Skadon mandati i të dekretuarve të Presidentit Nishani

421
Sigal

Betejat e politikës, nga 20 janari, në Kuvend pritet zëvendësimi i ministrave

Qetësia e këtij fillim viti pritet të pasohet nga një stuhi zhvillimesh të muajit janar. Përtej përplasjeve politike nga selitë e partive, palët i rikthehen betejës në Kuvend më datën 20 Janar. Neni 74 i Kushtetutës përcakton se Kuvendi fillon veprimtarinë e tij të hënën e tretë të janarit. Ndonëse pa shumë projektligje në axhendë, të mbartura nga viti i kaluar, 2014-ta parashikohet intensiv nga politikëbërësit. Për punimet  e sesionit të ri, Kuvendi ka trashëguar miratimin e dy dekreteve të Presidentit të Republikës  për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Petrit Ceno dhe Gjovalin Përnoca, por për votimin e tyre rrezikohet të shkelen afatet. Pas më shumë se një muaji dekretet janë dërguar për shqyrtim pranë Komisionit të Ligjeve në 22 nëntor, por nuk janë marrë në kalendarin e punimeve. Rregullorja e Parlamentit përcakton se dekretet e kreut të shtetit shqyrtohen nga Komisioni i Ligjeve brenda 8 javëve dhe brenda 1 jave nga paraqitja e raportit të këtij komisioni duhen marrë në shqyrtim nga Kuvendi. Por këto afate rrezikojnë të shkelen sepse Kuvendi fillon veprimtarinë e tij më 20 janar 2014, duke pamundësuar shqyrtimin e tyre brenda 8 javëve nga dekretimi. Në Kuvendin e Shqipërisë pritet që në muajin janar të bëjnë betimin edhe 5 deputetë të rinj, deputeti që do të marrë mandatin e dorëzuar nga ministri i brendshëm Saimir Tahiri, dhe 4 deputetë që do të gëzojnë mandatet që pritet të lënë 4 ministrat e tjerë, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Mjedisit Lefter Koka, Ministri Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri. Këta janë 4 ministrat e fundit me mandat në qeveri, dhe i gjithë procesi i lënies së mandatit është parashikuar të mbyllet brenda janarit. Nga ana tjetër, komisionet parlamentare  pritet të nisin punën me Ligjin Antimafia dhe Kodi i Procedurës Penale, të njohura ndryshe si paketa antikorrupsion. Ndërkohë, pritet reagimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani, nëse do të dërgojë të njëjtat emra apo do të dërgojë në Parlament emra të tjerë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Duhet theksuar fakti se këto emra janë caktuar edhe në bazë të një marrëveshje ndërmjet grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës.