkon që operatorët duhet të jenë të pajisur me licensë të tipit NP-12/G, për punime të inxhinjerisë së mjedisit. Kompania që është ankuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik pretendon se kjo kërkesë tejkalon detyrimet ligjore për llojin e tenderit. Lidhur me këtë kriter, kompania ankimuese ngre dyshime se ajo është vendosur për të orientuar tenderin gjigand drejt fituesit të paracaktuar. Boldnews.al