SKANDAL/ Drini Mataj, drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Zyrën Qendrore të ZQRPP, tregon abuzimet e drejtuesve të rinj
Çfarë po ndodh me administratën e Ramës, si po funksionon hipoteka. Më poshtë keni një SMS të siguruar pas një investigimi, të drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, drejtuar kryeministrit të vendit, Edi Rama, për një sërë shkeljesh të drejtoreshës së Përgjithshme, Blerina Doracaj. Një letër që shërben si një indicie për Prokurorinë e Përgjithshme për të nisur hetimin për këtë superskandal. Dhe gjithçka e rrëfyer nga një zyrtar i lartë i institucionit.
Më poshtë mesazhi i plotë dërguar Kryeministrit
23/10/2017
Drini Mataj: I nderuar Kryeministër,
Duke ju kërkuar ndjesë për shqetësimin, do t’ju lutesha të më kushtonit disa sekonda vëmendje, pasi kam një shqetësim, i cili mendoj që dëmton rëndë imazhin Tuaj. Quhem Drini Mataj, deri të premten si Drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Zyrën Qendrore të ZQRPP (Hipotekës). Kam filluar punë në një ditë me Kryeregjistruesen në detyrë, Znj. Blerina Doracaj, pas një detyre 4-vjeçare në Agjencinë e Trajtimit të Pronave si përgjegjës sektori, ku kam pasur vlerësime maksimale të punës. Kryeregjistruesja, Znj Doracaj, më propozoi të punoja me të dhe fillova punë menjëherë si drejtor i Shërbimeve Mbështetëse. Ditën e premte, Dt 20 tetor 2017, në orën 6 pasdite, në email-in personal me një komunikim me email nga kryeregjistruesja, më vjen një urdhër i shkarkimit pa asnjë motivacion. Ky urdhër ishte nxjerrë 3 ditë përpara dhe mua nuk më ishte bërë prezent. Ditën e premte, 3 ditë pas urdhrit të shkarkimit, më ka deleguar detyra me shkrim. Ky është një shpërdorim i hapur i detyrës, pasi ka ndërhyrje në protokollin e një prej tre institucioneve më të rëndësishme në Shqipëri. Këtë e provoj me shkresa zyrtare. Ky veprim, më jep një dëshirë të madhe të përdor gjithë forcën që më jep ligji për të çuar në vend të drejtën time, qoftë edhe mediatikisht, por stepem, pasi e di që ajo përfaqëson Vullnetin Tuaj. Duke pasur bindjen e plotë, që fryma që ajo përçon, nuk është Vullneti Juaj, vendosa t’ju shkruaj për t’ju informuar dhe pasur besimin e plotë që e drejta fiton gjithmonë.
Ky kaos vjen si pasojë:
1 – E emërimeve të kushërinjve të parë të saj dhe të bashkëshortit të saj në ZQRPP (Hipotekë).
2 – E ndërhyrjeve në zyrën e protokollit dhe dokumenteve zyrtare.
3 – E caktimit të sekretares së saj me një nivel aspak etik dhe profesional dhe pa arsimin përkatës në komisionin më të rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë (Ku marrin pjesë, Drejtori i kabinetit të ministres, drejtoresha e Kodifikimit) për përzgjedhjen e drejtuesve të hipotekave të rretheve.
4 – Që nga emërimi i saj pranë zyrës vendore të Tiranës, që të kryhen shërbime për njerëzit e saj, ka kryer shkarkime pa motivacion ligjor dhe të paarsyetuar.
5 – Kur një punonjës denoncoi fenomenin (Xhuljen Sava), për praktikat që mbaheshin nga shoqja e Znj Doraci (Jasmina Llukacej, shefe zonës 1), ky i fundit iku nga puna.
6 – Z. Kryeministër, ju them me bindje të plotë, që nën kujdesin e znj. Doracaj asnjë nga praktikat e qytetarëve nuk bëhen sipas radhës kronologjike dhe sipas ligjit.
Nga eksperienca ime, prej 3 muajsh në krah me të, po ju bëj me dije se është shumë e paqëndrueshme dhe e dobët në vendimmarrje, duke dhënë shpeshherë direktiva, të cilat pasi i rimendon ose i bëhet e qartë që janë të gabuara, i ndërron disa herë. Zyrat qendrore dhe vendore janë plotësisht jashtë funksionit. Historia vazhdon edhe më keq se ka qenë. Zoti Kryeministër, me besim të plotë te Ju, kam edhe shqetësime të tjera që është e domosdoshme t’i shpreh pranë zyrës suaj. Kam shumë praktika dhe emra konkretë ku mendoj që znj. Doracaj ka shpërdoruar Besimin Tuaj.
Me respekt Drini Mataj